Prania e kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Basha në këtë tryezë, për herë të parë pas përplasjeve e akuzave mes tyre, për kreun e shtetit tregon përkushtim dhe mbështetje ndaj reformës në drejtësi. Si ndërmarrës i kësaj iniciative, kreu i shtetit çeli axhendën e ngjeshur të kësaj dite duke e cilësuar si një nismë seriozë e cila duhet të jetë sipas tij, gjithëpërfshirëse.
“Kam marrë përgjegjësinë kushtetuese dhe qytetare të angazhohem me kontribut konkret në reformimin e sistemit të drejtësisë. Prania e tre pushteteve, do të thotë se kjo reformë do të ketë të gjithë përkushtimin, vëmendjen dhe mbështetjen që ajo meriton, e koordinuar kjo dhe me vëmendjen e partnerëve, e bën të vetmen rrugë për kryerjen dhe suksesin e kësaj reforme. Nuk është një iniciativë simbolike, por një nismë serioze për të krijuar një reformë serioze, e cila duhet të jetë tërësore, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt parimeve evropiane për një gjyqësor të paanshëm”, tha Nishani në fjalën e tij.
Sakaq, me tone më të ashpra për problematikat në sistemin tonë të drejtësisë, Rama foli për korporata të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët e kanë kthyer profesionin e tyre nga shërbimi për qytetarët, në biznes. Kreu i qeverisë tha se si detyrim ndaj atyre që i dhanë fitoren më 23 Qershor, do të ndëshkojë korrupsionin në radhët e drejtësisë. “Do t’ia nxijmë jetën gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar!”, -theksoi Rama.
“Ne nuk kemi alibi dhe nuk do të kërkojmë alibi. Ne në radhë të parë i drejtohemi atyre që na kanë votuar për një Shqipëri më të drejtë dhe ndaj gjeneratave të reja kur ka një korporatë që shet drejtësinë si koorporata e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Fakti që ka përjashtime është për të vënë duart në kokë. Që ka prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm që punojnë çdo ditë është për të vënë duart në kokë se janë përjashtim që forcon rregullin. E vërteta e tmerrshme është se shqiptarët nuk kanë shans të marrin të drejtën e pronës së tyre pa lekë, nuk kanë shans të marrin drejtësinë për djalin e vrarë apo vrasjen e përdhunuar pasi rivriten e ripërdhunohen në dyert e gjykatave. Ne do t’ia nxijmë jetën gjykatësve dhe prokurorëve që e kanë kthyer profesionin në biznes”, tha Rama. Rama: Me koorporata gjyqtarësh tëkorruptuar…s’ka shanc për drejtësinë
Për kryeministrin Edi Rama, tryeza e thirrur nga Presidenti dhe ulja e të gjitha palëve për përmbysjen e një sistemi, që sipas kreut të qeverisë është i kalbur, flet për një vullnet të mirë të palëve për të adresuar dhe ndryshuar problematikat e drejtësisë. Por Rama shprehu rezerva nëse ambicia për një reformë në drejtësi do t’i kalonte realisht kufijtë dhe dallimet e partive politike, duke shtuar se “duhet të kemi parasysh njerëzit e sistemit dhe të gjitha forcat e përfshira në procesin politik”.
Ndërsa kryeparlamentari Ilir Meta nënvizoi se “reforma në sistemin e drejtësisë është një domosdoshmëri” pasi “mosfunksionimi i gjyqësorit cënon integrimin në BE dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.
Ndërkohë sipas kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, për procesin e reformës në drejtësi, nevojitet një model europian që të bazohet tek pavarësia e gjyqësorit nga politika, dhe jo që të kapet drejtësia nga qeveria, që siç theksoi ka ndodhur deri më tani me mazhorancën aktuale.
Sipas tij mazhoranca deri më tani nuk ka tregur vizion apo platformë, por vetëm tenton të kapë gjyqësorin.
"Reformimi i drejtësisë duhet bërë pa bërë kurban pavarësinë e saj. A mund të ketë model në drejtësi, kur qeveria miraton natën dhe pa asnjë konsolidimi, paketa të personalizuara që synojnë kapjen e drejtësisë, si ajo e 31 korrikut që synon kapjen e magjistraturës KLD me një goditje, dhe kthimi mbrapsht nga Presidenti u hodh poshtë. Reforma kërkon vizion kërkon platformë, deri tani ka kaluar viti dhe kjo mazhorancë nuk ka paraqitur asnjë vizion, asnjë platformë." tha Basha
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës nëpërmjet Komisionit të Venecias, do të monitorojnë çdo hap të reformës në drejtësi për të cilën sot në këtë tryeze palët do të japin opinionet e tyre për të arritur ne konkluzione të përbashkëta që duhen ndjekur për kryerjen e kësaj reforme.
Reforma, Nishani-Naços: Brenda 2 javësh të hartohet dokumenti konkret
ORA 18:15 Në përfundim të punimeve në tryezën e mbledhur sot për reformën në drejtësi, Presidenti Bujar Nishani i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë që brenda dy javëve të mbledhë të gjithë aktorët e përfshirë në këtë çështje. Sipas Kreut të Shtetit, gjatë kësaj tryeze të rrumbullakët duhet të arrihet një dokument konkret, për të cilin më pas do të ngrihen grupet e punës për të realizimin plan-veprimin. Presidenti Nishani tha se i gjithë ky proces do të ndiqet dhe monitorohet nga ndërkombëtarët, Komisioni i Venecias, Euralius, OSBE, etj. Fjala përmbyllëse e Presidentit Nishani
“Gjyqësori duhet të inkurajojë zgjidhjen e problemeve në vend. Reforma në drejtësi është gjithëpërfshirëse, ndaj duhet t’i jepet fund shfaqjeve të njëanshmërisë. Në realizmin e reformës do të marrin pjesë të gjithë aktorët. I rekomandoj ministrit të Drejtësisë të mbledhë brenda dy javësh një tryezë të rrumbullakët me të gjitha aktorët për këtë reformë. Ministria e Drejtësisë duhet të dalë me një dokument konkret. Pas miratimit të këtij dokumenti me asistencën e komisionit të Venecias dhe komisionit të OSBE ngritjen e grupeve të punës, që do të kthejnë këtë dokument në plan veprimi.
Do të ketë transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. Ministria e drejtësisë do bëjë punën duke miratuar aktet e nevojshme ligjore me certifikimin e komisionit të Venecias, Euralius. Duhet të zgjerohet pjesëmarrja e aktorëve dhe të zbatohet ligji. Jemi ende larg standardit europian që duhet të arrijmë, ndaj duhet të vihemi në veprim”, tha Presidenti Nishani.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit u ndal edhe tek problematikat kryesore që ndesh sistemi i drejtësisë në vend, ndërsa theksoi rëndësinë e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera.
Nishani tha se sistemi gjyqësor në vend është i vendosur që të dënohet korrupsioni, por theksoi se ky sektor duhet të jetë i pavarur dhe funksional.
Duke u ndalur tek pavarësia e institucioneve, Presidenti Nishani tha se duhet të respektohet parimi i kontrollit dhe balancës. Në fund të fjalës së tij, ndërsa ftoi të gjithë aktorët për pjesëmarrje dhe bashkëpunim, Presidenti Nishani tha se sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur nga interesat partiake dhe të partnershipit.
Te gjitha diskutimet dhe fjalet e mbajtura ne tryezen e thirrur nga Presidenti Nishani per reformen ne drejtesi
Zaganjori: Reforma domosdoshmëri, ka rënë besimi i qytetarëve tek drejtësia
Ora 11:45 Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori pranoi faktin se drejtësia në vend përballet me shumë probleme dhe kjo ka bërë edhe uljen e besimit të qytetarëve tek gjyqësori. Kjo sipas tij e bën të domosdoshme këtë reformë, ndërsa shtoi se në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, mbështet procesin dhe realizimn e kësaj reforme. Zaganjori shtoi se për drejtësinë, themelore mbetet integriteti dhe përgjegjshmëria.
“Drejtësia përballet me probleme të shumta dhe indikatori më i qartë është besimi i publikut që ka arritur kuota alarmante. Janë partnerët ndërkombëtarë që kanë këshilluar domosdoshmërinë vazhdimin e reformave në drejtësi. Pavarësia e sistemit gjyqësor dhe efektshmëria e tij, janë vlera themelore të një vendi demokratik dhe të një vendi anëtar të Bashkimit Europian. Këto nuk janë qëllim në vetvete por konsolidojnë një shtet demokratik. Ne e mbështesim këtë reformë, që nuk i shërben vetëm integrimit të vendit në BE, por fillimisht qytetarëve tanë. Integriteti dhe përgjegjshmëria e sistemit gjyqësor janë elementë themelorë.” tha Zaganjori
Rauning: Reforma e suksesshme vetëm me konsensus
Ora 11:20 Ambasadori i OSBE-së Florian Rauning, siguroi se faktori ndërkombëtar do të jetë gjithnjë krah shtetit shqiptar për të ofruar mbështetjen dhe ekspertizën e tyre për reformën në drejtësi, ndërsa nënvizoi se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mbështet mbi një frymë kompromisi mes palëve, pasi siç theksoi ai, vetëm në këtë mënyrë kjo reformë mund të kryehet me sukses.
“Reforma duhet të përfshihet në një proces gjithëpërfshirës. Ne luajmë të gjithë një ekip por kjo nuk është garë sportive, por gjithkush duhet të sjellë një kontribut unik. Kjo nuk do të thotë se çdo institucion të punojë i mbyllur nga të tjerët. OSBE do të ofrojë mbështetjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Ajo duhet të përfshijë të gjitha shqetësimet e të gjithë faktorëve. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë, me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Kjo reformë arrihet kur liderët shqiptarë bëhen kampionë të kësaj reforme, nisma ka mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë. Me një frymë kompromisi, reforma mundet dhe do të kryhet me sukses.” tha Rauning
Naço: Të gjithë jemi dëshmitarë ndaj mosbesimit ndaj drejtësisë
Ora 11:00 Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në fjalën e tij theksoi pakënaqësinë dhe mosbesimin që ka ndaj sistemit të drejtësisë, çka sipas tij ka sjellë edhe kritika nga faktori ndërkombëtar.
Lidhur me këtë, Naço theksoi se qeveria ka ndërmarrë nisma për përmirësimin e sistemit, siç është edhe ndryshimet e miratuara në ligjin për KLD. Naço parashtroi edhe disa nga ndryshimet që ka sjellë ky ligj, në funksion të përmirësimit të sistemit të drejtësisë në vend.
Fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço
“Të gjithë jemi dëshmitarë të një klime mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë, dhe për këtë nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar. Institucionet e drejtësisë shfaqin dukshëm problematika për të cilat ne bëmë disa ndryshime në ligjin për KLD. Ligji parashikon qartë se procedimi disiplinor duhet të bëhet brenda 1 muaji nga depozitimi i tij nga ana e Ministrit të Drejtësisë, pasi ka fakte se kjo nuk është zbatuar nga KLD prej mëse 2 vitesh. Po ashtu ligji parashikon se mbledhjet e KLD duhet të bëhen çdo 1 muaj për të rritur efektshmërinë. Në ndryshimet e miratuara janë parashikuar qartë kriteret për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nga monitorimi i bërë rezulton se nga 28 kryetarë gjykatash, 21 janë të komanduar për 4-6 vjet.” tha Naço
Jardine: Vendi ka nevojë për reformë në drejtësi, të ndëshkohen të korruptuarit
Ora 10:46 Zëvendës ambasadori i SHBA-së në Tiranë Henry Jardine, teksa e vlerësoi nismën për reformën në drejtësi, theksoi se ajo nevojitet të jetë gjithëpërfshirëse për të përmirësur mirëqënien afatgjatë të popullit shqiptar. Sipas Jardine, ekziston një konsensur mes palëve dhe qytetarëve në Shqipëri se drejtësia në vend ka nevojë për një reformim.
Por zëvendësambasadori shtoi se duhet bërë kujdes që personat e korruptuar të ndëshkohen e ndërsa të tjerët të mbështeten në punën ë tyre.
