Një ditë pas votimit të rezolutës në Kuvendin e Shqipërisë me 100 vota kundër dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe nisjes së procedurave për shkarkimin e tij, kreu i shtetit Ilir Meta duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse ka reflektuar, sikur i bëri thirrje kryeministri Edi Rama, u shpreh se Presidenti është i Republikës dhe Republika e qytetarëve. Ai e cilësoi parlamentin jo legjitim, ndërsa tha se po mban shënim të gjitha institucionet që nuk zbatojnë dekretin e tij për anulimin e 30 Qershorit.

"Presidenti është zgjedhur nga parlamenti, natyrisht jo nga ky, por një plotësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika u takon vetëm qytetarëve. Besoj se jam shumë i qartë. Dekreti është në fuqi i detyrueshëm për të gjithë, Presidenti mban shënim të gjitha institucionet që shkelin ligjin" tha ai. Meta kishte edhe një paralajmërim për të gjitha institucionet që nuk zbatojnë dekretin e tij, përfshirë këtu KQZ-në, që e ka injoruar.  "Presidenti ka drejtë të bëjë thirrje për reflektim, ata që e ecin në rrugën e paligjshëmrisë do të kenë të gjitha pasojat që provokojnë paqen sociale në vend dhe stabilitetin demokratik në vend" deklaroi ai.

Por a do të pranojë Presidenti vendimet e Kolegjit nëse e rrëzon dekretin? "Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit që nuk ekziston, Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, përkundrazi ftoj për të izoluar cdo të çmendur i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme". Në fund, i pyetur për një datë të re zgjedhjesh dhe nëse do të thërrasë për konsultime kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së, Basha, Meta u përgjigj duke thënë se 'Data e re e zgjedhjeve? Sa më parë të jetë e mundur, po punojmë me shumë qetësi dhe përgjegjësi. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi vetëm ato sigurojnë celjen e shpejtë të negociatave. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë le të vijojë" përfundoi ai.

Shumica dje miratoi rezolutën me 100 vota kundër Presidentit ku radhiteshin argumentet pse dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte antikushtetues, dhe ku shprehej bindja se zgjedhjet do të mbahen në këtë datë. Me këtë votim, mazhoranca e kaloi testin politik. 94 votat që nevojiten për të shkarkuar presidentin Ilir Meta janë të sigurta. Ndërsa po ditën e djeshme, Partia Socialiste mblodhi 55 firma për të kërkuar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.  Për të nisur procedurat e shkarkimit mjaftojnë 35 firma që kërkesa të depozitohet në parlament, por PS-ja ka mbledhur 55, mes të cilëve mësohet se janë edhe deputetë nga opozita e re.

Prononcimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta
 Zoti President, e keni lexuar këtë rezolutën e shumicës? 100 vota kundër jush zoti President, keni reflektuar?
Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim. Presidenti i përket Republikës. Republika u përket qytetarëve.

Datën e re të zgjedhjeve kur do e keni? Dhe kur do ta thërrisni zotin Rama dhe zotin Basha në takim?
Sa më parë që të jetë e mundur. Po punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin.

Zoti President, ndërkohë që dekreti juaj pritet të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor, a do të pranojë Presidenti i Republikës çdo vendimmarrje, cilado qoftë ajo të Kolegjit Zgjedhor?
Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit, që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet.

Përkundrazi, i fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë Ditë të Dhurimit të Gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për në Bashkimin Europian, që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve.

Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë! Është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim.

Zoti President, çfarë pasojash do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë?
Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend.