TIRANE - Ndonëse deri më tani Prokurori i Përgjithshëm është zgjedhur me shumicë të thjeshtë Ministria e Drejtësisë propozon që ai të zgjidhet me shumicë të cilësuar, kjo në kuadër të propozimeve për reformën në drejtësi.

Ky ndryshim pasqyrohet në dokumentin analitik të Ministrisë së Drejtësisë që televizioni A1 Report disponon.

Sipas këtij dokumenti bëhet me dije se polarizimi i vazhdueshëm politik ka ndikuar negativisht në punën e Prokurorit të Përgjithshëm madje merret si shembull edhe rasti i ngjarjes së 21 janarit e për këtë arsye kërkohet që të merren masa. Duket se perceptimi i Ministrisë së Drejtësisë për kreun e organit të akuzës është se ka centralizuar të gjithë këtë institucion. 

Polarizimi i vazhdueshëm politik në shqipëri ka ndikuar negativisht në punën e prokurorit të përgjithshëm në të afërtën e shkuar, ku do të përfshihej edhe hetimi i ngjarjeve të 21 janarit 2011 në Tiranë. Mbështetur edhe në opinionin e Komisionit të Venecias, propozohet që do të ishte pozitive që të kërkohej një shumicë e cilësuar për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm duke e parë kështu si një mekanizëm për të promovuar konsensusin politik dhe për të shmangur rrezikun e politizimit në emërimin e tij ,” - thuhet në dokumentin analitik të Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshimet e propozuara i kufizojnë Kryeprokurorit disa kompetenca për shembull sipas dokumentit analitik propozohet që roli I këshillit të prokurorisë I cili deri më tani ka vetëm rol këshillimor të kthehet në një këshill që mund të marrë vendime i ngjashëm me KLD për gjyqtarët . 

Paraqitet e rëndësishme forcimi i rolit të këshillit të prokurorisë duke shmangur rolin këshillimor dhe duke e kthyer në një mekanizëm që garanton karrierën dhe profesionalizmin e prokurorëve , si dhe duke e kthyer në një mekanizëm që të mbulojë çështjet e disiplinimit të prokurorëve. Roli i këshillit të prokurorisë duhet riparë në një kohë kur prokuroria e përgjithshme është centralizuar, roli I këshillit duket të jetë thjesht formal , “një lule e bukur që rrethon kryeprokurorin”, ndërkohë që Kryeprokurori është tepër I fortë”. Vendimet për emërimin e , avancimin dhe transferimin e prokurorëve merren vetëm nga Prokurori I Përgjithshëm. Roli I Këshillit të Prokurorëve është vetëm këshillues,” thuhet ne dokumentin analitik të Ministrisë së Drejtësisë.

Referuar ndarjes së re territoriale Ministria e Drejtësisë propozon se është e nevojshme të rishikohet edhe organizimi i Prokurorisë por ndoshta edhe ai i gjykatave. Po ashtu edhe prokurorive më të ulta duhet t’u jepen kompetenca më të gjera .

dokumenti
PDF - Dokumenti analitik i Ministrise se Drejtesise

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)