Ajo çfarë po ndodh me reformën në drejtësi ishte mëse e pritshme. Rezistenca e politikës ishte gjëja më e natyrshme në një vend ku politika e zhytur në korrupsion padyshim që nuk do ta mirëpriste një nismë që synon në radhë të parë të godasë atë vetë. Nëse nuk do të kishte qenë për faktorin ndërkombëtar reforma në drejtësi nuk do të kishte nisur asnjëherë nga vetë aktorët tanë politikë. Nëse dëgjon politikanët tanë e kupton se ata nuk kanë realisht vullnet për të luftuar korrupsionin pavarësisht retorikës së tyre. Nga njëra anë deklarohen të gjithë pro reformës dhe luftës ndaj korrupsionit por ku i pyet konkretisht mohojnë që ka ministra apo ish ministra të korruptuar.
 
Kështu ndodh me kryeministrin Rama që thotë se nuk ka ministra të korruptuar në qeverinë ë tij . Kështu thotë dhe dyshja Basha-Berisha që nuk pranon korrupsionin në qeverinë e kaluar. Edhe kryetari I LSI Ilir Meta nuk e pranon korrupsionin në radhët e ministrave të tij gjatë gjithë viteve që ata kanë drejtuar ministri të ndryshme. Ndërkohë realiteti është krejt ndryshe dhe këtë na e konfirmojnë miqtë tanë ndërkombëtarë. Vetëm pak javë më parë ambasadori amerikan Donald Lu do të deklaronte se ka ministra dhe ish ministra të korruptuar, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Dhe padyshim deklarata e ambasadorit nuk bazohet mbi perceptime por mbi informacione që shpesh herë selitë diplomatike kanë më shumë se ne për zyrtarët dhe politikanët tanë. 

Ajo që po ndodh aktualisht është se tre partitë kryesore PS, LSI edhe PD kanë dalë hapur me draftet e tyre për reformën në drejtësi. Drafti i PS nëpërmjet ekspertëve të shumicës , drafti i LSI-së nëpërmjet ekspertëve të ministrisë së drejtësisë që drejtohet nga nënkryetari i kësaj partie Ylli Manjani dhe drafti i ekspertëve të PD. Sa më shumë drafte të paraqiten aq më pak serioze bëhet reforma jo vetëm në sy të publikut por edhe në sy të ndërkombëtarëve, të cilët kanë rinisur sërish kontaktet për ti bindur dhe ribindur palët për domosdoshmërinë e reformës. Deri tani diskutimi për reformën në drejtësi ka arritur vetëm një gjë , të kristalizojë qartë tre palët e politikës shqiptarë. Ndryshe nga reformat e tjera shumë të rëndësishme si ajo territoriale përshembull, ku shumica qeverisëse ka qenë një palë pavarësisht bojkotit të PD, sot reforma në drejtësi ka arritur të nxjerrë në dritë dy palët brenda kësaj mazhorance.
 
Janë dy palë me drafte të ndryshme, qëllime të ndryshme dhe lëvizje taktike të ndryshme. Dalja me 2 drafte tregon mungesën e besimit që PS dhe LSI kanë ndaj njëra tjetrës dhe pasojave që mund të ketë reforma në të ardhmen. Nga ana tjetër Rama dhe Meta e dinë shumë mirë që kanë nevojë për njëri tjetrin jo vetëm për reformën por edhe për të ardhmen e tyre politike dhe për këtë arsye secila palë luan kartat e saj . Deri ku do të shkojë kjo lojë apo kjo betejë brenda llojit mbetet për të parë , por ajo që mund të thuhet sot është se mënyra sesi do të realizohet reforma në drejtësi do të kushtëzojë qartësisht koalicionin PS-LSI në të ardhmen.

Dhe dy fjalë për palën e tretë në këtë histori , PD dhe ish-lideri i saj Sali Berisha .
 
Si përherë politikani i vjetër Berisha pret zhvillimet brenda së majtës për të zhvilluar më tej diversionin e tij mes dy liderëve Rama dhe Meta. Në të kaluarën ia ka arritur me sukses, po sot? Do varet sërish nga dyshja Rama-Meta…