Kur tufat e çobanëve arritën në fshatin Goricë, në krahinën e Rrëzës së Zezë, gratë e fshatit i sulmuan ato. Drejtuesit lokalë u përpoqën t’i jepnin situatës karakter politik, duke theksuar se “demonstrata e grave” ishte organizuar nga dy elementë shovinistë, Theodhori Qirici dhe Koço Pasko, të cilët kishin gjetur mbështetjen dhe të disa prej komunistëve të fshatit. Në të vërtetë protesta e grave nuk pati as parulla politike, dhe as nacionaliste. Drejtuesit e PPSH në qarkun e Gjirokastrës u treguan të kujdesshëm me menaxhimin e situatës. Sekretari i komitetit të partisë, Koço Nika për të shmangur dërgimin e forcave të armatosura dhe për të sqaruar situatën dërgoi Vasil Dalanin, një minoritar, i cili ishte funksionar i komitetit të partisë së rrethit. Vajtja e tij nuk e përmirësoi situatën. Ai nuk arriti të gjente ndonjë kompromis me fshatarët, të cilët ishin të vendosur të mos lejonin barinjtë e zonave të tjera, aq më pak ata shqiptarë, në kullotën e fshatit të tyre. Madje për ta treguar këtë, ata prishën kullotën e fshatit.
Dy ditë pas ngjarjes së Goricës një protestë e ngjashme, po më e fuqishme shpërtheu në Glinë, një fshat tjetër i banuar nga minoritarë grekë. Banorët e Glinës morën shkas nga problemi i kullotave për t’i dhënë protestës së tyre edhe karakter politik. Banorët hodhën parulla kundër qeverisjes komuniste, kundër ligjeve të shtetit komunist e veçanërisht kundër sistemit të ri të grumbullim-furnizimit, si dhe kundër PPSH dhe Enver Hoxhës. Në përshkallëzimin e protestës së Glinës, mendoj se një rol të rëndësishëm duhet të ketë luajtur dhe sjellja deri diku e butë e organeve partiake dhe shtetërore lokale në protestën e banorëve të Goricës.
Mesa e treguan ngjarjet, drejtuesit komunistë lokalë nuk kishin ndërmend të përsërisnin të njëjtin “gabim” si në protestën e Goricës. Përkundrazi, në Glinë u dërguan forca të shumta ushtarake e policore, të cilat u konfrontuan me popullsinë e zonës. Si masë ndëshkimore organet e policisë dhe Sigurimit të Shtetit arrestuan të gjithë burrat e Glinës. Ngjarja pati jehonë dhe filloi të diskutohej në të gjithë zonën minoritare. Ajo shqetësoi dhe i vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat partiake si lokalë, ashtu dhe qendrorë. KQ i PPSH i kërkoi komitetit të partisë të Gjirokastrës një raport të detajuar, ndërkohë Vasil Mici, një nga instruktorët e drejtorisë së organizimit të KQ, u dërgua të vëzhgonte situatën në vend.
Raportet e dërguara në KQ të PPSH nga Subi Bakiri, sekretar i komitetit të PPSH për Gjirokastrën dhe inspektori Vasil Mici, nuk mendonin se çështja duhet të trajtohej thjesht me karakter ekonomik. Në raportin e V. Micit fajësoheshin drejtuesit e komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës për marrjen e një mase të gabuar në lidhje me kullotat. Por edhe ai kishte të njëjtin mendim me komitetin e PPSH të Gjirokastrës, se protestuesit e Glinës vetëm kishin “shfrytëzuar pretekstin e barit [kullotave] duke e lidhur këtë me problemet ekonomike dhe politike”. Ato ishin gjithashtu në të njëjtën linjë në përcaktimin e organizatorëve, të cilët, sipas tyre, ishin “elementa shovenë”, të cilët kishin gjetur dhe mbështetjen e anëtarëve të partisë së zonës. Në të dyja raportet Glina konsiderohej si një rajon, i cili nuk e kishte mbështetur asnjëherë PPSH dhe “pushtetin popullor”.
