Profesori i nderuar Arben Puto, na dha një rast të gjithëve në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të parë të Shqipërisë zyrtare për të reflektuar seriozisht mbi të vërteta historike me vlera të padyshimta, të palëkundura e të palëkundshme. Të vërteta të cilat qëndrojnë pikërisht në themelet e asaj vepre madhështore, të asaj ngrehine që sot e shohim të përfunduar, të realizuar e përpiqemi t’ia ndreqim defektet, por që atëherë, ato ditë të trazuara të 100 viteve më parë, ishin thjesht ëndërr e ideal i atij grushti njerëzish që e bënë nga e para Shqipërinë. Në një klimë të përgjithshme të skepticizmit për këdo e për gjithçka, do të kërkoj lejen tuaj që të shpreh edhe unë disa konsiderata personale, sigurisht pa pretenduar të bëhem as historian, as revizionues i historisë, gjë që s'kam pretenduar ta bëj në mjedise të tjera e jo më sot në mes të “ustallarëve” të historishkrimit.

Më ka bërë një përshtypje të veçantë fakti që profesor Puto iu kthye kësaj vepre të tij pas gati 35 vitesh për ta ripunuar, për ta rivlesëuar e për ta përmirësuar, nën dritën e kërkimeve e burimeve të reja arkivore, por edhe në reflektim të prurjeve e koncepteve të reja metodologjike në shkencën e historiografisë.

Vepra e tij “Pavarësia shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912- 1914”, e risjellë në këtë 100 vjetor, është një dëshmi e sigurtë se historia nuk është një formulim i pandryshueshëm, por përkundrazi, është një proces zhvillimi, një pasurim i vazhdueshëm i koncepteve dhe i qëndrimeve mbi ngjarjet. Janë plot 6 arkiva të shfrytëzuara nga profesori për këtë libër, nga Tirana në Vjenë, në Paris, Romë, Londër.
Burime dokumentare e arkivore pa fund, të trajtuara e të analizuara nga një studiues që mendoj se ka pasur një përparësi të madhe në raport me fushën e studimit: ai është njohës e specialist i së drejtës ndërkombëtare.
Dhe tani ne e kemi shumë të qartë se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ishte nje akt i mirëfilltë juridik që u formulua e u shpall nga një diplomat “par exelance”, siç ishte Ismail Qemal Vlora, dhe u paraqit e u mbrojt në një terren të mirëfilltë diplomatik, mu në qendër të ndërthurjes së interesave të fuqive e shteteve shumë më të konsoliduara e më të fuqishme se Shqipëria e saposhpallur si shtet.
I nderuar profesor, më erdhi ndër mend këto ditë që pata në duar librin tuaj, një sentencë latine që ne e mësonim dikur në shkollë: “Historia magister vitae est” (Istoria magister vite est). E ka thënë Ciceroni dhe në shqip përkthehet “Historia është mësuese e jetës”.
E meqë kjo Histori e Pavarësisë së Shqipërisë për më tepër është shkruar nga një Profesor si ju, dua të ndaj disa nga mësimet që unë vetë kam nxjerrë nga ky libër.

Mësimi i parë është se “Ideali dhe misioni i lartë ngrihen mbi çdo realitet, sado kundërshtues e problematik, sado negativ e kundërvënës të jetë ai”. Etërit e pavarësisë së Shqipërisë dhe kryetari Ismail Qemali, vepruan e punuan në një terren e në një atmosferë tejet armiqësore e penguese, por gjithmonë të udhëhequr nga një ide e qartë e nga parime të qëndrueshme, siç ishte e drejta historike e shqiptarëve për të konfirmuar ekzistencën e tyre në një shtet të pavarur.

Për ta realizuar misionin e tyre, ata shkelën edhe mbi veten, mbi dallimet e mbi dasitë e tyre, por duke u orientuar nga qëllimi fisnik, ia dolën të bëhen bashkë e të merren vesh.

