Deputeti i partisë ‘Lëvizja Bashkë’, Redi Muçi, është shprehur se Reforma Territoriale në Shqipëri ka qenë gjithmonë një lojë mes PS dhe PD, lojë e cila sipas tij vijon të luhet edhe sot.

Komentet Muçi i bëri në emisionin ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku komentoi vendimin e PD-së për të marrë pjesë në Komision, vendim të cilin e cilësoi të drejtë.

Sipas Muçit, PD duhet të merrte pjesë që në fillim në komision me propozime konkrete dhe jo të bënte deklarata të tilla si ‘nuk ulemi në një tryezë me regjimin’.

Muçi tregoi gjithashtu se vetë nuk shkonte në këtë Komision, pasi ‘Lëvizja Bashkë’ nuk e kishte të drejtën e votës, por edhe sepse sipas tij, aty nuk bëheshin diskutime parimore.

“Unë jam dakord me këtë që u tha që për një Reformë Territoriale do të duhej një diskutim i gjerë, të shkohej në zonat më periferike, të mblidheshin informacione dhe të shkohej drejt një procesi gjithëpërfshirës me të gjithë, edhe me forcat politike. Neve na kanë lënë një karrige aty për konsulencë, por jo me të drejtë vote. Çdo deputet parimisht mund të marrë pjesë në çdo mbledhje komisioni.

Nëse do të diskutohej për parime, pra parimi i afërsisë gjeografike, parimi i decentralizimit të pushtetit, etj, të gjitha këto parime janë zero. Tendenca është gjithmonë ajo e centralizimit, jo ajo e decentralizimit. Tani po të diskutohej për parime të tilla, sigurisht edhe ne do të ishim pjesë e këtij procesi. Ka qenë gjithmonë një lojë e përbashkët mes PS e PD. PS ka lëshuar pe, sepse çfarë ndodh. Ke nga njëra anë zvarritjen e procesit për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe për t’ju kundërpërgjigjur kësaj, PD ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në komision.

Edhe në logjikën se do të bëjnë këtë protestën për të përmbysur regjimin dhe ne me regjimin nuk bashkëpunojmë... Logjika është që duhet të shkojnë në Komision, sepse përndryshe do të bëhej reformë e cila, siç është bërë gjithmonë... Këtu sa herë është bërë reformë territoriale, është bërë në varësi të përfitimit në mandate, vota apo njësitë lokale që ka njëra parti apo tjetra. Po ne ça të diskutojmë me ta po të shkojmë? Të ngre edhe unë dorën kot?”, tha mes të tjerash Muçi.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:21
Flogert Muça: Sot PD vrau protestën e 10 shkurtit duke shkuar në Komision te PS!

Gazetari Flogert Muça është shprehur se ditën e sotme PD me vendimin për të marrë pjesë në Komisionin për Reformën Territoriale dhe për t’u ulur në bisedime me PS-në, ka vrarë protestën e 10 shkurtit.

Komentet Muça i bëri teksa ishte i ftuar në ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se është e palogjikshme të organizosh protestë për rrëzimin e regjimit dhe të ulesh në tavolinë më pas me ‘regjimin’ për të negociuar.

Ai shtoi gjithashtu se sot në Shqipëri ka një lloj bashkëqeverisje mes PD-së e PS-së, pasi sipas tij, ata nuk e hedhin në erë sistemin për të mundur njëri-tjetrin.

“Kur vjen puna për të qenë i pari dhe i dyti, këta janë bashkë. Këtu ka një bashkëqeverisje dhe është në kurriz të Redit dhe partive simotra të Redit. Simotra të reja dhe të vogla, jo ideologjikisht, sepse janë unik, s’ka të majtë tjetër veç këtyre në Shqipëri.

Në këtë kuptim, nuk ka asnjë dilemë edhe sikur PD të mos shkonte në komision, sërish ka diçka që nuk do ndryshojë, as tani që është Rama, as kur ishte doktori. Vija e kuqe është që ‘ne jemi të mëdhenjtë’. Pastaj bërryla do ketë, sepse ata nuk po qeverisin me ministra të përbashkët. Doktori do që të jetë në vendin e Ramës dhe Rama nuk do t’ja lëshojë vendin doktorit, por ata nuk e hedhin asnjëherë në erë sistemin, për të mundur njëri-tjetrin.

Sot është tërhequr PD nga bojkoti. PS ka bërë një presion dhe PD ka rënë pre e këtij presioni. Kjo është gafë për medimin tim. Sepse në datën 10 ata kanë një protestë. Protestën e kanë për të rrëzuar një regjim. Por një javë para ditës së rrëzimit të regjimit, ulesh me regjimin në tavolinë. Ky është presioni që kanë bërë socialistët dhe ja kanë arritur. Pra kanë vrarë protestën”, tha mes të tjerash Muça.

Kujtojmë pak minuta më parë në Kuvend Partia Socialiste pranoi të heqë nga rendi i ditës propozimin e tyre për zhbërjen e formulës së barazisë mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Reformës Territoriale, pasi nga PD deklaruan se do të merrnin pjesë në Komision.