Operatorët e transportit publik kërkojnë përjashtimin e autobusëve nga dyfishimi i taksës vjetore, si dhe lehtësira fiskale për TVSH-në dhe akcizën e karburantit. Dashnor Memaj, përfaqësues i sektorit tha në “Portofol” se çdo barrë e re fiskale rëndon më tej situatën financiare të operatorëve, të cilët nuk kanë mundësi të ndryshojnë çmimin e biletës.

“Ne prej kohësh kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për uljen e taksës së qarkullimit, një taksë e cila ishte e padrejtë për sektorin tonë. Por heqja e taksës së qarkullimit dhe shtimi i një takse në mjetet e transportit publik, do të thotë që jemi përsëri në të njëjtën linjë me të gjithë mjetet e tjera. Të përjashtohet automatikisht sektori i transportit publik, autobusët nga ky dyfishim i taksës vjetor. Sektori është në vështirësi, dhe po e shton edhe akoma më shumë. Qoftë edhe rritja me 1% e TVSH-së ndikon drejtpërdrejt tek sektori i transportit publik”, thotë Memaj.

Një tjetër kërkesë e operatorëve lidhet me uljen e TVSH-së për transportin publik, sipas modeleve që aplikohen në disa vende evropiane.

“Kemi kërkuar që të ketë një reduktim të TVSH-së siç e kanë edhe vendet evropiane, për shembull Belgjika e ka TVS-në e përgjithshme 21% por për sektorin e transportit publik e ka 6%. Holanda po ashtu nga normën e përgjithshme 21%, për transportin publik e ka 9%. Kjo do të ishte një ndihmë për sektorin, duke qenë se jemi me çmim të përcaktuar, nuk ndryshojmë dot çmimet”, thotë Memaj.

Nëse qeveria nuk reagon për kërkesat e sektorit Memaj thotë se do të kërkohet rritje e çmimit të biletës.

“Përveç TVSH-së është edhe reduktimi i akcizës, mund të ketë rimbursim mujor apo dy mujor për sektorin tonë, duke qenë se ne ndikohemi shumë nga ndryshimet e vazhdueshme të çmimit të karburantit në tërësi. Në qoftë se nuk e subvencionon, mund të shkojmë te kërkesat për rritjen e çmimit të biletës”, thotë Memaj.

Qeveria ka hequr taksën e qarkullimit nga nafta por e ka dërguar tek taksat e mjetit. Aktualisht taksa fikse që paguhet sipas llojit të karburantit në taksat vjetore është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën.

Nëpërmjet projektligjit propozohet që për mjetet me fuqi motorike deri 2 mijë kubik, taksa do të jetë 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin. Për mjetet me fuqi motorike mbi 2 mijë kubik taksa fikse për llojin e karburantit është 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin.

Kurse për autobusët taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin.


Lajmi kryesor:

Projektbuxheti 2027, ku shkojnë paratë dhe a është social? Ekspertët: Është ambicioz, por i pakonsultuar! Sipërmarrja kundër paketës fiskale e rishikimit të taksave