Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, u zotua të nisë hetime mbi akuzat për abuzime sistemike në sistemin e drejtësisë, pas një takimi me gjyqtarë dhe prokurorë, duke deklaruar se integriteti i gjyqësorit është vënë seriozisht në pikëpyetje.
Sipas kreut të shtetit, qindra magjistratë kanë përshkruar një klimë frike dhe ndikimi të padrejtë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, institucioni më i lartë mbikëqyrës i drejtësisë në Rumani, i cili akuzohet se vepron në interes të një grupi të caktuar dhe jo të publikut.
“Situata është serioze, sepse ekziston një dyshim i fortë mbi integritetin e sistemit gjyqësor,” deklaroi presidenti, duke shtuar se pretendimet do të hetohen.
Ai theksoi se përfundimi kryesor i takimit ishte se një kategori magjistratësh, përfshirë kryetarë gjykatash, “nuk veprojnë në interes të publikut, por në interes të një grupi”.
Takimi u zhvillua pas një ftese të hapur të presidentit drejtuar anëtarëve të sistemit të drejtësisë për të paraqitur ankesa, pasi ai deklaroi se kishte marrë rreth 2 mijë faqe dokumente që përshkruajnë probleme serioze integriteti që kërkojnë hetim dhe veprime të mëtejshme.
Edhe pse presidenti i Rumanisë ka të drejtën të emërojë kryetarë gjykatash dhe prokurorë dhe të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ai nuk ka kompetenca ligjore për t’i shkarkuar ata.
Ndërkohë, ligjvënës të ekstremit të djathtë e kanë akuzuar Danin, i cili vjen nga qendra politike, për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe kanë kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.
Akuzat për abuzime në drejtësi erdhën pasi media investigative Recorder publikoi një dokumentar që pretendon se kryetarë gjykatash shfrytëzojnë boshllëqe ligjore për praktika joetike, përfshirë vendime të dyshimta pafajësie.
Në fillim të dhjetorit, mijëra qytetarë protestuan në Bukuresht dhe në qytete të tjera të Rumanisë kundër abuzimeve të pretenduara në sistemin e drejtësisë.
Rumania konsiderohet një nga vendet më të korruptuara të Bashkimit Europian. Bashkimi Europian e mbajti sistemin e saj të drejtësisë nën monitorim të posaçëm që nga anëtarësimi në vitin 2007, deri në heqjen e këtij mekanizmi në vitin 2023. Që prej asaj kohe, ritmi i hetimeve kundër korrupsionit është ngadalësuar ndjeshëm.
Komente












