Kryeministri Edi Rama foli për reformën në drejtësi teksa tha se njëri prej anëtarëve të PS ia ka thënë se vetë Rama duhet të ndihet përgjegjës. 

“Një bisedë para jo shumë ditësh, me disa nga shokët e grupit, m’u tha troç se unë duhet të ndihem përgjegjës për reformën në drejtësi. Natyrisht jo vetëm unë, se ka dhe ndonjë tjetër, po m’u tha copë. Sepse jam unë fajtori kryesor që kjo reformë ka prodhuar këto efekte të dëmshme anësore.

Jam i bindur që jo vetëm ata, por ka plot këtu që mendojnë njësoj si ata dhe që, edhe si disa ish-mbështetës të flaktë në mexhlisin mediatik, i përmbledhin këto në një fjalë që s’e kam thënë ndonjëherë: dështim. Unë e mirëkuptoj zhgënjimin, jo dhe aq të shokëve që kanë punuar për të. Se ta quash dështim reformën në drejtësi, je në të drejtën dhe në detyrën për të vënë alarmin.

Por të duash ta quash dështim nga pozitat e grupit projektues dhe miratues do të thotë të mos shohësh më larg ditës së sotme, të mos llogarisësh prej kostove aktuale dhe të mos vlerësosh sa duhet komunitetin tënd. Unë mbetem kokëfortë në mbrojtjen e bindjeve të mia. Jam i interesuar të kuptoj kur kam gabuar; nuk e kam problem të pranoj gabime. Kjo është provë e sigurt që nuk jam më i ri.

Nuk e gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinionin se reforma në drejtësi ka dështuar. Njëqind herë të kthehesha mbrapsht, do të zgjidhja reformën në drejtësi me të gjitha të mirat dhe të këqijat, krahasimisht me alternativën, me batakun, pa asnjë shans për të marrë respektin e askujt.

Nuk i hedh poshtë shqetësimet që ndani me mua. Detyra jonë është të udhëheqim. Kush nga ne mendon se reforma ka dështuar dhe se dje ka menduar që ajo do të zbatohej pa gjak, pa lot e djersë, në radhë të parë brenda nesh, duhet ta gjejë te vetja fajin që është dritëshkurtër”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Grupi i PS/ Rama 'lumë' kritikash drejtësisë: Nuk e prekim pavarësinë! Ja 7 çështjet për të cilat do të ndërhyjmë, marrim ‘ok’ nga KE (VIDEO)