Reforma Territoriale, donatorët
firmosin kontributin prej 1.1 mln $ 

Përfaqësues të qeverisë suedeze, zvicerane dhe USAID-it nënshkruan sot kontributin e dytë financiar për projektin “Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale” (STAR). Kontributi total i tyre kap vlerën mbi 1.1 milion dollarë dhe do të shkojë për fazën e zbatimit të reformës që ka si qëllim konsolidimin administrativ dhe financiar të 61 bashkive të reja.

Ministri Çuçi falenderoi të gjithë partnerët ndërkombëtarë për asistencën e dhënë në realizimin me sukses të një prej objektivave më të rëndësishëm të qeverisë shqiptare.

Gjatë fjalës së tij Ministri Bledi Çuçi theksoi se “Bërja e një harte të re është vetëm fillimi i një pune shumë të madhe që do të na çojë drejt konsolidimit të qeverisjes vendore, për ta kthyer qeverisjen vendore në një instrument demokratik që do t’i shërbejë qëllimit final: ofrimit të shërbimeve në mënyrë cilësore dhe eficente komuniteteve.”

Partnerët ndërkombëtarë në deklaratën e tyre të përbashkët e përgëzuan Ministrin e Çështjeve Vendore Bledi Çuçi për rezultatet e arritura deri më tani në forcimin e qeverisjes vendore, organizimin në kohë të reformës administrativo-territoriale, në mënyrë të hapur e konsultuese duke e cilësuan procesin e deritanishëm kompleks, por të suksesshëm.

Patrik Svensson, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Suedeze në Shqipëri i cili foli në emër të donatorëve theksoi: “Njësitë e reja të qeverisjes, që do të dalin nga bashkimi, janë baza për një sistem të tillë qeverisjeje, nëse plotësohet edhe me reforma te tjera, sidomos atë të decentralizimit, të administratës publike, reformën fiskale dhe shërbimit civil, shoqëruar këto me risi në ofrimin e shërbimeve. Ne jemi të gatshëm për t’i mbështetur ato, veçanërisht në fazën e tyre fillestare dhe në integrimin me reformat e tjera.”

Ministri Çuçi gjithashtu dorëzoi certifikata mirënjohje për të gjithë partnerët ndërkombëtarë të projektit STAR, për kontributin e tyre për një qeverisje vendore eficente në Shqipëri.

Qeveria e Italisë, Zvicrës, Shtetet e Bashkuara dhe Suedisë kanë dhënë mbështetjen e tyre financiare dhe teknike për Reformën Administrativo-Territoriale përmes Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave