Këshilli Bashkiak i Sarandës diskutoi në mbledhjen e sotme draftin e paraqitur nga Kuvendi për hartën e re territoriale, në një debat ku këshilltarët shprehën qëndrime të ndryshme për organizimin administrativ.
Çështja ishte parashikuar si pika e 11-të e rendit të ditës, por me kërkesë të këshilltarit Përparim Ahmeti u kalua si pikë e parë.
Gjatë diskutimit, Ahmeti evidentoi problematikat e sezonit veror në Ksamil, duke përmendur furnizimin me ujë dhe energji elektrike, trafikun dhe parkimet. Ai u shpreh se Ksamili ka kapacitete financiare dhe ekonomike për të funksionuar si bashki e pavarur nga Saranda.
Në fjalën e tij, Ahmeti tha gjithashtu se banorët kanë nisur mbledhjen e firmave për një referendum me këtë qëllim. Mbështetje për idenë e një bashkie më vete shprehu edhe këshilltari i Partisë Demokratike, Vesel Koçiu.
Kreu i këshilltarëve të majtë, Gjergji Imeri, kritikoi qëndrimin e PD-së, duke e cilësuar atë si një çështje të përdorur për politikë. Sipas tij, një angazhim serioz do të duhej të shoqërohej me paraqitjen e një drafti konkret për hartën territoriale.
Imeri argumentoi gjithashtu se rritja e numrit të bashkive do të sillte vështirësi në administrimin e tyre, përfshirë edhe ato që mund të drejtoheshin nga PD-ja.
Diskutimi për hartën e re territoriale u mbyll pa votim, pasi kjo pikë e rendit të ditës nuk parashikonte marrjen e një vendimi nga këshilli.






Komente
Komento