Bashkëshortja e ish kryeministrit të Anglisë, laburistit Tony Blair, zonja Cherie Blair ka dhënë gjykimin e saj për reformën në drejtësi, duke vënë theksin tek fakti se ndryshimet janë mëse të nevojshme, në kushtet kur shumica dërrmuese e popullsisë thotë në një zë se drejtesia eshte e korruptuar. Drejtuesja e zyrës ligjore të konsulencës Omnia Strategy, zonja Blair theksoi se duhet po ashtu një vëmendje e veçantë mbi imunitetin që gëzojnë shumë zyrtarë të lartë në aparatin shtetëror.


Reforma në sistemin e drejtësisë do të duhet të jetë rrënjësore dhe si e tillë ka përfshirë një sërë palët në proces. E ftuar në tryezën e ekspertëve të nivelit të lartë për këtë çështje, Bashkëshortja e Ish kryeministrit Britanik Tony Blair, zonja Cherie Blair tha se reforma gjyqësorit është bërë e pashmangshme, në kushtet kur 90% e popullsisë, mendon se në vend nuk ka drejtësi.
Cherie Blair, me profesionin e juristes dhe drejtueses së firmës së konsulencës legale Omnia Strategy, tha se problemi i imunitetit mes zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve mbetet një çështje së cilës i duhet dhënë shumë rëndësi.

Cherie Blair ka sugjeruar që për të minimizuar dhe shmangur sa më shumë korrupsionin në drejtësi, sistemi gjyqësor në të gjithë suazën e bazës së të dhënave duhet të digjitalizohet dhe të informatizohet në një kohë sa më të shpejtë. Zonja Blair ka pasur takime edhe me ministrin e Drejtësisë, z Naco, si dhe me disa gra deputete gjatë ardhjes së saj në kryeqytet.

"Arsyeja se pse ne te gjithë mendojmë se kjo reformë është e rëndësishme, është sepse, pikë së pari, më shumë se 90% e shqiptarëve mendojnë se ata nuk marrin drejtësi nga sistemi i tyre gjyqësor. Kjo është plotësisht e papranueshme për çfarëdo lloj shteti. Por sigurisht që pavarësia e gjyqësorit, nuk do të thotë të kesh imunitet të plotë gjyqësor. Unë jam në dijeni se në vendin tuaj, çështja e imunitetit është mjaft e madhe, qoftë kjo kur bëhet fjalë për imunitetin e disa zyrtarëve të lartë në vend, apo për ato të disa gjyqtarëve."- tha Blair.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)