Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi në një deklaratë për mediat nga kryeministria, tha se pasi komisioni të hartojë draftin final, gjithcka është gati për të vijuar me marrjen e vendimit përfundimtar për këtë ndarje, nga Parlamenti.
“Sot Këshilli i Ministrave miratoi projektin për ndarjen e re administrativo territoriale sipas propozimit të bërë nga komisioni i posaçëm. Qëndrimi për reformën është i qartë dhe i prerë në mbështetje të propozimit të ardhur nga një punë kolosale e komisionit. Projekti për ndarjen e re me 61 bashki që ka dalë pas një analize të plotë në bazë të kritereve të miratuara nga komisioni. Së bashku me relacionin Këshilli i Ministrave do të dërgojë në Kuvend materialet që kanë të bëjnë me analizën funksionale të të gjithë bashkive të prozuara për hartën e re si dhe me dokumentacionin e plotë që lidhet me konsultimet”, tha Cuci.
Ai përsëriti qëndrimin e qeverisë, se Himara është e Shqipërisë dhe ndaj do të qëndrojë si bashki, ndërsa përmendi se përjashtim bëjnë vetëm 3 zona minoritare të cilave i është ruajtur identiteti si të tilla.
“Himara një nga 58 zonat funksionale, Himara është e Shqipërisë, përvec 3 zonave minoritare që i kemi ruajtur këtyre zonave. Himara është krijuar si një bashki e ardhshme, është shqiptare”, u shpreh ministri Cuci.
Varianti përfundimtar i hartës së re territoriale të Shqipërisë u miratua më 17 Korrik në komisionin parlamentar për këtë reformë, ku pjesmarrjen e vetme nga opozita e pati Shpëtim Idrizi i PDIU-së.
Pas shprehjës së qeverisë për këtë variant, komisioni do të hartojë draftin final, të cilin do ta dërgojë për miratim në parlament në seancën e 31 korrikut, kohë gjatë secilës, mazhoranca ka theksuar se pret deri në minutën e fundit që t’i bashkohet edhe opozita.
Deklarata e plote e ministrit Cuci
Sot, Këshilli i Ministrave miratoi projektin për ndarjen e re administrative – territoriale, sipas propozimit të bërë nga Komisioni i posaçëm Parlamentar. Qëndrimi ynë për Reformën Administrative – Territoriale është i qartë dhe i prerë, në mbështetje të propozimit të ardhur nga Komisioni. Projekti për ndarjen e re, me 61 bashki, të cilat kanë dalë pas një analize të detajuar për funksionalitetin e secilës, në bazë të kritereve të miratuara nga Komisioni për këtë qëllim.
Së bashku me relacionin dhe mendimin Pro të ndarjes, Këshilli i Ministrave do të dërgojë në Kuvend të gjitha materialet shoqëruese që kanë të bëjnë dhe që lidhen me analizën funksionale të të gjithë bashkive të propozuara për hartën e re, si dhe me dokumentacionin e plotë që lidhet me procesin e konsultimeve, të kryer në të gjithë Shqipërinë. Kjo ishte një punë kolosale që u ngarkua nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale. Ne jemi gati tashmë, me gjithçka, për t’i dorëzuar Komisionit, në mënyrë që të vazhdojë procesi i vendimmarrjes në seancë plenare për Hartën e re Administrative – Territoriale.
Vërejtjet e PBDNJ-së u morën në konsideratë? Ata kërkuan publikisht që të rishikoni pozicionin sa i përket Himarës.
Sa i përket Himarës, vendimi ynë ishte i qartë:
Himara është 1 nga 58 zonat funksionale që janë krijuar në Shqipëri. Për ne Himara është pjesë e Shqipërisë, ashtu siç janë zonat funksionale nga Shkodra deri në Konispol, përveç 3 zonave minoritare, që për shkak të kritereve që ne vetë kemi vendosur, i kemi ruajtur përkatësinë minoritare. Himara është 1 pjesë e 58 zonave funksionale dhe është krijuar për t’i krijuar një funksionalitet si bashki e ardhshme.
Qëndrimi ynë për këtë ka qenë dhe mbetet i qartë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)