Edmond Haxhinasto i Partisë së Lirisë i ka dalë kundër propozimit të mazhorancës për hartën e re territoriale, duke pretenduar se zvogëlimi i numrit të bashkive synon “vetëm përfitimet zgjedhore për Partinë Socialiste”. Deklarata e tij vjen një ditë pasi opozita paraqiti zyrtarisht propozimin e saj për ndarjen e re administrative-territoriale.

Sipas Haxhinastos, propozimi i mazhorancës nuk vendos në qendër shërbimet për qytetarët dhe nuk merr parasysh shpopullimin e vendit.

Ai pretendon se me ndarjen e re territoriale do të rriten edhe më shumë distancat që qytetarët duhet të përshkojnë për të marrë shërbime.

Deklarata e plotë 

"Reforma Administrative-Territoriale ka hyrë në fazën përfundimtare. Në pamundësi për të realizuar një reformë e cila u shërben qytetarëve, në Komisionin Parlamentar për këtë reformë, dje opozita ka paraqitur zyrtarisht propozimin e saj për ndarjen e re administrative-territoriale të vendit.

Ajo çka u përgatit nga mazhoranca për këtë reformë është, në fakt, një sintezë e problemeve të rënda të qeverisjes së saj: Që qytetarët dhe shërbimi ndaj tyre nuk kanë rëndësi. Që nuk njohin realitetin e emigrimit masiv të qytetarëve, si rezultat i mungesës së shërbimeve dhe keqqeverisjes në përgjithësi.

Të dështimit të reformave të mëparshme, si ajo e ujit, e menaxhimit të mbetjeve, e transportit, e shërbimeve mbështetëse për bujqësinë, për shëndetësinë dhe arsimin, pasi kjo mazhorancë nuk kishte kurrë si qëllim ofrimin e këtyre shërbimeve ndaj qytetarëve. Ajo nuk kishte trajnimin e administratës vendore për të ofruar këto shërbime jetike për qytetarët, por mbushjen e administratës me patronazhistë dhe përqendrimin e shpenzimit të parave në pak duar.

Propozimi i mazhorancës për zvogëlimin e numrit të bashkive me një të tretën e tyre ka për qëllim vetëm përfitimet zgjedhore të kësaj ndarjeje të re. Aspak ndalimin e shpopullimit të vendit dhe frenimin e hemorragjisë demografike të tij. Me ndarjen e re territoriale, distancat që duhet të përshkojnë qytetarët për marrjen e shërbimeve do të rriten më tej, ndërkohë që sot këto distanca, mes periferisë dhe qendrave të bashkive, janë 3–4 herë më të mëdha se mesatarja evropiane. Ajo çka ofron mazhoranca është gjithashtu në kundërshtim me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, e cila parashikon dëgjesa reale me qytetarët dhe dëgjimin e zërit të tyre.

Partia e Lirisë dhe grupi i saj parlamentar do të mbështesin propozimin e opozitës për një ndarje më të drejtë të territorit, bazuar mbi objektivin kryesor, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ndalimin e shpopullimit të vendit"