Refleksionet e historianit dhe studiuesit të njohur: Problemi më i madh që ka pasur Enveri me gjeneral Gjin Markun, ishte se nuk formulonte një akuzë për dënimin e tij, pasi ai…

Refleksionet e historianit dhe studiuesit të njohur: Problemi më i madh që ka pasur Enveri me gjeneral Gjin Markun, ishte se nuk formulonte një akuzë për dënimin e tij, pasi ai…

Gjin Marku dhe Enver Hoxha

Gjetë Ndoj, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit  Qendror të Shtetit Shqiptar, e gjithashtu prej vitesh edhe pjesë e strukturave të politikës, (si kryetar i një partie të vogël), njëkohësisht historian, studjues dhe publicist i njohur, e autor i disa librave të karakterit historik, ndërmjet të tjerash, ka shkruar edhe një libër (monografi), kushtuar gjeneralit të njohur me origjinë nga Mirdita, Gjin Marka Toma, një prej figurave qendrorë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i cili pati një fat tragjik, pasi kaloi vite të gjata të dënimit të tij në burgun e Burelit, ku dhe ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë, në gusht të vitit 1986, pasi Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të asaj kohe, Ramiz Alia (vartës i Gjin Markut gjatë Luftës), nuk pranoi ta lironte me dekret, që ai të vdiste në shtëpi. Për më shumë lidhur me figurën e Gjin Markut, por edhe të krahinës së tij, Mirditës, e gjithashtu historisë së Shqipërisë, na njeh intervista me zotin Gjet Ndoj, që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim.

Zoti Ndoj, cili është mendimi juaj i përgjithshëm për trevën e Mirditës?

Treva e Mirditës dhe populli i kësaj treve, është vërtetë një popull që ekonomikisht mund të jetë mbrapa vendeve të tjera. Kjo ka një shpjegim, sipas fakteve që unë kam përcjellë te libri “Mirdita dhe katolikët”. Zonat katolike rreth kësaj treve, janë zonat më të veçanta të shqiptarëve në aspekt të përpjekjeve dhe të luftës për mbijetesë të vlerave themelore të kombit tonë. Kjo dëshmohet në histori, dëshmohet kur studion personalitete, kur studion Klerin Katolik, veçanërisht institucionin e Kishës Katolike, që ishte një institucion ku nuk u tha thjeshtë fjala e zotit, por aty u mbajtën vlerat më themelore të mbarë popullit shqiptar.

Aty u ruajt gjuha shqipe që është vlerë e të gjithëve. Klerikët kryen gjithashtu dhe misionin e udhëheqjes së popullit dhe racës së tyre, kundër armikut shekullor, kundër Turqisë, kundër pushtuesve. Kjo lidhet me një rrethanë historike, sepse Turqia e pushtoi Shqipërinë dhe goditi aristokracinë shqiptare. Familjet më të mëdha, kanë qenë Kastriotët, Dukagjinët, etj. Të cilat krahasoheshin me familjet fisnike të Evropës.

Pushtuesit janë përpjekur të shfarosin aristokracinë, si pjesa drejtuese e popullit, ajo u godit shumë ashpër, kush mundi shpëtoi, iku nga Himara dhe në Italinë e Jugut. Një pjesë tjetër, pranuan të islaminizoheshin. Në këto kushte, aristokracia nuk mund të ishte elita e kombit. Dhe këtë mision e morën klerikët. Arsyeja  ishte se klerikët, morën përsipër udhëheqjen e popullit të tyre.

Si është kuptuar kanuni nga të huajt, apo studiues të ndryshëm?

