Real Madrid ka bërë një tjetër hap fals në Champions League pasi ka barazuar 2-2 në Santiago Bernabeu kundër Klub Brugge. Skuadra 13 herë kampione e Europës pritej të mos e diskutonte këtë sfidë, por të gjithë u shtangën kur në minutën e 9 Dennis kaloi në avantazh skuadrën belge.
Pritej reagimi i galaktikëve, por befasia më e madhe do të vinte pak para fundit të pjesës së parë kur I njëjti protagonist, Dennis, dyfishoi rezultatin. Në pjesën e dytë Reali hyri me marsh tjetër dhe me Ramos fillimisht shkurtoi dieferencat, ndërsa para se të barazonte me Casemiro-n, Brugge u ndëshkua me karton të kuq. Duke qenë se ishte minuta e 85 koha e mbetur në dispozicion ishte e pakët dhe skuadrat ndanë pikët. Momentalisht Reali ndodhet i fundit në grupin A.
Ndërkohë ndeshja tjetër e orës 18:55 mes Atalantës dhe Shakhtar Donetsk përfundoi me fitoren 1-2 të ukrainasve. Italianët kaluan të parët në avantazh me Zapata-n, ndërsa miqtë barazuan fillimisht me Moraes dhe përmbysën në fund me Solomon. Për Atalantën kjo ishte humbja e dytë pas asaj me Dinamo Zagreb në ndeshjen hapëse.