Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar edhe te transporti publik. Dashnor Memaj, Kryetar i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas tha sot në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ se kjo është një situatë emergjente për transportin.
Ai theksoi se takimi i cili ishte planifikuar dje me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj do të mbahet nesër në orën 09:00.
“Takimi do të shtyhet për nesër në orën 9:00 dhe më pas do të dalim me një vendim në lidhje me transportin publik. Transporti publik e merr naftën 3-4 lekë më lirë, por nuk bën një ndryshim. Ne vazhdimisht u jemi drejtuar institucioneve me kërkesa. Është një situatë emergjente, transporti publik është më i godituri ndaj duhet t'i kushtohet një rëndësi të veçantë”, tha Memaj.
Ai shtoi gjithashtu se institucionet duhet t’i realizojnë disa masa të përhershme në mënyrë që edhe operatorët sa herë që ndodh një situatë të mos të kërkojnë vazhdimisht tu plotësohen kërkesat apo të protestojnë.
“Kërkesat ekonomike që janë kryesore për transportin duhet të vihen në zbatim. Nuk duhet që sa herë të ndodhë një gjë ne të bëjmë kërkesa apo protesta sepse ngelëm duke traumatizuar qytetarët. Ajo që e vuajnë janë qytetarët dhe operatorët padyshim nga ana ekonomike.
Duhet të zgjidhin një mesatare të kërkesave. Është një ndërhyrje shumë e shpejtë, duhet të bëhen politika afatgjata që transporti publik të vijojë normalisht. Nëse do të kishte transport publik të mirë edhe qytetarët do të reduktonin më shumë përdorimin e makinave”, tha ai.
Në fund të intervistës Memaj nënvizoi që shpreson të marrin një zgjidhje sepse nëse ndodh e kundërta ata që do vuajnë janë qytetarët.
"Shpresoj që të kemi një zgjidhje të mirë nesër, veçanërisht për qytetarët. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje do të zvogëlojmë numrin e autobusëve, oraret. Ne shpresojmë që zgjidhja momentale të jetë ajo e subvencioneve. Transporti nuk është në nivelet më të mira, po megjithatë ka operatorë që ofrojnë një shërbim. Ata që e vlerësojnë këtë gjë janë institucionet përkatëse", tha ai.
Një javë më parë Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dolën një deklaratë publike duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse heqjen e TVSH-së për transportin publik, rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin dhe aplikimin e subvencioneve apo mekanizmave kompesues me qëllim vijim e njëjtë të ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve pa ndërhyrë në çmimin aktual të biletës.
Komente