Ne shqiptarët duhet të pranojmë të vërtetat tona, të cilat nuk na turpërojnë, por përkundrazi duhet ta shohim me realizëm dhe të kemi guximin e mjaftueshëm, për ta thënë të vërtetën ashtu siç është. Ne jemi të nderuar para Evropës, sepse në qoftë se do të hulumtojmë shumë pak për të parë të vërtetën, ne do të dallojë thjeshtë se jemi një popull evropian. Për këtë, ne më tepër po na merr zvarrë Evropa, se sa po tregojmë që jemi evropianë, duke vazhduar nga mentaliteti, politika, dhe me institucione të tjera akademike, që varen nga shteti. Ne kemi një lloj kanuni, i cili është i rrallë ndër kombet e tjera, është një lloj kushtetute edhe shpirtërore, por dhe shtetërore në kuptimin e organizimit të këtyre vendeve që ju përmendët.

Ç’mendim keni ju për këtë?

Kur perandoria osmane filloi të kalbëzohej, filloi të rilindë një shtresë fisnike, treva siç ishte Mirdita, Miran Shuflaj, thotë: “Mirdita, Himara, Lunxhëria, qenë qelizat e para të shtet formimit të shtetit shqiptar”, kjo sepse krijuan më parë shtetin ose institucionet që i ngjajnë shtetit, të cilat kanë qenë të udhëhequra nga disa rregulla, siç ka qenë Kanuni.

Ne jemi një nga themelet e Evropës, gjuha shqipe sot është një nga dëshmitë, jo thjesht e shqiptarëve, por është dhe një dëshmi autentike evropiane, siç janë baskët, keltët. Gjuha shqipe, është e vetme në botë e mbijetuar. Përsa i përket kanunit, ne sot jetojmë në kohën e shtetit modern dhe nuk duhet të bëhet krahasimi i kanunit me shtetin, po për kohën që ka ekzistuar, ka patur vlera të jashtëzakonshme, të mbijetesës sonë.

Cilat janë ato ngjarje dhe shenja, të cilat janë ato më kryesore në tipizimin e shqiptarit?

Vlerë e rëndësishme themelore, përveç gjuhës shqipe, do të theksoj faktin se sa po hyjmë në hulumtimin e historisë sonë, ne shikojmë se kemi një histori evropiane. Shtëpia e lirisë shqiptar, tharmi i tyre është ruajtur në kishën katolike. Ne patëm një rilindje të vështirë, po më në fund shpëtuam, pavarësisht nga gjurmët që kanë lënë pushtuesit, gjurmë këto që nuk përkojnë me kulturën evropiane, pavarësisht nga kjo, ne mbetëm evropianë. E them këtë, sepse ne mbajtëm ato vlera themelore, që karakterizojnë popullin tonë.

Ruajtëm me fanatizëm gjuhën, traditën, zakonet dhe ne në fund të fundit dhe vendi jonë gjeografikisht, është në Evropë, ne jemi në atë pozicion që kemi kontribuar për Evropën dhe ajo duhet të na përkrahë për këtë fakt. Po të isha romancier, do bëja një roman interesant, është shumë frymëzues ky fakt. Ne shqiptarët, duhet të jemi krenarë dhe nuk duhet të jemi fare inferiorë para Evropës, pasi kemi kontribuar ne më shumë për ata, sesa ata për ne.

Sa vlejnë këto ngjarje, këto simbole në kohët e sotme për shoqërinë shqiptare?

Nga pasuritë më të mëdha të trashëgimisë tonë kulturore, natyrisht janë dhe simbolet, ku futen dhe heronjtë. Gjergj Kastriot Skënderbeu, është i pranuar nga të gjithë si hero, për shkak të organizimit të qëndresës, ashtu siç kemi dhe Nënë Terezën, që ka vlera humane botërore dhe për fatin tonë të mire, është pjesë e gjakut tonë. Këto vlera na japin një farë imazhi dhe na bëjnë pse jo krenarë. Natyrisht këto vlera ndikojnë në ndërgjegjen tonë, të heqin dhe komplekset që mund të ketë dikush. Shqiptarët janë të zotë të merren me shkencë, të merren me kulturë, janë të zotë të përfitojnë nga qytetërimet kanë egon dhe kurajën për të menaxhuar ekonominë, dhe lirinë.

Le të kalojmë të figura historike nga Mirdita, Gjin Marku? Në ç’konkluzion keni arritur ju për këtë figurë?

Së pari, do të doja të thosha diçka për të kaluarën e familjes së tij. Pikërisht, diku në shpatin e Malit të Skënderbeut, vargmal që e ndan territorin e kësaj treve të dëgjuar të Kthellës, me Malësinë Krujë-Tiranës, ndodhet Fushë-Molla, vendlindja e Gjin Markut. Ky fshat, është më tepër një pikë panoramike, me një pamje të mrekullueshme. Në vitin 1927, Pjetër Marku, vritet pabesisht në krye të detyrës, duke lënë katër fëmijë jetimë, dy djem e dy vajza. Më i madhi qe vetëm nëntë vjeç dhe e kishte emrin Gjin.

Gjin Marku kishte lindur më 2 qershor 1918, në fshatin Baz, në një familje me emër në atë krahinë. Kur vdes i ati i Gjinit, Pjetër Marku, miku i këtij të fundit, Hysen Selmani, si dhe byrazeri i tij Abaz Kupi, e merr Gjinin 9-vjeçar dhe e dërgon në Tiranë, atje në “Strehën Vorfnore”. Këtu Gjini, mori mësimet e para të fillores dhe arsimit 5-vjeçar. Në vitin 1932-1936, Gjin Marku mbaron shkollën e mesme Teknike “Harry Fultz”, po në Tiranë dhe më vonë në Kavajë (vetëm dy muaj), dega Bujqësi. Pas mbarimit të shkollës, emërohet agronom në rrethin e Korçës.

Po pjesëmarrja e tij në lëvizjen komuniste, kur i ka fillesat?

Sapo emërohet në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualë korçarë, dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist (1936), në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi., Nëpërmjet Koço Tashkos, vëllezërve Gaqo e Pilo Peristeri, etj. Gjin Marku, njihet dhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës.

Propaganda antifashiste kishte nisur më përpara se Shqipëria të pushtohej nga Italia më 7 prill 1939, pasi ky (fashizmi) ishte një rrezik për njerëzimin, shumë vite më parë (sidomos kur Partia e Musolinit në Itali, e sidomos kur Partia Nacional-Socialiste e Adolf Hitlerit, kishte ardhur në pushtet në Gjermani. Gjin Marku, ka qenë pjesëmarrës shumë aktiv, që në fillimet e Lëvizjes Antifashiste, e kjo duket në pjesëmarrjen e tij në demonstrata, e më vonë dhe në formimin e njësiteve e çetave partizane.

Në vitin 1940, formohet Dega e Grupit të Korçës në Tiranë, duke shënuar dhe zgjerimin e veprimtarisë antifashiste e komuniste të këtij grupi. Shumë veta kalojnë në ilegalitet, ndër to patjetër dhe Gjini. Në dokumentet e kohës, të Zyrës Mbretërore të Policisë dhe të Kuesturës Fashiste, disa nga kryesorët, si: Gjin Marku, Vasil Shanto, Mihal Duri, Gaqo Nasto, Niko Llagi, Ali Reçi, Ferit Xhajko, Kajo Karafili, etj, tregohet se ishin në ndjekje nga organet e Pushtetit Fashist të vendosur në Shqipëri, që më 7 prill të vitit 1939.

Veprimtaria antifashiste e Gjin Markut, që në vitin 1941 e në vazhdim, ka qenë intensive dhe e shumanshme. Përveç dëshmive, këtë e mësojmë dhe në dokumentet e kohës që po analizojmë, kryesisht në ato dokumente, që bëhet fjalë jo vetëm për veprimtarinë e tij, por dhe ndjekjen e vazhdueshme të tij nga karabinieria dhe regjimi fashist. Me 8 nëntor 1941, formohet Partia Komuniste Shqiptare, ku Gjin Marku, një nga themeluesit kryesorë të saj, zgjidhet një ndër shtatë anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor, të Partisë Komuniste Shqiptare.

Një rol të rëndësishëm Gjin Marku ka luajtur në organizimin e lëvizjes komuniste në Pezë. Si qëndron e vërteta?

Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare u zgjodh Komiteti Qendror Provizor i cili kishte si detyrë parësore organizimin e Partisë në gjithë vendin, për të luajtur rolin e saj në organizimin e luftës antifashiste. Në këtë kuptim u përcaktua si përparësi formimi i organizatave bazë të PKSH, veçanërisht pranë çetave territoriale që kishin filluar të krijoheshin në këtë kohë. Premisat për ta bërë një gjë të tillë, siç e përmendëm pak më lart, për të formuar një organizatë partie qenë krijuar në Pezë.

Përveç kësaj, ky organizim kishte një rëndësi të posaçme edhe se Peza, ishte një zonë e përshtatshme për të qenë një bazë shumë e rëndësishme e veprimtarisë antifashiste, të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare. Kështu ndodhi. Komiteti Qendror Provizor, ngarkoi Gjin Markun, për të ndjekur dhe drejtuar këtë mbledhje themeluese në Pezë, pranë Çetës së saj. Në këtë mbledhje morën pjesë 8 luftëtarë të kësaj çete, si: Vasil Shanto, Mihal Duri, Ferit Xhajko, Pandi Nashi, Baki Staria, Loni Grazhdani, Qazim Prishtina dhe Zoi Themeli, me në krye të deleguarin e PKSH-së, Gjin Markun.

Si e kujtojnë bashkëluftëtarët e Çetës së Pezës, Gjin Markun?

Ish-luftëtari i kësaj çete, Sali Verdha, kujton se i ishte bërë qejfi kur kishte parë ish-shokun e shkollës “Harri Fultz” Gjinin, si i deleguar i PKSH-së në Pezë. Verdha tregon se; mbledhja vazhdoi debatet dhe punën për dy ditë. Në fillim, propozimi për sekretar të organizatës, u propozua Vasil Shanto. Ky propozim u hodh poshtë nga Gjini, duke sqaruar se Vasili, ishte më i madh se sekretar organizate, pasi ishte Komisari i kësaj Çete.

Pas kësaj ndërhyrje, u propozua Mihal Duri si Sekretar dhe u miratua njëzëri nga pjesëmarrësit, zv/sekretar u zgjodh Pandi Nashi. Më vonë, kjo organizatë u rrit me shpejtësi, ndërsa Komandanti Myslim Peza, u bë komunisti i vetëm i kësaj çete, pas çlirimit. Kështu u formua organizata e parë e PKSH-së në Shqipëri dhe fati ose diçka tjetër, deshi që të ishte Gjin Marku, përfaqësues i Komitetit Qendror Provizor të PKSH-së.

Si i shërbeu Gjin Markut përvoja e Pezës, për t’u hedhur gjetiu në luftë?

Pas transformimit të Çetës së Pezës, në një çetë partizane, ajo u kthye në një bazë shumë të rëndësishme të luftës Nacionalçlirimtare. Për këtë, Sali Verdha kujton: “Edhe unë u bëra pas dy muajsh komunist. Të gjithë drejtuesit kryesorë të PKSH-së, jo vetëm vinin në Pezë për të dhënë orientime e për të bërë plane, por këtu në Pezë, ata vinin edhe për të mësuar artin ushtarak, Gjini i njihte të gjithë luftëtarët e çetës së Pezës, Komandantin Myslim Peza, por mikun më të ngushtë, ka patur Mihal Durin”.

Një veprimtari të gjerë Gjini, ka edhe në Qarkun e Beratit. A mund të na thoni diçka për këtë?

Në dhjetor të vitit 1941, caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e atdheut. Kjo veprimtari organizative e luftës kryengritëse antifashiste e Gjin Markut, përfshin në fillim territoret e Lushnjës, Fierit, Mallakastrës, Beratit e, deri në Skrapar e më gjerë. Kur erdhi në Berat, Gjini u takua fillimisht me Kristo Isakun dhe me dy arsimtar nga Skrapari; Nuro Dobrusha dhe Tajar Grepcka. Takimi me ta ishte i rëndësishëm pasi nëpërmjet tyre, Gjin Marku u njoh me situatën dhe u orientua shumë shpejt në të.

Këta e njohën që në fillim Gjin Markun, me çetën e Mestan Ujanikut, një çetë territoriale kaçakësh kjo, deri në fillim të vitin 1942. Që në bisedën e pare, që bënte fjalë për transformimin e çetës nga territoriale në një çetë me program antifashist, komandant Mestani, e shikoi me shumë simpati Gjin Markun, për frymën antifashiste dhe atdhetare që manifestonte dhe sidomos për shkak të një mënyre komunikimi shumë interesante, që kishte i ngarkuari nga Qendra. Me formën e re që mori çeta, me flamur në dorë shëtitën në shumë fshatra të Skraparit.

Gjatë këtyre lëvizjeve, Gjin Marku përcillte mesazhe antifashiste e patriotike, ndërsa mënyra e komunikimit, tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e atij populli trim e bujar. Skënder Malindi, për këtë lidhje shumë të çuditshme të Gjinit, me popullin e Skraparit, shprehet: “Kjo ndër të tjera ndodhi, edhe pse dy trevat; Skrapari e Mirdita, ngjasojnë në shumë gjëra, zakone e tradita me njëra-tjetrën. Për një kohë shumë të shkurtër, Gjini fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe në këtë kuptim, fjala e tij ishte ligj”.

Ky autoritet dhe gatishmëria e atij populli për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe udhëzimeve antifashiste të Gjin Markut, organizimi i njësive luftarake antifashiste etj., përbënin tashmë një shqetësim, jo vetëm për komandot e njësitë ushtarake fashiste në Çorovodë e Berat, por një shqetësim serioz, për autoritetet fashiste italiane, deri në Tiranë. Veprimtaria organizuese, me frymë dhe karakter antifashist e Gjin Markut, u shtri jo vetëm në Qarkun e Beratit, (që përfshinte zonën nga Skrapari e deri në Lushnjë- Fier-Mallakastër), por dhe jashtë tij si: në Vlorë, Tiranë, etj. Këtë veprimtari e faktojnë edhe dokumentet e asaj kohe.

Si ishin marrëdhëniet e Gjin Markut me “Ballin Kombëtar”?

Në vitin 1942, Skrapari bëhet vendi ku lindi e u frymëzua “Lëvizja Balliste”. Frymëzuesit e kësaj lëvizje, ishin intelektualë skraparllinj, si: Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani etj. Megjithëse skraparllinjtë – tregon Skënder Malindi-, nuk mundën asnjëherë të kishin influencën e Gjin Markut. Ndoshta kjo edhe për arsye se “Balli” u krijua, kur misioni që kishin skraparllinjtë me Gjin Markun, për lirinë e vendit në luftën kundër fashizmit, kishte nisur dhe ishte e pamundur të mbetej në gjysmën e rrugës. Nga ana tjetër, siç e pohojnë bashkëkohësit veteranë të Luftës, na rezulton se një nga meritat e mëdha të Gjin Markut, është se; Ai nuk e shfrytëzoi asnjëherë fuqinë e tij, për të djegur e për të vrarë kundërshtarët e tij ballistë, etj.

Kjo qe pikërisht, pika më e fortë e tij, ç’ka e bënte atë të ishte njeriu më influent, jo vetëm në Skrapar, por edhe në Berat, Përmet, Mallakastër, Fier, Lushnje, etj.Në pranverë të vitit 1943, krerët ballistë, Abaz Ermenji dhe Muharrem Kapllani, i propozuan Gjinit, organizimin e një aksioni të përbashkët (“Ballisto-Partizan”), për çlirimin e Beratit. U ra dakord, por në momentin kur ballistët ngulën këmbë që në shtabin drejtues të këtij operacioni, do të kishte tre ballistë dhe vetëm një partizan, Gjin Marku e hodhi poshtë këtë projekt, që mbeti vetëm në letër.

