'A kanë faj që e pastruan sistemin dhe s’ka Gjykatë Kushtetuese?!' Si Merkel bindi Bundestagun për 'PO'-në e negociatave (VIDEO)

TIRANE - U mbajt sot në Shqipëri, për të dytin vit radhazi 'Ministeriali i Drejtësisë' me nismën e qeverisë shqiptare, në prani të ministrave të Drejtësisë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrit Edi Rama si dhe ambasadorëve të akredituar në Shqipëri. Fokus i konferencës rajonale të nivelit të lartë ishin reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta që gjenden përpara.

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje se si kancelarja Angela Merkel mori ‘PO-në’ dhe bindi Bundestagun gjerman që të vendoste pro hapjes së negociatave për Shqipërinë. Rama u shpreh se Merkel u tha deputetëve gjermanë se: Ishim ne që i kërkuam shqiptarëve që ta pastronin sistemin, dhe a kanë faj që e pastruan sistemin dhe nuk ka gjykatë Kushtetuese, a duhet tu hedhim faj apo t’i përgëzojmë?   

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca  e cilësoi reformën në drejtësi si  pjesë e historisë moderne. Teksa foli në tryezën e “Ministeriali i Drejtësisë”, ambasadori bëri thirrje të mos ketë vonesa të pajustifikuara për krijimin e SPAK dhe BKH.

Ministeriali i radhës i drejtësisë do të jetë në Shkup, ku edhe Maqedonia e Veriut njëjtë si Shqipëria është në pritje të vendimit të rëndësishëm për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:53
Rama flet për Kosovën: Me Millosheviçin lëviznin lirshëm, kurse me ata që i çliruan, mbahen peng

1570179518_ramaclinton.jpg

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur sot detaje nga takimi me ish-presidentin e SHBA Bill Clinton, gjatë ceremonisë së varrimit të Zhak Shirak në Paris.

"Unë kam patur mundësinë që të takohesha në Paris me Presidentin Klinton gjatë varrimit të Presidentit Shirak. Patëm një bisedë vërtetë të këndshme dhe unë ndava me të idenë time që në këtë rajon të botës, ne kemi të vetmin vend ku mund të shihet pikërisht politika e jashtme e SHBA-së në ditën e saj më të mirë, kur u fillua me bombardim, por tashmë ka kaluar në bashkëpunim rajonal. Në vende të tjera, bombat nuk kanë sjellë në fakt stabilitet apo paqe, apo shumë më pak, natyrisht nuk kanë sjellë as bashkëpunimin rajonal.

Natyrisht që objektivi, synimi ishte i njëjtë. Forcat që bombarduan ishin të njëjta. Po pse ky dallim. Çfarë e dallon këtë rajon, të themi nga Iraku apo nga zona të tjera të botës, pra, çfarë e bën të dallueshme qëndrimin një 18-vjeçari, në Tiranë, në Prishtinë, në Beograd, në Podgoricë apo në Shkup nga një 20 vjeçar në Mosul?

Unë besoj që ndër të tjera ka të bëjë me faktin se për një 20 vjeçar në këtë rajon, perëndimi është mu në prag të derës dhe për shqiptarët - i dëgjova të dhënat, statistikat që na dha zonja Bregu, - shqiptarët në fakt meqë janë tejet optimistë për Europën, 90 % janë shifrat, e rrisin madje mendoj dhe mesataren e rajonit. Sepse duke marrë 90% e shqiptarëve, pjesa tjetër është më e ulët. Nuk e përmenda Kosovën, sepse po ndodh diçka në Kosovë. Ishte 90% kjo mbështetje, por është duke u ulur e do të vazhdojë të ulet dhe të ulet për arsye se Kosova trajtohet në mënyrë të padrejtë. Kosovës i është vënë vetoja për liberalizimin e vizave. Janë 2 milionë persona që gjatë diktaturës kishin mundësinë të lëviznin në mënyrë të lirshme, ndërsa tani me lirinë që kanë nuk u jepet kjo liri për të lëvizur. Me Millosheviçin mundeshin të lëviznin lirshëm, ndërsa me miqtë që i çliruan nuk munden. E këta miq... që prej 2014-s bëhet fjalë për 100 milionë njerëz që udhëtojnë tashmë lirshëm nga Ukraina që është ende në luftë, Gjeorgjia, Moldavia etj., dhe 2 milionë vetë mbahen peng.

Kështu që çfarë mund të bëhet?

Të vazhdojmë t’i referohemi Jeffersonit, Adenauerit, De Golit, të gjithë këtyre të vdekurve dhe të shpresojmë se shpirtrat e tyre do të sjellin më shumë energji të mira për këta udhëheqës dhe lidera që janë sot gjallë.