Glinjotët, - theksonte raporti i Vasil Micit, - kishin qenë gjithmonë indiferentë ndaj PKSH/PPSH, si gjatë LANÇl-it, ashtu dhe më pas. Aty kishte pasur ndikim shumë të fuqishëm konsullata greke, ndërmjet agjentit të saj, Vasil Shahinit dhe këto tendenca shoviniste vazhdonin të ishin të theksuara në këtë fshat. Edhe për Subi Bakirin ngjarja e Glinës “lidhet ngushtë me shovinizmin që karakterizon gjithë fshatin, me lidhjet që ka pasur Glina me Vasil Shahinin [...], me lidhjet që ka dhe tani fshati me monarko-fashizmin grek dhe me presionin e tij, pasi fshati është pranë kufirit”. Sipas tij, një shkak tjetër ishte mos ndërhyrja e policisë në demonstratën e Goricës. Në raportin e tij, Vasil Mici shkonte dhe më larg, ai e konsideronte ngjarjen e Glinës “vetëm një shfaqje të punës armiqësore t’elementit shovinist dhe armik në minoritet”.
Nga sa u përmend më sipër, duket qartë se drejtuesit komunistë mendonin për një situatë të paramenduar, madje dhe implikime të agjencive të huaja të zbulimit. Nga dokumentacioni që disponoj është e pamundur të thuhet nëse ngjarja ka qenë e paramenduar, apo për më tepër nëse ka ndonjë të vërtetë mbi përfshirjen në këto ngjarje të zbulimit të vendeve fqinjë apo atij perëndimor. Dokumentet greke mungojnë plotësisht, ndërsa ato shqiptare duhen trajtuar me kujdes. Në këto kushte gjithçka që mund të bëjmë, është të ngremë disa hipoteza, në bazë të fakteve të njohura.
Situata në marrëdhëniet shqiptaro-greke, pas përfundimit të Luftës Civile, vazhdonte të ishte e acaruar. Në vjeshtë-dimër të vitit 1949, Shqipëria u ndodh në një pozitë të vështirë përballë kërcënimit grek. Në këtë situatë, nuk mund të përjashtohet që ngjarja e Glinës mund të ketë qenë një test për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj minoritetit grek, apo edhe një pretekst për të përligjur një ndërhyrje ushtarake të Greqisë.
Nga ana tjetër, është i njohur fakti se qeveritarët komunistë i referoheshin armiqve të shtetit apo të pushtetit sa herë që situata nuk ishte plotësisht nën kontroll. Në rastin e minoritetit grek, çdo njeri që i kundërshtonte politikisht, apo thjesht ngrinte zërin për një veprim të gabuar të drejtuesve komunistë, etiketohej si shovinist. Pa dashur të përjashtoj nacionalizmin, ndonjëherë të skajshëm të disa rajoneve minoritare, mund të bëj disa konstatime.
Në të dy protestat nuk pati shfaqje nacionalizmi, dhe aq më pak separatizmi. Protesta e banorëve të Goricës lidhej vetëm me kullotat, ndërsa banorët e Glinës, duke marrë shkas nga çështja e kullotave, artikuluan pakënaqësi ndaj politikës ekonomike të shtetit shqiptar. Qeveria shqiptare kishte krijuar mundësi për shkollimin e minoritetit grek në gjuhën amtare, si dhe mundësi për pjesëmarrjen e anëtarëve të minoritetit në të gjitha nivelet e administratës shtetërore dhe partiake. Por, politikat e gabuara ekonomike të shtetit shqiptar e sidomos izolimi i vendit kishte krijuar mjaft vështirësi ekonomike për banorët.
Dokumentet evidentojnë qartazi situatën e vështirë ekonomike dhe politike gjatë vitit 1949 në të gjithë rrethin e Gjirokastrës e, midis krahinave të tjera, edhe në fshatrat minoritare. Toka në rrethin e Gjirokastrës nuk ishte e mjaftë. Një pjesë e tokave të kufirit ishin marrë nga ushtria dhe ishin minuar. Sistemi i ri i grumbullim furnizimeve, i krijuar enkas për të mos lejuar pasurimin e fshatarëve, kishte shkaktuar vështirësi të shumta ekonomike në këtë rajon. Paratë e emigrantëve ekonomikë jashtë vendit ose ishin kufizuar, ose në shumicën e rasteve ishin ndaluar të merreshin nga familjarët e tyre. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, viti 1949 kishte pasur korrje të pakta, për shkak të motit të keq. Vështirësitë ekonomike dhe papunësia e madhe kishin shkaktuar natyrshëm dhe pakënaqësinë e minoritetit grek ndaj qeverisë komuniste.
Në komunikimet e vazhdueshme të drejtuesve lokalë, si atyre partiakë, ashtu dhe shtetërore, vihej në dukje se në të gjitha krahinat minoritare po shtoheshin tendencat për t’u arratisur nga Shqipëria. Pakënaqësia e minoritarëve grekë ndaj qeverisjes komuniste u shpreh dhe në zgjedhjet e këshillave popullorë të fshatrave, të zhvilluara më 5 dhe 12 qershor 1949. Në 30 fshatrat e minoritetit që gjendeshin në rrethin e Gjirokastrës kishte pasur 497 vota në kutinë pa kandidat, ndërkohë që në disa fshatra si Bularat, Glinë, Dhivër gati gjysma e fshatit kishte votuar kundër kandidatëve zyrtarë. Gjithashtu, një numër i banorëve të fshatrave minoritare kishin abstenuar. Për të gjitha këto arsye, unë prirem të besoj se dy ngjarjet mund të kenë qenë reagime spontane të banorëve, të diktuara nga situata ekonomike.
Situata në Glinë shqetësoi nivelet më të larta partiake dhe shtetërore të Shqipërisë. Në fund të vitit 1949 dhe në fillim të vitit 1950, qeveria shqiptare e ndjente veten në mes dy zjarresh. Ajo ndodhej në konflikt të hapur me fqinjët saj: Jugosllavinë dhe Greqinë. Për më tepër, njoftimet për organizimin e operacionit Rollback nga MI6 (Military Inteligence) dhe CIA (Central Inteligence Agency) për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri ishin të njëpasnjëshme.
Më 15 janar 1950, përfaqësuesi shqiptar në OKB, Behar Shtylla njoftonte ministrinë e jashtme dhe atë të brendshme se “agjentë greko-amerikanë organizojnë arratisjen e familjeve nga fshatrat tona të Jugut në Greqi e së andejmi në Amerikë”. Shqetësimin e drejtuesve komunistë e shtonte dhe qëndrimi i krahinave të tjera minoritare ndaj ngjarjeve të Glinës. Shumë pak prej tyre e kishin dënuar atë, pjesa më e madhe ose kishin mbajtur qëndrim indiferent, ose kishin mbështetur ngjarjet e ndodhura në Glinë. Arrestimet në masë kishin ngjallur psikozën e frikës në të gjithë banorët e zonës, por përsëri popullsia e minoritetit gjente mënyra për të shfaqur pakënaqësinë e saj. Në Dropullin e Sipërm banorët, si protestë për gjendjen e vështirë ekonomike, nuk i dërgonin fëmijët në shkollë. Enver Hoxha e kuptoi se minoriteti mund të shndërrohej në “thembrën e Akilit” për qeverisjen e tij. Situata nuk lejonte indiferentizëm. Përkundrazi, ajo u impononte drejtuesve komunistë t’i jepnin ngjarjes një vëmendje të posaçme.
