Kur afatet kohore për ngritjen e strukturave të reja në sistemin e drejtësisë po shkojnë në limitet e tyre, janë oficerët e policisë gjyqësore të cilët me anë të një shkrese drejtuar komisionit të ligjeve kërkojnë ndryshimin e 17 neneve në ligjin për “Policinë Gjyqësore”.

Siç dhe shihni në propozimet e strukturës së OPGj siguruar nga Report Tv ata kërkojnë që në këtë shërbim sëpari të jetë taksative që personat që bëhen oficerë të policisë gjyqësore të kenë mbaruar arsimin e lartë juridik.
 
Neni 30 është dhe thembra e Akilit përsa i përket ndryshimeve të propozuara nga kjo njësi, pasi siç dhe shihni ata shprehen “Në pikën 2 është përcaktuar se drejtuesi i grupit hetimor caktohet oficeri i policise gjyqësore të Policisë së Shtetit.

Një përcaktim i tillë duhet hequr pasi grupi hetimor drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori dhe ai është autoriteti i cili cakton drejtuesin e grupit hetimor. (kjo është e përcaktuar qartë në Kodin e Proçedurës Penale).

Kjo strukturë ngre pyetjen se në funksionimin e Byrosë Kombëtare të hetimit a mundet të ketë dy emërtimet, përfshirë Hetues dhe Oficer?
 
Sipas kërkesave të OPGJ-ve duhet të jetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë që ka të drejtën për të marrë masa ndaj tyre dhe të menaxhojë këtë strukturë dhe jo siç është parashikuar në ligjin e prezantuar për miratim.
 
Në nenin 42 kërkohet që aftësisë profesionale për teknikat e vaçant të hetimit ti nënshtrohen personat që kanë 5 vjet eksperiencë në sektorët e hetimit pranë policisve gjyqësore dhe ata që futen rishtazi në këtë sistem dhe jo të gjithë hetuesit që janë pjesë e njësive pranë prokurorive ekzistuese.