Mësimi i dytë është se “Fjala e marrëveshja, shoqëruar me këmbënguljen, janë formula fituese për suksesin e çdo sipërmarrjeje”.
Është tepër domethënës dhe madje është edhe burim krenarie për të gjithë ne fakti që ai të cilin ne e kemi nderuar dhe e nderojmë edhe sot si babain e Pavarësisë shqiptare, Ismail Qemali, nuk ishte ndonjë gjeneral ushtarak apo ndonjë hero luftrash, por ishte një diplomat e politikan profesionist që jo vetëm me një intuitë të shkëlqyer politike, por edhe falë shkollimit e profesionalizmit të tij, i armatosur vetëm me artin e bindjes e me forcën e fjalës, iu fut “detit më këmbë” (siç themi ne këtej nga Vlora) e mundi të bëjë realitet atë që as nuk ishte guxuar të artikulohej më parë apo të mendohej si një aspiratë e realizueshme.

Sigurisht që nuk e bëri i vetëm, sigurisht që luajti me zgjuarsi në skakierën e interesave e politikave ndërkombëtare, mes aleatësh të vendosur për ta mbështetur e armiqsh edhe më të vendosur për ta penguar. Por këto jo vetëm nuk ia zbehin vlerën veprës së tij historike, por përkundrazi e ridimensionojnë dhe e lartësojnë edhe më tej figurën e tij. Jo më kot ai ka hyrë në kujtesën e mirënjohjen popullore duke u mbiquajtur “plaku i urtë i Vlorës”.

Mësimi i tretë mendoj se është edhe më i rëndësishëm e më aktual. Ai ka të bëjë me mënyrën se si e konceptojmë dhe si e konsumojmë ne historinë. Historia nuk është një godinë e artë, mondane, në të cilën hyjnë vetëm disa njerëz të privilegjuar, gati-gati të predestinuar për të.
Jo historia është ajo që ne, ju, secili prej nesh e shkruan çdo ditë me punën dhe veprën e tij, me punën e veprën tonë në të mirë të njerëzve tanë e të vendit tonë.

Kjo duhet të na bëjë ne më të përgjegjshëm e më të vetëdijshëm se puna jonë e sotme nuk është e nuk mund të jetë vetëm për sot, por sidomos për nesër e në dobi të atyre që nesër do t'i shijojnë frutet e punës sonë.

Ismail Qemali e bashkepunëtorët e tij nuk e dinin e nuk mund ta dinin atëhere se çfarë qëmdrimi do të mbante historia e shkruar për ta e për veprën e tyre.

As nuk mund ta mendonin se do të ngjiteshin në piedestale të larta të historisë së pasur të Shqipërisë.
Dhe as që u nisën me këtë mendim. Ishte vepra e tyre që i bëri të pavdekshëm. Një vepër të cilën ata vetë as nuk e panë të realizuar dhe as e gëzuan dot.

Por jemi ne që e trashëgojmë sot një Shqipëri 100 vjeçare e që shpresojmë e punojmë që më të zhvilluar e më të përparuar tua lëmë trashëgim brezave pasardhës.

I lindur në vitin e 50 të shpalljes së Pavarësisë, unë nuk pata fatin ta jetoj me vetëdije atë stacion të gjysmëshekullit të parë të vendit tim.
Sivjet që ai mbush një shekull jetë, jam unë që tashmë kam mbushur një gjysmë shekulli. Kjo lojë shifrash më çon te mendimi se atdheu ynë është mjaft i ri në moshë. Gjysmën e viteve të tij e kam unë vetë dhe më besoni, ndjehem ende shumë i ri.
Jo vetëm kaq, por intensiteti i ngjarjeve të përmasave të mëdha që kemi përjetuar më bën të mëndoj se historia jonë moderne është mjaft e pasur, se ne jejtojmë njëherazi në një dimension aktual e në një tjetër dimension historik.

Vetëm në këto 20 e ca vite të fundit ne kemi jetuar së gjalli përmbysjen e një rregjimi politik nga më stoikët në botë, kemi parë gati shkërmoqjen tragjike të atdheut tonë, pragun e nje lufte të tmerrshme civile dhe ringritjen spektakolare të tij në shumë pak kohë.
Ne gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të gjallë të mrekullisë së lindjes së një tjetër shteti të pavarur shqiptar, të Kosovës që po afirmohet ndërkombëtarisht çdo ditë e më shumë e me të cilin mesa duket kemi lënë një takim bashkimi në stacionin e përbashkët të Evropës së bashkuar. Le të punojmë të gjithë së bashku që ta realizojmë sa më shpejt këtë ëndër të të gjithë shqiptarëve.

shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com, datë 10 nëntor
(ad.ti/shqiptarja.com)