Më 28 janar 1950, Byroja Politike e KQ të PPSH, shfrytëzoi ngjarjen e Glinës për të bërë një analizë mbi situatën ekonomike dhe politike në minoritetin grek. Ishte hera e parë, që nga ardhja e komunistëve në pushtet, që gjendja në minoritetin grek diskutohej në një nivel kaq të lartë partiak si çështje më vete. Ajo zyrtarizoi linjat politike të qeverisë shqiptare ndaj minoritetit grek, të cilat mbetën deri në shembjen e komunizmit. Për këtë arsye kjo mbledhje meriton një trajtim të kujdesshëm. Mbledhja u zhvillua pa praninë e Enver Hoxhës. Atë e drejtoi Tuk Jakova, sekretari organizativ i KQ të PPSH.
Në lidhje me ngjarjen e Glinës, anëtarët e Byrosë Politike pohuan se situata në fshatrat e Goricës dhe Glinës, mund të evitohej pasi ishte një gabim i organeve drejtuese lokale. Liri Belishova u shpreh në diskutimin e saj, se në këtë rast “puna e armikut nuk ka qenë e mbështetur në fjalë dhe në gjëra abstrakte, por në një fakt konkret, në një gabim tonin, që ua kemi vështirësuar fshatarëve gjendjen e kullotave. Një gjë të tillë [organet lokale] mund ta kishin evituar”. Gjithashtu, të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dënuan veprimin e organeve të policisë dhe sigurimit të shtetit, që në një fshat kaq të vogël kishin bërë arrestime në masë. Sipas tyre, duhej bërë diferencim midis të arrestuarve të Glinës, pra duhej të merreshin masa vetëm ndaj organizatorëve të ngjarjes.
“Komiteti i Partisë për fshatin e Glinës, - u shpreh Bedri Spahiu, anëtar i Byrosë Politike, - përveç gabimit të parë që ngushtoi kullotat ka rënë në gabimin e dytë që lejoi të bëheshin në një fshat aq të vogël arrestime në masë. Tani populli po ta marrësh në këtë situatë të krijuar është i tëri në pozita armike kundra nesh, pse këtë situatë e ka shfrytëzuar dhe armiku. Komiteti i partisë duhej menjëherë të futej mes popullit pas ngjarjes dhe të përpiqej të gjente fajtorin dhe vetëm ai të futesh në burg dhe jo sikurse u bë tani, gjë që tregon që qeveria nuk është në gjendje të gjejë shkaktarin dhe ka arrestuar kaq njerëz”.
Ngjarja e Glinës shërbeu si një shtysë për të diskutuar në thellësi situatën politike dhe ekonomike të minoritetit grek në Shqipëri. Deri në atë kohë, kujdesi kryesor i PPSH ishte të mos lejonte qeverinë greke ta shndërronte minoritetin në një vatër irredentiste. Ngjarja e Glinës tregoi se kushtet ekonomike të kombinuara me situatën e veçantë dhe delikate në minoritet mund të shkaktonin dhe ndërlikime politike. Kishte ardhur koha që qeveria shqiptare, krahas aspekteve arsimore dhe kulturore, të kujdesej edhe për aspekte të tjera të jetës së minoritetit grek në Shqipëri.
Të gjithë diskutuesit në mbledhjen e Byrosë Politike vunë në dukje kujdesin me të cilën duhej trajtuar situata me këtë popullsi. Ndryshe nga frazat e bujshme që përdoreshin në fjalimet e drejtuesve të lartë të shtetit, për lidhjen e ngushtë të minoritetit grek me qeverinë komuniste shqiptare “si dje në luftë, ashtu dhe për ndërtimin e socializmit, nga diskutimet e anëtarëve të Byrosë Politike duket qartë se ata ishin të ndërgjegjshëm se situata politike në minoritetin grek nuk ishte plotësisht në favor të tyre. Konstatimi i parë i mbledhjes lidhej me situatën politike atje.
Në vazhdën e patriotizmit të ri socialist që po propagandohej, autoritetet e larta partiake konstatonin se në minoritetin grek nuk njihej sa duhet Bashkimi Sovjetik dhe as vendet e Kampit Socialist. Ata gjithashtu shpreheshin me shqetësim për ndikimin e fortë të “monarko-fashizmit grek dhe imperializmit amerikan”. Shqetësimi i tyre më i madh ishte fakti se me gjithë numrin e konsiderueshëm të komunistëve minoritarë, përsëri PPSH nuk kishte baza të forta. Në minoritet, sipas tyre, nuk zhvillohej lufta e klasave dhe si pasojë nuk luftoheshin “elementët kulakë dhe shovinistë”.
