Referendumi në Greqi nuk ka ndarë vetëm popullin dhe politikanët në Greqi dhe Evropë, por edhe ekonomistët më të njohur të botës. Fituesit e çmimit Nobel në ekonomi, Xhozef Shtiglic dhe Pol Krugman do të votonin ‘’jo’’, nëse do të kishin mundësi, pasi sipas tyre në këtë mënyrë fati i Greqisë do të ishte në dorë të popullit dhe jo të kreditorëve.
 
Vota në referendumin grek ka ndarë jo vetëm popullin dhe politikanët në Greqi dhe Evropë, por edhe ekonomistët më të njohur të botës. Xhozef Shtiglic, fitues i çmimit Nobel në ekonomi, një kritik i fortë i politikës së Trojkës së kreditorëve ndaj Greqisë, ka deklaruar se në referendum do të votojnë “jo” nëse do të kishte mundësi. Por, sipas tij të dyja opsionet kanë një nivel të lartë rrezikshmërie, por sipas Shtiglic, një vote “jo” do të thoshte që e ardhmja e Greqisë do të ishte në dorë të vetë popullit grek dhe jo të kreditorëve.
 
Edhe nobelisti tjetër Pol Krugman bie dakord me fjalët e Shtiglic, por thotë se dalja e Greqisë nga eurozona nuk është diçka kaq e tmerrshme sa përshkruhet. Gjëndjen e sotme të Greqisë Krugman e përshkruan si një labirint borxhesh pa dalje.
 
Ndërkohë që ekonomisti i njohur amerikan Xhefri Sahs shpreh një mendim të kundërt me Krugman dhe Shtiglic, por thekson se Gjermania duhet të ndryshojë mënyrën e sjelljes ndaj Greqisë dhe t’i lejojë qeverisë që të gjejë një mënyrë për të kthyer borxhet. Nëse kjo do të ndodhte, sipas tij, atëherë grekët duhet të votojnë “po”, përndryshe nuk ka zgjidhje. Mes atyre që japin votën “jo” është edhe francezi Tomas Piketi, i cili kërkesat e kreditorëve i quan “zhvatje klasike”. I vetmi fitues i çmimit Nobel në ekonomi që do të votonte “po” është Kristofer Pisarides, i cili thotë se mënyra e vetme drejt rimëkëmbjes është përballimi me problemet dhe jo largimi prej tyre.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)