Kur Parlamenti është gati të nisë punën për reformën zgjedhore, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi jep propozimet e tij. Në një intervistë për Report TV, ai është i bindur se formati aktual i KQZ-së nuk është i duhuri, por as modeli i shkuar, me disa anëtarë PS e PD, nuk funksionon.
“Organi përgjegjës për zgjedhjet të përfaqësohet nga një individ, pra të jetë një organ monokratik. I zgjedhur me konsensus, me shumicë të cilësuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me kushtin që të jetë i përfshirë edhe kontributi i opozitës, sepse mazhoranca e sotme e ka shumicën e cilësuar gati. Për shembull, mund të gjendet një mekanizëm që opozita e momentit të jetë prezent aty, me të gjitha tagrat për të monitoruar, për të verifikuar, por ai që merr vendime në të gjitha aspektet, të jetë një individ”, tha ai.
Celibashi mendon se KAS, mbase duhet të vijojë të ekzistojë, por partitë nuk duhet të kenë më kontroll në Komisionet Zonale dhe në qendrat e votimit.
“Të mos kemi komisionerë partiakë, por unë jam për një formulë hibride, jo për formulën që prezanton mazhoranca që të jenë të gjithë nëpunës civilë. Ata që do të merren teknikisht dhe praktikisht me procesin, të jenë persona të emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Se nga cili komunitet, ka variante plot, mund të jenë mësues, avokatë, juristë, apo nëpunës civilë. Nga ana tjetër, partitë kryesore politike do të duhet të kenë njerëzit e tyre, nga 2, nuk ka nevojë të kenë nga 7 e nga 8, për të qenë prezentë, por veprimet dhe përgjegjësinë e ka personi i emëruar nga KQZ. Kështu ne kemi mundësinë t’i trajnojmë këta njerëz, dhe të mos emërojmë njerëz të rastësishëm që i sjellin partitë në moment të fundi, mbase edhe pa asnjë eksperiencë zgjedhore ”.
Komisioneri kërkon nga Parlamenti rregulla më të qarta për fushatën zgjedhore.
“Financimi i partive politike dhe i palëve të treta, që nuk janë subjekte zgjedhore, por që përfshihen në fushatë. Duhet të shohim rregullat e fushatën në rrjetet sociale, në media online. Ne jemi akoma tek fushata në radio dhe televizion, ndërkohë që mjetet e komunikimit janë shumë më të larmishme sot”.
Gjithashtu KQZ-ja, sheh të domosdoshme që të qartësohen rregullat se si partia në pushtet nuk duhet të përdorë shtetin për fushatë.
“Do të duhet që ta kemi të shkruar qartë në Kod, se çfarë është ajo gjë që këta nuk duhet ta bëjnë”.
Komisioni i Posaçëm i reformës zgjedhore, ndryshe nga herët e kaluara, këtë legjislaturë duket se do të ngrihet shpejt për të çuar para ndryshimet në Kod, ndërsa seancën e kaluar e pengoi miratimin përjashtimi i Gazment Bardhit.
Komente