Duke pasur parasysh këtë situatë, Liri Belishova, sekretare e KQ të PPSH, tërhiqte vëmendjen për kujdesin që duhej të kishte me minoritetin pasi “atje është kufi dhe populli është nën influencën amerikane dhe të monarko-fashistëve grekë”. Në të njëjtën mënyrë e shikonin situatën dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, madje kishte disa që vinin në dukje se minoriteti grek ishte i influencuar shumë nga rryma politike kundërshtare të PPSH si arkeo-marksizmi, të cilat konsideroheshin po aq të dëmshme sa dhe tendencat politike perëndimore.
Anëtarët e Byrosë Politike nuk e vinin në dyshim se në minoritetin grek vepronin kundërshtarët e regjimit komunist, të cilët në optikën e drejtuesve komunistë shqiptarë ishin armiq të Shqipërisë. Anëtari tjetër i Byrosë Politike, Beqir Balluku, kishte qenë i dërguari i KQ në mbledhjen e byrosë së komitetit të PPSH për rrethin e Gjirokastrës, ku ishte diskutuar çështja e Glinës. Ai kishte konstatuar nga afër situatën politike jo të qetë në minoritetin grek, ndikimin e pakët që kishin komunistët shqiptarë atje, si dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballej kjo popullsi. Ai kishte të njëjtin mendim me Liri Belishovën në lidhje me ndikimet e huaja të fuqishme në minorite “Atje, - theksoi ai, - armiku punon me anë parullash, mundohet të fusë nëpërmjet kufirit spiuna dhe diversantë. Atje ka elemente që bëjnë luftë të hapur në fshat. Ka pasur raste që njerëzit largohen bllok nga mbledhja duke i lënë shokët tanë vetëm”.
Konstatimi i dytë lidhej me gjendjen ekonomike të zonës minoritare. Diskutimet vunë në dukje se minoriteti kishte përfituar nga reformat e deriatëhershme të qeverisë si nga reforma agrare etj, por përsëri gjendja ekonomike ishte problematike. Anëtarët e Byrosë Politike fajësonin autoritetet partiake dhe shtetërore lokale, të cilat nuk kishin treguar kujdes të veçantë për zhvillimin ekonomik të minoritetit. Për të gjithë ishte e qartë se nëse gjendja ekonomike nuk përmirësohej, minoriteti grek mund të shndërrohej në një burim të vazhdueshëm shqetësimi për shtetin shqiptar, por dhe në një pretekst për ndërhyrjen e qeverisë greke. Situata kishte nevojë për masa të shpejta.
Të drejtat në fushën e kulturës dhe ruajtjes së identitetit, të cilat i ishin dhënë minoritetit grek, duket se nuk mjaftonin. Nëse shqiptarët mund të pranonin të bënin sakrifica dhe të jetonin në kushtet e një ekonomie të racionuar dhe me mungesa të shumta në emër të dashurisë për atdheun, ky argument nuk e bindte dhe aq minoritetin grek. Për më tepër, kur shteti i tyre amë, po përfitonte nga ndihma e SHBA dhe po përpiqej për përmirësimin e standardit të jetesës. Kishte lindur nevoja të zbatohej një tjetër parim marksist “materia përcakton ndërgjegjen”. Qeveria shqiptare dhe PPSH duhet të merrnin masa për t’u ëmbëlsuar me minoritetin grek, të paktën me pjesën më të madhe të tij.
