Realizohen 1.300 kopje të
kodikut të rrallë të Korçës
Promovimi i botimit faksimile të Kodikut të Korçës 93 do të bëhet më 16 dhjetor 2012 në Qendrën Kulturore pranë Katedrales së re Ortodokse në Tiranë.
Kodiku i Korçës 93 që ndodhet sot në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës në Shqipëri është një nga 100 dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine që u rizbuluan nga mosdukja pas ndryshimit të regjimit në këtë vend. Bëhet fjalë për kodikun e dorëshkruar të shekullit X, me përmasa 153 x 120 mm, shkruar në 308 fletë pergamene të hollë me ngjyrë të bardhë dhe që përmban tekstin e katër Ungjijve, shoqëruar nga po kaq miniatura. Teksti në të gjithë dorëshkrimin është shkruar në formën e kryqit, një dukuri veçanërisht e rrallë në historinë e dorëshkrimeve shkruar në greqisht. Shkrimi është germëvogël i rrumbullakët, i një mjeshtërie të shkëlqyer kaligrafike.
Si vend kopjimi, sipas stilit të shkrimit, mundësitë janë që të jetë Konstandinopoja dhe vendi i përdorimit Mitropolia e Korçës, thesar i çmuar i së cilës pati qenë për shumë shekuj, fakt që lidh në përgjithësi mjedisin e Shqipërisë së sotshme me kryeqytetin e Bizantit. Me kontributin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Shoqërisë Biblike Ndërkofesionale të Shqipërisë u bë i mundur realizimi i botimit faksimile të këtij kodiku fort të rëndësishëm.
Kopja faksimile shoqërohet nga një studim shterues i kodikut në tri gjuhë si edhe nga transkriptimi paleografik i Ungjillit sipas Lukës dhe përkthimi gjegjës në shqip. Tirazhi prej 1.300 kopjesh tregon qartë se synimi ka qenë që ky botim të gjejë vend jo thjesht mes një rrethi të ngushtë e drejtpërdrejt të interesuar, por që një publik edhe më i gjerë të informohet e t'i shijojë vlerat e kodikut. Dy autorët që punuan për studimin dhe përgatitjen cilësore të këtij botimi janë historiani-paleografi z. Andi Rembeci nga Fakulteti i Historisë i UT, dhe paleografi z. Sokol Çunga nga Arkivi Qendror Shtetëror. Ia vlen të shënohet fakti se një botim faksimile i këtij lloji është i pari në historinë e botimeve dokumentare në Shqipëri, përgatitur me bashkëpunimin e institucioneve vendase. Fusha e botimeve të burimeve historike është pak e lëvruar në Shqipëri, qoftë për shkak të së kaluarës së izoluar, qoftë për shkak të mungesës së përvojës dhe mundësive.
Botimi i këtij kodiku, si një prej më përfaqësuesve në rang botëror të asaj veprimtarie intelektuale të spikatur gjatë njërës prej periudhave më të lulëzuara kulturore të Bizantit, veç rëndësisë së vet shkencore, vjen të shërbejë si një kontribut në promovimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 dhjetor 2012(ad.ti/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
Sondazhi i ditës:
A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?
-
Po
37.1%
-
Jo
59.4%
-
Nuk e di
3.6%
Vota total: 3713
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
Këngëtarja Ledina Çelo poston si rrallë herë foto me familjen e saj (FOTO)
3 Janar, 22:45
-
A do të përfundojë këtë vit lufta në Ukrainë?
3 Janar, 22:36
-
Kinë/ Shqetësim për virusin e ri misterioz, spitalet mbushen plot
3 Janar, 22:34
-
Beteja ligjore mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe
3 Janar, 22:29
-
Rreziku nga Rusia, ish-ministrja e Jashtme: Perëndimi urgjentisht ta pranojë Kosovën në NATO
3 Janar, 22:12
-
Milan mposht me përmbysje Juventusin dhe kalon në finalen e Superkupës së Italisë! Conceiçao debuton me fitore në stolin kuqezi, të hënën përballja ndaj Interit në Riad
3 Janar, 22:06
-
Rajoni separatist në Moldavi ndien pasojat e mungesës së gazit rus
3 Janar, 21:38
-
Ulje temperaturash, shi dhe dëborë e dendur në zonat malore, parashikimi i motit për fundjavën
3 Janar, 21:25
-
Masakra me 12 viktima, malazezët protestojnë para qeverisë, kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë
3 Janar, 21:15
-
Mero Baze: Gjykata nuk u ndikua 'as nga Trumpi' dhe as nga 'tre rezolutat'
3 Janar, 21:11
-
SHBA, agjencitë e zbulimit të shqetësuara për sulme të ngjashme me atë të Nju Orlinsit
3 Janar, 21:07
-
U përfol për kalim tek Trabzonspori, Rey Manaj rinovon kontratën edhe për 1 vit e gjysëm me Sivasspor
3 Janar, 21:00