Arsyeja kryesore, lidhej me faktin se raporti i forcave, ishte krejt tjetër në terren, në mënyrë të pakrahasueshme dhe në favor të forcave partizane, të udhëhequra nga Gjini. Po kështu, kundërshtimi lidhej dhe me faktin tjetër, se në rast fitoreje, ‘Balli’ kërkonte të përfitonte në kurriz të forcave partizane, kredibilitetin e udhëheqjes së “Luftës”, kur në terren, kishin pak forca. Megjithatë ballistët, provuan të nisnin një aksion, i cili dështoi, pothuajse pa nisur.

Dhe si shpërblim për gjithë këto energji, ideale dhe përkushtim që i kushtoi komunizmit, Gjin Marku, “u shpërblye” me vdekje, në mungesë. Si ndodhi?

Pas çlirimit, Gjinit i dhanë disa dekorata e grada, por duke u trajtuar më pak se disa të tjerë, që për nga kontributi i tyre në Luftë, ishin shumë larg Gjin Markut. Kuvendi Popullor, në vitet e para të pas çlirimit, e pati dekoruar me Urdhrin “Medalja e Kujtimit”, me Urdhrin tjetër “Medalja e Çlirimit”, etj., por asnjëherë me medaljen “Hero i Popullit”, që e patën përfituar disa drejtues të Luftës Nacional Çlirimtare. Deri në vitin 1948, Gjini kishte vazhduar Akademinë Superiore “Voroshollov” në Moskë dhe njëkohësisht ishte atasheu ushtarak, pranë Ambasadës tonë në Bashkimin Sovjetik. Me debatet që bëri Gjini në Kongresin Parë të PKSh-së, me Enverin, nuk u lejua të vazhdonte më në Moskë.

Në vitin 1949, kur u dhanë gradat, ku me gradën e gjeneralit, u graduan disa, ndër to dhe Gjini. Pas Kongresit I-rë të PKSh-së, (që në këtë Kongres mori emrin Partia e Punës e Shqipërisë, PPSH-ja), u dhanë postet kryesore të Pushtetit të Komunist. Caktimi i gjeneral Gjin Markut, në detyrën e Komandantit të Artilerisë, në vitin 1948 dhe në vitet 1951-1953, Komandant i Shkollës së Bashkuar, e shprehte qartë tendencën për ta spostuar gradualisht, ish-udhëheqësin dhe ish-komandantin e famshëm të Luftës. Më tej koha na ndihmon, ta shohim më qartë këtë tendencë.

Në vitin 1953-1955, Gjin Marku, emërohet Komandant Korpusit Ushtarak të Elbasanit. Në vitin 1955, kthehet nga Elbasani në Tiranë, për t’u emëruar në detyrën e Komandantit të Komandës Lokale Kundër- Ajrore, detyrë të cilën Gjini, e mban deri në vitin 1961. Në fillim kjo Komandë, që në vartësinë e Ministrisë së Brendshme dhe vazhdoi edhe dy muaj të tjerë, kur shkoi këtu Gjini. Më vonë kjo Komandë, u bë pjesë e Ministrisë Mbrojtjes. Gjini gjatë kësaj periudhe, e kishte zyrën jashtë godinës së Ministrisë, diku pranë ish Hotel “Internacional”, një zyrë shumë e thjeshtë dhe pa ndonjë rëndësi të madhe.

Në korrik të vitit 1961, Gjin Marku, shkarkohet edhe nga kjo detyrë, për t’u emëruar Drejtor i Fermës Llakatundit, në rrethin e Vlorës, ku punoi deri në prill të vitin 1963. Problemi më i madh që ka patur Enveri për Gjin Markun, ka qenë gjithmonë fakti, se ishte shumë e vështirë, të formulonte një akuzë për të. Gjini ishte kaq i njohur si patriot dhe komunist njëkohësisht, çka përbënte një problem për ta dënuar atë.

