Kryeministri Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj shpërndanë pensionet e para me reformën e re, e cila ka si risi kryesore rritjen e masës së përfitimit të pensionit mbi tavanin 240 mijë lek, por edhe vendosjen e një pensioni social (67.000 lek) për 70- vjeçarët që nuk kanë plotësuar vitet minimale të punës dhe me ligjin e vjetër nuk përfitonin asnjë qindarkë.
Agim Pineti ishte qytetari i parë që sot mori pensionin me reformën e re dhe mbi tavan. Me ligjin e ri, i cili ka hyrë në fuqi në 1 janar 2015, ai përfitoi 271 mijë lekë si pension, në një kohë kur me ligjin e vjetër do të kishte marrë vetëm 240 mijë lek; pra, 31 mijë lek më shumë.
Po ashtu, sot Rama dhe Veliaj shpërndanë për herë të parë edhe pensionin e parë social për të ëmën e viktimës së 21 janarit, Hekuran Deda, si dhe pensionin e minatorit për Durim Killon, i cili me ligjin e ri përfitoi 80 mijë lek më shumë.
"Sot jam shumë i lumtur që teksa lidhim pensionet e para sipas skemës së re, ia kemi dalë mbanë të ravijëzojmë një reformë që mundëson rritjen e pensioneve për të gjitha fashat e pagave, pa rritur normën e kontributit dhe madje edhe duke ulur deficitin. Formula e re e llogaritjes e cila masën e pensionit mujor e llogarit si pension social plus 1% për çdo vit pune nuk aplikon më asnjë pension tavan dhe rrjedhimisht pensioni varet tashmë vetëm nga vitet e siguruara dhe paga mbi të cilën janë paguar kontributet. Kjo masë e forcon lidhjen mes kontributeve dhe benefiteve dhe, e shprehur në një gjuhë popullore, i kthen hakën të zotit”, deklaroi ministri Veliaj.
Sipas tij, reforma nuk ndryshon as normën e kontributit. Ajo do të vazhdojë të jetë 24.5% e pagës, nga e cila 9.5% paguhet nga punëmarrësi dhe 15% nga punëdhënësi.
Sakaq,kryeministri edhe njëherë kritikoi qëndrimin e e opozitës, duke sqaruar se me hyrjen e skemës së re të pensioneve në Janar 2015, nuk ka asnjë rritje të moshës së pensioneve dhe efektet e kësaj reforme mjaft të rëndësishme do të fillojnë të ndihen duke filluar nga vitit 2030.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)