Por, duke iu kthyer asaj që dëshiroja të thosha, nuk është një gjë që ndodhi përpara 100 vitesh, por përpara pak vitesh, kur ranë bombat dhe shkundën të gjithë rajonin dhe 500 mijë vetë lëvizën brenda natës për shkak të spastrimit etnik. E shikoni se çfarë ndodh sot? Ne jemi këtu sëbashku dhe prej 5 vitesh ndoshta të gjitha vendet e rajonit janë të ulura në tryezë dhe me një etiketim shumë frymëzues, Procesi i Berlinit, duke patur besim tek e ardhmja si europianë dhe si pjesë e BE", tha Rama.

Ora 10:31
Rama zbulon si Angela Merkel mori 'PO-në' e Bundestagut (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se integrimi në Bashkimin Evropian është një rrugëtim të cilin Shqipëria e meriton, duke e argumentuar këtë me faktin që vendi ynë i plotësoi kushtet e vendosura. Kreu i qeverisë u kthye pas në kohë, një vit më parë, në nisje të reformës në drejtësi, ku u kërkua q të përjashtoheshin nga sistemi 57 gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Shefi i mazhorancës tha se procesi i vettingut u bë revolucioni ynë francez me gijotinën, pasi shifra shkoi në 100 gjyqtarë e prokurorë të korruptuar të përjashtuar nga sistemi. Fakti që tashmë, kërkohet që Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë të jenë funksionale, nuk është faj i Shqipërisë - tha Rama - pasi pastrimi i sistemit ishte pikërisht kërkesë për të ecur me hapa të sigurt në rrugën drejt BE-së. Për këtë, Rama solli citimin e një gruaje të zgjuar siç ju drejtua kancelares gjermane Angela Merkel teksa i ishte drejtuar grupit parlamentar për të marrë 'PO-në' për çeljen e negociatave me Shqipërinë. erkel është shprehur se është sukses i Shqipërisë që pastroi sistemin dhe nuk është dështim i Shqipërisë që Gjykata Kushtetuese mbeti pa gjyqtarë për shkak të largimit të të korruptuarve!

"Është frustruese, sepse ne na thuhet gjithnjë që ju duam dhe që një ditë do jemi bashkë, por që duhet të vazhdoni të përmirësoheni e të përmirësoheni. Tani më duhet të bëj një koment, vjet, përshembul, na thanë që keni bërë një punë fantastike, por keni ende diçka për të bërë. 57 gjyqtarë dhe prokurorë, një numër magjik, nuk e dija pse do ishte kjo shifër 57 dhe jo 58, ose pse jo 56, por thashë 57. Epo mirë, kabala e shtyrjes dhe ne shkuam përtej 57-ës, shumë më shumë se 57 dhe procesi i rivlerësimit, vettingu u bë revolucioni ynë francez me gijotinën. Çdo mëngjes, në çdo televizion shqiptar, të gjithë këta që ishin të paprekshëm, të paprekshmit kalonin te komisionet e vettingut dhe dukeshin si të dobët dhe gjithë ata që shkarkoheshin e shkarkoheshin e hiqeshin nga sistemi, pra, forca e korrupsionit në Shqipëri. Korrupsioni për 30 vite është rritur dhe që gjendet tek politikanët dhe që gjendet tek autoritetet publike, por më besoni kur ju them, nuk ka të krahasuar me qarkun e të paprekshmëve që u zhbë tashmë njëherë e mirë, të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata ishin forca dhe pushteti i korrupsionit, ata ishin ata që e garantonin dhe ushqenin korrupsionin dhe gjithçka ishte bërë relative. Dhe pas 1 vit nuk flasim më për 57, por më shumë se 100.

Tani cili është problemi? Tani problem është që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Po, por ne na u tha që duhet të pastronim sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit. Kështu që kur po bën operacion tek trupi i dikujt, duhet parë nga cili këndvështrim e sheh, sepse shyqyr Zotit që ka ende njerëz, pra, burra e gra të mençura në Europë, të cilët vazhdojnë t’u referohen të vdekurve, që i kemi përmendur. Angela Merkel është kampione e kësaj gjëje dhe ajo ka thënë një gjë, të cilën dua ta dëgjojnë të gjithë dhe u dëgjua në fakt nga grupi parlamentar. Ne po themi që Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe që ky është dështim, më fal por unë citoj kancelaren gjermane,  a ishim ne që i kërkuam shqiptarëve që të pastronin sistemin dhe a kanë faj ata që e pastruan sistemin, e bënë atë dhe tani që u pastrua sistemi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe duhet t’u hedhim faj për këtë gjë, apo t’i përgëzojmë për këtë punë që kanë bërë.

Natyrisht që kur nuk Gjykatë Kushtetuese funksionale nuk mund të jesh shtet anëtar, por ne nuk po kërkojmë të jemi shtet anëtar, ne thjesht po kërkojmë që të vazhdojmë një rrugëtim që do të dojë e do kërkojë shumë kohë, një kohë të gjatë. Kjo do të thotë që hapi tjetër do të jetë sigurisht hapi që do të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Por fakti që nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale në këtë moment tregon sukses jo dështim.Të paktën ekziston një person në Komunitetin Europian që mendon si unë e kam thënë dhe e them ngaherë, tashmë jemi dy. Shyqyr që personi tjetër ka mundësinë që ta bëjë Gjermaninë që të thotë “PO”. Unë nuk e arrita dot", tha Rama.

1570177703_rama8.jpg

"Britanikët duan të divorcohen nga BE kurse shqiptarët të martohen"

Teksa foli për dëshirën e madhe të qytetarëve shqiptarë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, Rama bëri ironi me kërkesën e Britanisë për të dalë nga BE. Kryeministri Rama tha se Britani ka luksin të mendojë divorcin pas kaq shumë vitesh, ndërsa ne duam që kjo martesë me BE të bëhet sa më parë.

"Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë dhe kjo na bën ne të jemi të angazhuar për këtë dashuri të vështirë që kemi me BE-në, se puna nuk është që duhet të kënaqim Parisin, Hagën, etj, por kjo ka të bëjë me shndërrimin e vendit tonë, me faktin që duhet të bëhen demokraci funksionale dhe shtete funksionale me një sistem të besueshëm dhe të paanshëm drejtësie.

Ne na duhet të vazhdojmë t'ju duam e të besojmë tek kjo martesën e jona. Britanikët kanë luksin të mendojnë divorcin pas kaq shumë vitesh. Për ne është hera e parë që e kemi ëndërruar dhe nuk e ndalon dot askënd të ketë këtë ëndërr e të martohet me atë që do", tha Rama.

Ora 10:10
Soreca: Pa reformën në drejtësi Shqipëria do duhej të priste vite për të shkuar tek negociatat (VIDEO)

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, tha se në tre vitet e fundit Shqipëria ka bërë transformim që shumë pak vende në botë kanë arritur. Ai tha se reforma në drejtësi tashmë nuk do të ketë më kthim pas, duke vlerësuar se është një reformë që shumë vende të rajonit i kanë hedhur sytë drejt saj për ta marrë shembull. Detyra e përbashkët tashmë sipas tij, jo vetëm e politikës por edhe e shoqërisë civile, është që të mos ketë ngadalësim në këtë rrugëtim, duke ju referuar vendit të pritshëm të tetorit për negociatat për anëtarësim në BE. Soreca tha se reforma në drejtësi ishte themeli për të shkuar drejt çeljes së negociatave në një kohë kaq të shpejtë.

"Padrejtësia në çfarëdolloj vendi është kërcënim dhe rrezik për drejtësinë", ky është citim i Martin Luter King. Në rast se padrejtësia ndikon një qytetar të vetëm, atëherë është thyer kontrata sociale. Gjithçka ka të bëjë me drejtësinë se u siguron barazinë qytetarëve, një sistem funksional drejtësie është themeli i demokracisë. Zbatimi i ligjit jep frymëzime për tu ndjekur në vendet e tjera. BE është krenar që ka punuar pa fund që ka mbështetur Shqipërinë në reformën në drejtësi. Reformat ndodhin jo se i kërkojmë ne, por qytetarët shqiptarë kanë qenë të parët që kanë vuajtur nga një sistem drejtësi që kishte dështuar, dhe ata e kanë kërkuar reformën në drejtësi. Një pronë e vjedhur ndër vite për arsye të një gjyqtari të korruptuar, apo një kriminal që nuk dënohet, është legjitimiteti i reformës në drejtësi tek i cili e kanë shpresën shqiptarët. Po t'i hedhim sytë në të shkuarën 3 vitet e fundit shumë pak vende në botë kanë bërë këtë transformim të thellë dhe kanë pasur këtë monitorim ndërkombëtar. 40 ligje të reja u ndryshuan që kishin të bënin me qeverisjen e gjyqësorit,. rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar nuk janë më pjesë e drejtësisë. Gjyqtarët që kanë kaluar vettingun nuk do të njollosen më. Duhet ti japim meritë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e humbën busullën e integritetit. Sistemi i ri i drejtësisë është një realitet në të cilin nuk do të ketë kthim pas. Tek kjo reformë i kanë hedhur sytë edhe vendet e rajonit.

