Reforma Territoriale, Meta:
Opozita të mbajë përgjegjësitë

Reforma Territoriale, Meta:<br />Opozita të mbajë përgjegjësitë
TIRANE- U mblodhën dje për herë të parë tetë anëtarët e Komisionit për Reformën Territoriale, ku u bë dhe konstituimi i këtij komisioni vetëm me anëtarët e mazhorancës. Pavarësisht dhënies kohë dhe ftesave të shumta përfshi atë Kryeministrit Edi Rama, opozita ende nuk ka asnjë anëtarë në këtë komision. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i bëri apel opozitës që të marrë përgjegjësitë e saj dhe të jetë e pranishme në komision me qëllim kryerjen e kësaj reforme shumë e rëndësishme për vendin dhe për qytetarët. “Opozita kur ishte në mazhorancë i kishte votat por nuk e bëri.

Ndryshimi tani është se edhe pse mazhoranca i ka votat kërkon me insistim bashkëpunimin e opozitës sepse ka nevojë për mendimin dhe idetë e saj. Kërkojmë me insistim pjesëmarrjen e opozitës në reformën territoriale. Është reformë e kërkuar dhe nga ndërkombëtarët”, tha ai. Sipas kreut të Kuvendit domosdoshmëria e realizimit të reformës territoriale është e jashtëzakonshme dhe se kësaj reforme i ka kaluar koha. “Unë dua të theksoj edhe njëherë tjetër vullnetin e plotë të mazhorancës për ta bërë këtë reformë së bashku me opozitën, e cila është shprehur në të kaluarën për realizimin e kësaj reforme, pavarësisht se nuk i ka pasur votat për ta bërë këtë gjë.

Ndryshimi është se mazhoranca e sotme edhe pse i ka votat kërkon me insistim bashkëpunimin e opozitës, sepse ka nevojë për mendimet e saj, për idetë e saj, por edhe sepse besojmë se kjo është një reformë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë", tha Meta.  Deputeti Bashkim Fino, bashkëkryetar u shpreh se kjo reformë është e vonuar dhe se situata aktuale ku ndodhet pushteti vendor është e papranueshme. "Ky komision ka tre çështje themelore kryesore përcaktimin e kritereve për ndarjen administrative, hartimin dhe zbatimin e kalendarit për zbatimin e reformës dhe përgatitjen e projektit per ndarjen.

Nga 308 komuna që kemi sot në Shqipëri dhe është një luks i madh që ne kemi kaq shumë komuna në një sipërfaqe kaq të vogël, 150 komuna, pra 50 % e tyre nuk kryejnë asnjë investim. Këto mbledhin të ardhura nga taksat vendore, këto 150 komuna nga 0 – 2 % të buxheti të tyre. 98 % të buxhetit e sigurojnë nga transfertat e buxhetit të shtetit. 71 komuna nga këto 150 komuna janë dhe kanë nivelin e mbledhjes së taksave vendore 0, pra nuk gjenerojnë asnjë të ardhur vendore. Vetëm pagat për komunat shkojnë në total rreth 25 milion dollarë dhe asnjë shërbim nuk i kthehet mbrapsht qytetarëve.

Sot që flasim në zonat urbane banojnë më tepër se 51 % e popullsisë kundrejt 49 % e popullsisë që banojnë në zonat rurale, kur në fillimin e vitit 1991 ky raport shkonte në shifrat 70 % e popullsisë banonin në zonat rurale dhe 30 % e popullsisë banonin në zonat urbane,” tha Fino. Nga ana e tij, deputeti i PS, Armando Subashi vuri në dukje se duke pasur parasysh që ky komisioni ka shumë punë përpara dhe një afat të shkurtër, mund të vijohet me hapat teknikë për të fituar kohën e humbur.

Meta: Policia e Shtetit po çmonton bandat e tritolit
Kryetari i LSI, Ilir Meta, gjatë takimit me strukturat drejtuese të LSI në Fier deklaroi se ky vit 2014 është shumë i rëndësishëm për vendin por edhe për mazhorancën qeverisëse për vetë rëndësinë e reformave që duhet të ndërmerren të cilat sipas tij do të jenë vendimtare për të paktën dy dekadat e ardhshme.

Duke folur për mbledhjen për herë të parë edhe të Komisionit Parlamentar për reformën Administrativo-Parlamentare, Meta tha se kjo reformë do të jetë vendimtare për të ardhmen edhe të pushtetit vendor në të gjithë vendin, të paktën për dy dekadat e ardhshme. Ai foli edhe për Policinë e Shtetit, ku tha se kohët e fundit Policia ka arritur rezultate mjaft pozitive, sidomos në drejtim të çmontimit të bandave të tritolit dhe të shumë elementëve të tjerë kriminalë, dhe meriton mbështetjen e të gjithëve.


Shkrimi u publikua sot (08.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë