Eksperienca e fituar në përballjet e fundit direkte mund të jetë vendimtare në sfidën historike që kombëtarja do të luajë kundër Polonisë në ‘play-off’ të Botërorit. Për Report TV, ish-zëvendës trajneri i Shqipërisë dhe trajner i shumë skuadrave në Superligë, Shpëtim Duro, shprehet se kuqezinjtë i kanë cilësitë për të eliminuar Poloninë.
“Dy ndeshjet e fundit mund të na japin besim, optimizëm. Sidomos sfida e fundit në Varshavë sepse edhe nesër luajmë në Poloni, jashtë fushë. Duhet të jemi realist se favorit është Polonia, sepse luan në fushën e saj, ka disa individualitete si Leëandoëski i cili bën diferencën në momente të veçanta, por edhe ne kemi një skuadër të mirë, kompakte, me lojtarë cilësorë të cilët luajnë në Evropë,”-u shpreh ai.
Për Duron Shqipëria mund të kalojë në finalen e ‘play-off’-it të Botërorit në rast se përsërit ndeshjen kualifikuese të 11 tetorit në Leskovac.
“Shpresoj të jetë një interpretim si ndeshja me Serbinë. Që skuadra jonë edhe pse pati një ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të fortë ia doli me sukses. Shpresoj që të përsëritet ndeshja me Serbinë edhe në Poloni,”-tha ai.
Duro sugjeron se Sylvinho duhet të mbështet më shumë te dy talente në kombëtares si Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti.
“Muçi dhe Mehmeti janë futbollistë në formë të jashtëzakonshme dhe është pozitive që u grumbulluan, por aktivizimi do shihet. Janë alternativa shumë të forta për ndeshjen e nesërme,”-deklaroi ai.
Duro nuk e sheh aspak si problem faktin që Shqipëria në ‘play-off’ të Botërorit do të luajë në transfertë.
“Ne si skuadra të vogla kemi probleme me ndeshjet brenda fushe, historikisht. Në ndeshjet jashtë jemi të zhveshur nga përgjegjësia dhe dalim më mirë,”-përfundoi Duro.
Poloni-Shqipërisë në Varshavë luhet me 26 mars në orën 20:45 dhe në rast se kuqezinjtë kualifikohen do të luajnë finalen e ‘play-off’-it me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.
Komente