Fjala e plotë e zëvendësambasdorit Henry Jardine
“Reforma gjyqësore është një prej kërkesave për standardet e bazuara në performancë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Detyrimet e Shqipërisë në këtë drejtim janë përcaktuar qartë në Udhërrëfyesin për në BE. Megjithatë, ky është një koncept shumë më i thellë dhe më i gjithanshëm; nuk është thjesht çështje e përmbushjes së një parakushti të jashtëm. Reforma gjyqësore nuk është thjesht një kërkesë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Arritja e reformës gjyqësore është jetësore për të ardhmen e Shqipërisë; vetëm nëpërmjet një procesi përfshirës, të besueshëm, jopolitik ju do mund të çoni përpara dhe të përmirësoni mirëqenien afatgjatë të popullit shqiptar. Ekziston një konsensus i qartë si mes shqiptarëve ashtu edhe mes bashkësisë ndërkombëtare: që reforma gjyqësore është e nevojshme për Shqipërinë. Pa dyshim, shumë njerëz që merren me sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri – gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës dhe qytetarë – besojnë se sistemi i tanishëm nuk ecën sipas ritmit të nevojave të vendit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, duhet të bëjmë kujdes të mos futim në të njëjtin grup të gjithë individët që punojnë në sistemin e Shqipërisë. Ka gjyqtartë të mirë, të ndershëm atje jashtë, por ata që nuk janë të ndershëm, apo që janë të korruptuar duhet të ekspozohen dhe të ndëshkohen për sjelljen e tyre joetike apo të korruptuar dhe disa duhet të shkojnë në burg.” tha Jardine
Basha: Ne kërkojmë një model europian, qeveria të kapë gjyqësorin
Ora 10:32 Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, teksa përsëriti vullnetin e opozitës për reformën në drejtësi, bëri apel që ajo të bëhet me gjithëpërfshirje dhe me ekspertizën europiane dhe jo me qëllim kapjen e sistemit të gjyqësorit, që sipas Bashës është tentuar deri më tani nga qeveria.
Fjala e plotë e Kryetarit të Opozitës, Lulzim Basha
Sipas Bashës, kjo si dhe prania e individëve me precedentë kriminalë në Kuvend, janë dy nga arsyet madhore që opozita ka ndërprerë marrëdhëniet me parlamentin.
“Për arsye që dihen botërisht opozita ka ndëroprerë marrëdhëniet me parlamentin. Drejtësia është një temë e madhe që ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, në radhë të parë nga Parlamenti dhe Qeveria. Sundimi i ligjit dhe zbatimi i vendimit të gjykatave është parësore. Jemi sot këtu për zbatminin e ligjit, ndonëse shumica ka vënë në pikëpyetje vendimet e gjykatave, për herë të parë. E përsëris për herë të parë. Tema tjetër e konfliktiti me shumicën ka të bëjë me integritetin e ligjvënësve. Prania si kurrë më parë në trupën e ligjvënëse, të individëve të dënuar më parë, kompromenton rëndë, integritetin për të marrë përsipër rolin për këtë reformë. Opozita e sotshme ndryshe nga ajo e djeshmja mbështet këtë reformë në rrugëtimin evropian.” tha Basha
Për kreun e opozitës, reforma në drejtësi duhet mbështetur në shtylla kryesore, në pavarësinë e gjyqësorit nga politika, si dhe nga konsolidimi i sistemit të drejtësisë, sa i përket përgjegjësisë dhe llogaridhënies para qytetarëve.
Basha akuzoi se deri më tani, qeveria nuk ka treguar vizion dhe platformë për reformën në drejtësi, por vetëm të kapë sistemin gjyqësor përmes paketave të personalizuara dhe pa konsultime me ndërkombëtarët.
“Më lejoni t’ju them se ne kërkojmë një model europian p[ër reforminin e drejtësisë, që bazohet në transparencë, pavarësi, dhe efiçencë. Ajo bazohet në dy shtylla. E para qeveria duhet të mbajë duart larg nga gjyqësori. Së dyti konsolidimin e gjyqësorit, përmes rritjes së rolit të tyre në përgjegjësi për llogaridhënie para qytetarëve dhe askujt tjetër. Reformimi i drejtësisë duhet bërë pa bërë kurban pavarësinë e saj. A mund të ketë model në drejtësi, kur qeveria miraton natën dhe pa asnjë konsolidimi, paketa të personalizuara që synojnë kapjen e drejtësisë, si ajo e 31 korrikut që synon kapjen e magjistraturës KLD me një goditje, dhe kthimi mbrapsht nga Presidenti u hodh posht. Ju rikujtoj se kur partnerët ndërkombëtarë kërkuan pritjen për ardhjen e ekspertëve euroipan u justifikua me faktin se jemi në emergjencë, dhe kjo kishte të bënte me shkarkimin e anëtarëve të KLD. Populizmi nuk është zgjidhje, është mungesë vizioni, një jorgan për të mbuluar axhendën politike. Reforma kërkon vizion kërkon platformë, deri tani ka kaluar viti dhe kjo mazhorancë nuk ka paraqitur asnjë vizion, asnjë platformë.” theksoi kreu i opozitës