Pritshmëria është e lartë që të kemi Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese funksionale. Qytetarët mezi presin krijimin e BHK dhe SPAK. Detyra kolektive është të mos ketë ngadalësim në mes të këtij rrugëtimi. BE do të vazhdojë t'i qëndrojë pranë, dhe gjatë 3 viteve në vijim do të ketë burime të tjera financiare me 42 milionë euro që janë programuar për drejtësisë. dhe 34 milionë euro do t'i jepen Shqipërisë për buxhetin për drejtësinë.

Jemi dy javë larg nga vendimi për të ardhmen në Shqipëri, pa reformën në drejtësi Shqipëria do duhej të kishte pritur vite për të ardhur në këtë ditë. Reforma ka hedhur themele shumë të rëndësishme të paanshmërisë llogaridhënies, etj. Shqipëria është e gatshme të lëvizë në një stad tjetër. Çelja e negociatave do të ndryshojë gjithçka për Shqipërinë, procesi i reformës do të jetë i pakthyeshëm".

Ora 10:02
Gjonaj: Reforma në drejtësi në vendin tim është mbresëlënëse (VIDEO)

Për të dytin vit radhazi, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka mbledhur në Tiranë të gjithë ministrat e Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar lidhur me reformat e ndërmarra mbi forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta rajonale që gjenden përpara.

Teksa i ka uruar mirëseardhjen të gjithë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në këtë ministerial, ajo u shpreh se për të dytin vit radhazi kjo konferencë e nivelit të lartë, është tregues kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.

“Kjo konferencë rajonale e nivelit të lartë, e organizuar me iniciativën dhe mirëkuptimin tonë, pa mbikëqyrjen e zakonshme të institucioneve ndërkombëtare, mbart edhe një tjetër vlerë të rëndësishme. Është një sinjal pozitiv, një tregues mjaft kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive tona, të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, angazhimin për të bashkëpunuar edhe vetë në nivel rajonal me synimin për të çuar përpara me reformat për forcimin e shtetit të së drejtës edhe në funksion të integrimit evropian”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë vuri theksin edhe te sfidat e rajonit për forcimin e shtetit të së drejtës.

“Vendet tona ndodhen sot përpara objektivave të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi vende që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Forcimi i shtetit të së drejtës qëndron në themel të demokracisë evropiane dhe kjo mbetet sfida kyç e vendeve tona, sfidë e rajonit tonë në përpjekjet për tju bashkuar familjes së madhe të bashkësisë europiane”, nënvizoi Gjonaj.

Sa i takon reformës në drejtësi, ministrja solli në fokus interesin që kanë treguar disa nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të ndjekur shembullin e Shqipërisë mbi reformimin e sistemeve të tyre.

“Ndjehem mirë t’ju informoj se reforma në drejtësi në vendin tim ka qenë mbresëlënëse dhe rezultatet e para pozitive justifikojnë plotësisht  sfidat e vështira në rrugëtimin e gjatë, thuajse 5-vjecar të inicimit, hartimit dhe zbatimit të saj. Jam e kënaqur tek shoh që shumë vende të tjera në rajon dhe jashtë tij, shohin tek kjo përvojë modelin për t’u replikuar si një përvojë pozitive”, theksoi Gjonaj në fjalën e saj.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • reforma: 04/10/2019 13:20

    ca sistemi ke pastruar ti mor...perdite duke u konfirmuar hajduter me nga min 500 000 leke te deklaruar me 15 vjet gjyqkar...!!!

    Përgjigju
  • O hajdar analfabet: 04/10/2019 11:41

    U kKONFIRMUA U KONFIRMU U KONFIRMUA O HIPOLIT.

    Përgjigju
  • fatmir EDEPSËZ çafaj: 04/10/2019 11:40

    O Edi Rama je politikan i madh dhe atdhetar. Prandaj dhe jashqitja e pd bëjnë si të çmendur se e din që stë harin dot kurr. RROFT SHQIPRIA POSHT QENT E PD.

    Përgjigju
    • Fatmir: 04/10/2019 15:26

      Fiks Edepsez e kelysh

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

U plagos gjatë përleshjes ku u vra Martin Cani, FSHF i ofron fizioterapi dhe trajtim të specializuar 14-vjeçar: Do mbulohen të gjitha shpenzimet!

U plagos gjatë përleshjes ku u vra Martin Cani, FSHF i ofron fizioterapi dhe trajtim të specializuar 14-vjeçar: Do mbulohen të gjitha shpenzimet!