Megjithatë u krijuan struktura nga ish-Sigurimi i Shtetit, jo vetëm për ta survejuar hap pas hapi atë, por dhe për ta denigruar, nëpërmjet shpifjeve, inskenimeve e kombinacioneve të pafundme, duke u futur deri në jetën e tij familjare. Dënimi i Gjinit, dukej se ishte detyrë që duhej kryer me çdo kusht dhe kështu ndodhi.

Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, duhej edhe burgosja e Gjin Markut…?!

Po. Saktë. Në këtë situatë të vështirë, në prill të vitit 1963, Gjin Markun e internojnë në Zvërnec të Vlorës, internim që zgjati deri në vitin 1967. Në këtë kohë, bashkëshorten Natali Marku, bashkë me të katër fëmijët, e ndajnë nga Gjini, duke i internuar në Kënetën e Hoxharës, në Fier. Kështu internimi i Zvërnecit, nuk qe një internim, por një burg i vërtetë. Këtu Gjini u takua ndër të tjerë dhe me disa shokë të Luftës, që vuanin dhe ata të njëjtën gjë, si: Kasem Trebeshinën, Pëllumb Dishnicën, (të cilin Gjini e pati vlerësuar qëndrimin e tij këtu si shumë dinjitoz), Maqo Çomon, Xhavit Qesjen, etj.

Vetëm pas 4 vjet përpjekje të Sigurimit të Shtetit, arriti të montohej një akuzë për Gjin Markun, ajo e “Agjitacion-Propagandës”, kundër Partisë e Pushtetit Popullor, duke e dënuar me 10 vjet burg. Kështu Gjin Marku, u dënua për herë të tretë nga Diktatura Enveriste. Në vitin 1986, Gjini vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Kishte edhe një vit sipas llogarisë, për të vuajtur në burg.

Në raportin mjekësorë qe përcaktuar qartë, se sëmundja e tij qe e pashërueshme. Mbi këtë bazë familja e Gjinit, bëri një kërkesë-lutje, për ta nxjerr para kohe nga burgu, me qëllim që të paktën të vdiste në shtëpi. Kjo kërkesë nuk mori përgjigje pozitive. Pasi sëmundja e rëndoi shumë, Gjinin, në maj 1986, e dërguan në spitalin e burgut në Tiranë, ku ndërron jetë, më gjashtë gusht 1986. Ndoshta ky qe i vetmi shpëtim, për Gjin Markun.

Po ndonjë detaj të veçantë nga jeta e Gjin Markut, apo familjes së tij?

Në vitin 1945, u bë njohja dhe Gjini bën fejesën me Natalin. Në vitin 1947, u bë martesa dhe zoti i fali këtij çifti të mrekullueshëm, katër fëmijë, dy vajza e dy djem, përkatësisht: Svetllanën (31 tetor 1948), Aleksandrin (më 1950), pastaj vjen Rita në 1952 dhe i fundit lindi Kastrioti, në vitin 1954. Që në vitin 1963, kur Gjini internohet në Zvërnec, bashkëshortja Natali dhe të katër fëmijët, internohen në Fier, në Hoxharë, duke i ndarë për së gjalli nga babai i tyre.

Fillojnë dhe ata një kalvar vuajtjesh që s’ka fund. Natyrisht që në fillim ata vuajnë, ndonëse arsyen e persekutimit i mësojnë më vonë, kur rriten. Dhimbje, mall për babanë e tyre, diskriminimi në shoqëri, përndjekja sistematike nga Sigurimi i Shtetit, varfëria ekonomike, humbja e së drejtës për t’u arsimuar etj., janë disa nga komponentët e kësaj dhimbje tragjike. Jo vetëm kaq, por njëri prej djemve, Aleksandri, bëri dhe ai pesë vjet burg politik, vetëm se kishte babain e tij “armik të popullit”. Pas vitit 1990, Aleksandri figuron i humbur dhe akoma s’dihet saktësisht fati i tij, as nga familja dhe as nga institucionet zyrtare shtetërore…! Memorie.al

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë