Realizimi i ëndrrës së Gjekë Marinaj

Realizimi i ëndrrës së Gjekë Marinaj
Më datën 6 dhe 8 dhjetor 2012, në qytetin e Dallasit, në Amerikë, përkatësisht në ambientet e Universitetit të Teksasit në Dallas (UTD), u mbajt ceremonia e diplomimit të rreth 1911 studentëve, të cilët i kanë përfunduar studimet e niveleve të ndryshme pranë këtij Universiteti. Nga Shkolla e Arteve dhe Shkencave Humane u diplomuan më PhD katër studentë: Dr. Dallie Bremer Clark, Dr. Anne Healy, Dr. Gjekë Marinaj dhe Dr. Jeffrey F. Pettineo. Ky i fundit, për arsye personale, nuk mori pjesë në këtë ceremoni. Ndonëse kjo ngjarje është e rëndësishme për qytetin e Dallasit dhe shoqërinë amerikane, për ne shqiptarët nuk do të kishte atë rëndësi që ka, sikur sivjet të mos laureohej me gradën akademike PhD edhe Gjekë Marinaj, shqiptarë nga Malësia e Madhe, emër publik, poet e përkthyes i njohur, si dhe një pedagog dhe studiues i zellshëm.

Në ceremonitë festive, për ta nderuar dhe respektuar njeriun e tyre, kishin udhëtuar nga Tirana, midis tjerësh, edhe Tonin dhe Lindita Marinaj, të cilët bashkë me miqtë e tjerë, kudo i shoqëronte zonja e shtëpisë, bashkëshortja e Gjekës, Dusita Marinaj, e cila padyshim ka merita të mëdha për suksesin e burrit të saj, i cili pohon se "Dusita më ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme gjatë studimeve, sepse pa një jetë me dashuri të pastër dhe paqe të plotë në shtëpi është gati e pamundur të gjesh sukses në jetën akademike". Që të mos zgjerohemi me detajet dhe anët teknike të ceremonisë në fjalë, këtë reportazh të shkurtër po e ilustrojmë me mendimet e personaliteteve akademike në UTD dhe Kolegjin ku ai ligjëron, për t'i lënë vend edhe një shënimi biografik. Në këtë plan vlen për t'u cituar shënimi i vënë në librezën e ceremonisë së laureatëve të Doktoratës, së datës 6 dhjetor 2012, botuar nga Universiteti i Teksasit në Dallas, shënim ky për Marinajn që është shkruar nga kandidati për çmimin Nobël në letërsi Prof. Frederick Turner i cili thotë:

"Poetët e mirë janë të rrallë. Poetët e mirë që kanë edhe komandën e gjuhëve të jenë përkthyes të mirë janë edhe më të rrallë. Kur një njeri i tillë është, me të drejtë, edhe një hero nacional siç është Gjekë Marinaj për Shqipërinë - i cili mezi u shpëtoi armëve të regjimit komunist që kërkonin jetën e tij vetëm se kishte shkruar një poezi kritike kudër regjimit, një poezi që u kthye në britmën kolektive të demonstratave që i sollën lirinë vendit - ne kemi diçka edhe më të rrallë. Kur ky individ ka kompozuar si pjesë të disertacionit të tij një antologji shumë të rëndësishme, akoma të pabotuar, të poezisë gojore shqipe, dhe kur ai është i diplomuar nga universiteti ynë, ne duhet ta njohim fatin tonë për ta laureuar sot atë!"

REALIZIMI I ENDRRES
Profesoresha Charlotte Karam, kolege e punës në Kolegjin Riçland (Richland College), aty ku Gjekë Marinaj prej sa vitesh është mësimdhënës, deklaron: "Si mike dhe kolege e Gjekë Marinajt, e kam parë atë duke punuar dhe studiuar në të gjitha orët e ditës dhe natës për detyrimet e tij akademike dhe qëllimet letrare. Sot ai ka realizuar një nga ëndrrat e tij më të mëdha: fitimin e titullit Doktor i Filozofisë në Shkencat Humane. Jam e sigurt se ky "diamant" Amerikan nga Shqipëria do e përdor kohën dhe talentin e tij për të arritur maja edhe më të larta!"
Ndërsa Gjekë Marinaj, me modestin e tij prej njeriu dhe intelektuali me këtë rast do të shtonte: "Këtë piketë të rëndësishme në jetën time ua dedikoj të gjithë mësuesve (duke filluar nga prindërit e mi) dhe profesorëve nga Shqipëria deri në Amerikë, të cilët gjatë kohës së studimeve, përmes dashurisë njerëzore, sakrificës personale dhe dedikimit profesional më kanë dhënë mbështetjen e duhur njerëzore dhe akademike, pa të cilën diplomimi im nuk do të kishte qenë i mundur".

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK