Reeker-Jahjaga: Kosova dhe Ballkani
përparime në rrugën e integrimeve

Reeker-Jahjaga: Kosova dhe Ballkani<br />përparime në rrugën e integrimeve
PRISHTINË -  Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Philip Reeker. Me të ajo bisedoi për proceset në Kosovë, për Marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për praninë e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare, bën të ditur "Koha Ditore".

Duke folur për Marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, presidentja Jahjaga tha se zbatimi i saj është i një rëndësie të veçantë dhe e siguroi zotëri Reeker se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar atë dhe për të marrë përgjegjësitë që u takojnë.

Ajo u shpreh se me shpalljen e datës së zgjedhjeve për 3 nëntor të këtij viti në gjithë territorin e Kosovës, njëkohësisht është dhënë një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët dhe vlerësoi se tani duhen përgatitje të mira për të pasur zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti dhe përfshirja e saj në të gjitha nismat rajonale, në mënyrë të barabartë me pjesëmarrësit e tjerë, do të mundësojë dhënien e kontributit për çështjet e përbashkëta dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të rajonit.

Zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, zotëri Philip Reeker, theksoi rëndësinë e arritjes së Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu rëndësinë e zbatimit të saj, meqë kjo mundëson relaksimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Ai tha se Kosova dhe rajoni i Ballkanit kanë shënuar përparime në rrugën e integrimeve dhe vlerësoi se është me rëndësi pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe kontributi i saj në këto nisma.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri