Receta e parë: Kocë mediterran në letër

Përgatitja:

2 peshq koc ose levrek

2 lç kaperi

1 degë domate qershi

12-14 ullinj të zi

Kripë dhe piper

Vaj ulliri

Letër pjekje

Fije kuzhine

Përbërësit:

Lajmë, pastrojmë peshkun dhe mund ta ndajmë edhe në dy pjesë. Vendosim në tryezë një copë letër kuzhine sa për të mbështjellë peshkun. Në qendër të tij spërkatim letrën me 1 lugë çaji vaj ulliri. Mbi vaj përhapim gjysmë lugë çajo kaperi, 2-3 domate qershi të prera ne gjysma, 3-4 kokrra ulliri dhe mbi këto përbërës vendosim peshkun. E spërkatim me kripë e piper dhe e mbushim atë me po ato përbërës që vendosëm dhe në letër, kaperi, domate qershi e ullinj. E spërkatim peshkun përsëri me pak vaj dhe e mbështjellim atë si karamele duke lidhur me fije kuzhine pjesët anësore të letrës.

Kështu vazhdojmë dhe me peshkun tjetër. Vendosim peshkun në tavë e më pas në furrë në temperaturën 190ºC për 20 minuta. Më pas e shërbejmë po në letër, të ngrohtë.

Kocë mediterran në letër

Receta e dytë: Kallamarë në tigan

Përbërësit:

500 gr kallamarë

1 qepë e vogël

1 thelb hudhër

200 gr domate të qëruara

1/2 tufë majdanoz

1 lgj stika pishe

1 lgj rrush i thatë

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Në një tigan të thellë ngrohim vajin, e aromatizojmë atë me 1 thelb hudhër. Shtojmë qepën e grirë shumë imët dhe e kaurdisim deri sa të bëhet transparente. Shtojmë majdanozin e grirë imët, stikat e pishës, rrushin e thatë dhe i kaurdisim së bashku për 1 minutë. Shtojmë domatet, kallamarët e prerë në unaza me trashësi 0,5 cm, kripë e piper të zi dhe 1 gotë ujë.

E lëmë të ziejë 10 minuta dhe e largojmë duke e shërbyer të ngrohtë.

Kallamarë në tigan

Receta e tretë: Sallatë me patate

Përbërësit:

500 gr patate

1 qepë e kuqe

100 ml lëng perimesh

3 lgj uthull

1 majë luge sheqer

1 kastravec

4 rrepa të kuq

1 lgj kopër e grirë

3 lgj vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Lajmë mirë patatet, i ziejmë ato për 25 minuta në ujë të vluar. Derdhim ujin dhe i qërojmë ato sa janë të ngrohta dhe i lëmë të ftohen. Më pas i presim patatet në feta dhe i spërkasim me pak kripë. Qepën e presim në shirita dhe e vendosim të ziejë në lëng perimesh, uthull, një majë luge sheqer dhe pasi të ziejë për pak minuta e shtojmë mbi patatet e prera. Shtojmë vajin e ullirit, e përziejmë mirë me patatet dhe i lëmë të marinohen për 30 minuta të mbuluara. Presim kastarvecin në feta të holla, gjithashtu dhe rrepat dhe i shtojmë në sallatë. 10 minuta para se ta shërbejmë sallatën, e spërkatim me kopër të grirë.

Sallatë me patate