Liri Belishova, e cila ishte e para që e mori fjalën në këtë mbledhje, propozoi që të miratohej një vendim mbi masat që do të merreshin për përmirësimin e gjendjes në minoritetin grek. Dhe kështu u bë. Në mbledhjen e 28 janarit 1950, anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PPSH miratuan Vendimin nr. 7, “Mbi ngjarjet e Glinës të rrethit të Gjirokastrës dhe gjendjen në minoritetin grek”. Ai përveç rrethit të Gjirokastrës, do t’i dërgohej dhe atij të Sarandës dhe Vlorës, mesa duket për banorët greqishtfolës të zonës së Nartës.
Vendimi përcaktonte qartë politikën e PPSH ndaj minoritetit grek në të gjitha nivelet: politik, ekonomik, shoqëror. Në planin politik, ai sanksiononte vendosmërinë e udhëheqjes së PPSH për ta përfshirë popullsinë minoritare në procesin e krijimit të “njeriut të ri”, term ky që do të bëhej mjaft popullor gjatë viteve ’50 e në vazhdim. Për këtë, KQ i PPSH udhëzonte komitetin e Gjirokastrës dhe komitetin e Sarandës t’i kushtonin “një kujdes të posaçëm forcimit të punës politike në minoritet”. Vendimi përcaktonte me detaje, synimin kryesor të propagandës së PPSH për ideologjizimin e minoritetit grek, si dhe mjetet nëpërmjet të cilave do të zhvillohej ajo. Synimet e propagandës ishin: të reklamoheshin më shumë “sukseset e reformave të deritanishme” të kryera nga qeveria komuniste; të popullarizohej Bashkimi Sovjetik dhe Kampi Socialist; si dhe të luftohej influenca e shovinizmit grek dhe ajo e imperializmit amerikan në minoritet.
Mjetet dhe rrugët me të cilat do të arriheshin këto objektiva, sipas vendimit, do të ishin të ndryshme. Ato fillonin me forcimin e instrumentit më të fuqishëm të propagandës për minoritetin grek, gazetës Laiko Vima. Tash e tutje ajo do të kishte drejtues të lartë partiakë, përmbajtje më të kontrolluar nga nivele të larta të PPSH dhe tirazh më të lartë. E gjitha kjo synonte ta çonte propagandën e PPSH te çdo anëtar i minoritetit grek. Gjithashtu do të shtoheshin përkthimet e literaturës marksiste në gjuhën greke. Për këtë u kërkua të studiohet mundësia e krijimit të një zyre përkthimesh pranë komitetit të partisë së rrethit Gjirokastër, e cila do të punonte për të përkthyer në greqisht të gjithë materialin që do të shihej i nevojshëm. Ky ishte një moment i përshtatshëm për PPSH, pasi ajo mund të shfrytëzonte për këtë qëllim dhe anëtarët e Partisë Komuniste Greke, të cilët ishin vendosur në Shqipëri pas përfundimit të Luftës Civile.
Në kuadrin e propagandës për miqësinë shqiptaro-sovjetike u vendos të ngriheshin rrethet kulturore të BS me Shqipërinë. Rretheve të Gjirokastrës e Sarandës iu kërkua të planifikonin çeljen e ekspozitave nga jeta e BS me diçitura në gjuhën greke.
Në funksion të linjës internacionaliste për bashkim-vëllazërimin e popullit u vendos gjithashtu që “gjuha shqipe si mjet vëllazërimi dhe si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar të bëhet e detyrueshme në shkollat e minoritetit”.
Vendimi nr. 7 i Byrosë Politike të PPSH i kushtonte një vend të rëndësishëm përmirësimit të kushteve ekonomike të minoritetit grek. Ai parashikonte objektiva afatgjatë për drejtimet e zhvillimit ekonomik të zonave minoritare por edhe masa për të kaluar vështirësitë imediate ekonomike me të cilat po përballej kjo popullsi.
Ndër objektivat afatgjatë, bujqësia dhe blegtoria përcaktoheshin si elementë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të zonës. Gjithë investimet do të synonin në këtë drejtim. Zhvillimi i vitikulturës, apikulturës do të ishin drejtimet kryesore ku do të fokusohej ekonomia bujqësore. Ndërkohë, u urdhërua që planet e investimeve të përqendroheshin në ndihmesën e zhvillimit agrar të rajonit. Kështu, u përfshinë në vendim hartimi i planeve për hapje kanalesh në Vurg, për ndërtimin e një ujësjellësi në Dropull etj. Në këtë kuadër, u urdhëruan komitetet e PPSH dhe ato ekzekutive të rretheve Gjirokastër dhe Sarandë, që në bashkëpunim me Komisionin e Planit të Shtetit të bënin një studim dhe të hartonin një plan konkret mbi mundësinë e zhvillimit të ekonomisë në minoritet, bazuar në këtë orientim të politikës ekonomike.
Objektivat afatshkurtër që parashikonte vendimi nr. 7 ishin jetësorë për minoritetin grek. Ato përfshinin: së pari, nxitjen e organeve të pushtetit lokal për marrjen e të gjitha masave për furnizimin e rregullt të krahinave minoritare, “ashtu sikundër është parashikuar edhe për zonat e tjera kufitare”. Së dyti, përkrahjen nga ana e shtetit të grave dhe të rejave me fëmijë në moshë të vogël, pleqtë pa krahë pune, duke i furnizuar me bukë për atë pjesë të vitit që nuk e siguronin ushqimin nga tokat e tyre. Së treti, u ngarkua Ministria e Bujqësisë të merrte në studim çështjen e kullotave për rrethin e Gjirokastrës dhe të caktonte atje aq bagëti sa ishte maksimumi i kapacitetit duke hequr bagëtitë e tepërta, të cilave do t’u sigurohej strehim në rrethe të tjera. Së katërti, u përcaktua si nevojë nxitja e fshatarëve të varfër për të marrë më shumë kredi bujqësore, të cilat do të përmirësonin ekonominë e tyre.
Në aspektin shoqëror, vendimi nuk linte mënjanë as masat për integrim më të mirë të brezit të ri minoritar në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit. Në lidhje më këtë u vendos “të tërhiqen sa më tepër të rinj e të reja në shkolla internate, kurse të ndryshme për përgatitje kuadrosh duke u akorduar bursa”. Kjo masë kishte rëndësi të dyfishtë për qeverinë komuniste. Së pari, krijonte një rrjet specialistësh vendas për të shërbyer në zonë, të cilët, nga ana tjetër do të zëvendësonin specialistët e shkolluar në Greqi. Së dyti, do të ishte një mundësi e mirë për indoktrinimin e masës së të rinjve minoritarë me ideologjinë komuniste.
Krahas vendimeve të përgjithshme që preknin të gjithë minoritetin grek, në përfundim të dy pikat e fundit të vendimit i dedikoheshin në mënyrë të veçantë Glinës. Në këtë kuadër, Byroja Politike urdhëronte organet e policisë të lironin pjesën më të madhe të të arrestuarve të ngjarjes së Glinës, duke mbajtur vetëm ata që konsideroheshin si organizatorë. “Një punë e tillë, - theksoi Liri Belishova, - do ta forcojë pozitën tonë, pse populli do të shohë me fakte që jemi përkrahësit e tij dhe me armikun jemi të pamëshirshëm”.
Vendimi nr. 7 i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, i 28 janarit 1950, e vendosi minoritetin grek në RP të Shqipërisë nën një kujdes të veçantë të shtetit, veçanërisht në fushën ekonomike. Gjë që i siguroi minoritetit grek, por dhe minoriteteve të tjera, në raport me popullsinë shqiptare, një standard relativisht më të lartë jetese.
(Në foto: Bedri Spahia)
(Në foto: Liri Belishova)
(Në foto: Beqir Balluku)
(Në foto: Faksimile e faqes së parë dhe të fundit të raportit të dërguarnë KQ të PKSH nga inspektori Vasil Mici)
(Në foto: Faksimile e dosjes ku është arkivuar rasti i incidenteve në glinë dhe goricë dhe faqja e parë e vendimit n.7 të Marrë në byronë politike të KQ të PKSH mbi rastin eGalisë dhe Goricës)
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.09.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)