Reforma, lëvizen 200 efektivë të
Gardës,radhën e ka 'grupi i zjarrit'

Reforma, lëvizen 200 efektivë të<br />Gardës,radhën e ka 'grupi i zjarrit'
TIRANE- Më shumës se 200 efektivë dhe oficerë të Gardës së Republikës janë projektuar të transferohen nga një funksion në tjetrin, lëvizje të cilat kanë nisur që prej dy ditësh. Pavarësisht se kjo strukturë është paralajmëruar se brenda 100 ditësh do të shkrihet dhe të kalojë në varësi të Policisë së Shtetit, lëvizjet kanë nisur menjëherë pas emërimit të Gramoz Sakos për ristrukturimin e Gardës së Republikës.

Lëvizjet e para kanë nisur pothuajse në të gjitha njësitë e Gardës së Republikës, ku fillimisht kanë nisur transferimet tek ata, të cilët mbrojnë kryeministrinë dhe te shërbimet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë. Burime të sigurta nga Garda e Republikës bëjnë të ditur se disa efektivë janë lëvizur nga Drejtoria e Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, të cilët merreshin me sigurinë e ish-kryeministrit, të kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. Sa i përket shërbimit pranë kryeministrisë mësohet se ata janë transferuar në Njësinë nr. 1 të Gardës së Republikës, e cila merret me ruajtjen e Presidentit, banesës së tij dhe objekte të tjera në përdorim të këtij personaliteti.

Gjithashtu, lëvizje të tjera janë kryer nga kjo drejtori për në njësitë 2 dhe 3. Ata i përkasin grupit që merret me sigurinë brenda Kuvendit të Shqipërisë, të cilët janë transferuar në detyra të tjera. Por, këto lëvizje, ku brenda pak ditëve janë projektuar të kryhen 200 të tilla, kanë prekur pothuajse të gjitha strukturat e Gardës së Republikës. Kryesisht, këto zëvendësime janë bërë me efektivë që vijnë nga Njësia nr. 4, të cilët merren me sigurinë e pikave autonome jashtë Tiranës dhe me ruajtjen e sigurinë e selisë qendrore të Gardës së Republikës.

Sipas informacioneve të mbledhura mësohet se fillimisht do të zëvendësohen pothuajse të gjithë efektivët e Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, ndërkohë që pas tyre radha i vjen Kompanisë Operative, ose siç njihet ndryshe “grupi i zjarrit”. Kjo kompani pritet të shkrihet e gjitha dhe shumica e efektivëve të dalin në reformë për shkak të mbështetjeve abuzive që efektivët e saj kanë bërë për gjyqin e vrasjeve të 21 janarit. Pas gradave të vogla, kjo reformë do të prekë edhe oficerët, ndërkohë që gjithçka pritet të realizohet brenda 100 ditëve, para se ajo të kalojë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
 
Shkrimi u publikua sot (04.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik