Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume foli për propozimet e Ilirjan Celibashit dhe kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të nisur sa më shpejt me Reformën Zgjedhore. Sipas tij, duhen ndryshime cilësore që të shkojnë përtej këtyre propozimeve dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Për Report TV, ai tha se problemi mund të trajtohet në dy aspekte. Së pari, rregullimi i legjislacionit aktual për të adresuar problematikat, dhe së dyti, ndërhyrja në Kushtetutë. Kume tha se nëse nuk ndërhyhet në Kushtetutë, vendi të ndahet në 4 njësi zgjedhore dhe votimi të bëhet me lista 100% të hapura. Këto 4 njësi, shtoi Kume, duhet të vetëqeverisen nga organe që zgjidhen direkt nga qytetari.

“Problemi mund të trajtohet në dy plane. I pari, rregullimi në këtë legjislacion që kemi për ta bërë sa më të mirë procesin zgjedhor. Dhe e dyta, rregullimin jo vetëm të kësaj që kemi sot por ndryshimin e mënyrës se si ushtrojmë demokracinë përfaqësuese. Ne kemi nevojë dhe se kemi luksin që të kemi mundësi të barabarta për t’u përfaqësuar qytetarët në kuvend dhe të mos na ndodhë që mijëra qytetarë nuk arrijnë të përfaqësohen në kuvend si rezultat i mënyrës së si zbatohet procesi. Ajo që u kërkua me ngulm, vota preferenciale, kontributi i qytetarit për zgjedhjen e atyre që ai do të dojë të përfaqësojë në kuvend, të mirërregullohet sepse mënyra se si është realizuar vota preferenciale ka treguar se çdo gjë është bërë por jo ajo që është kërkuar të bëhet. Nëse nuk futemi në thelbin e gjësë që kërkon Celibashi (depolitizimi i komisioneve dhe numërimi në qendra votimi), të domosdoshme ndërhyrjet për financimin dhe monitorimin e fushatave zgjedhore, nëse rregullimi bëhet vetëm procedural, në aspektin teknik, më shumë sesa në thelbin e  vet, mënyra se si konvertohet vullneti i zgjedhësve në mandate. Edhe ky sistem siç është, nëse nuk duam të hyjmë në kushtetutë, mund të zbatohet me efekte të pakta negative si ato që kemi deri më sot, nëse e ndajmë në 4 njësi zgjedhore dhe votimi bëhet me lista 100% të hapura, efekti që ka kjo gjë në rezultati final është më ndryshe nga ajo që kemi sot dhe demokracia përfaqësuese do të përfaqësojë më ndryshe. “, tha Kume.

Ai komentoi edhe propozimin e kryeministrit Rama për uljen e numrit të deputetëve në 101, teksa tha se nuk pret diçka pozitive, nëse ndërhyhet në Kushtetutë vetëm për këtë dhe jo për të gjitha ndryshimet për Reformën Zgjedhore.

“Nëse kërkohet që të trajtohet si më vete. Ka diçka tjetër që nuk arrij ta them por nuk e ndjek se është pozitiv. Të ndërhyhet në kushtetutë por në të gjithë elementët. Presidentin ta zgjedhim nga populli apo kështu?. Kur të ndërhyhet në kushtetutë, duhet të bëhet për të ndërtuar një kushtetutë të re, që të jetë bazë për vetëqeverisjen e brezave që do të vijnë.”, theksoi më tej Kume.

Pak ditë më parë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kërkoi ndërhyrje të shpejta për Reformën Zgjedhore, teksa bëri 14 propozime, mes të cilave depolitizimi i komisioneve, të cilat i cilësoi një dështim. Ai kërkoi numërim në qendrat e votimit, votimin nga jashtë nëpërmjet internetit ndërsa për ankimimet zgjedhore, kërkoi shkrirjen e Kolegjit Zgjedhor, dhe shqyrtimin e këtyre kërkesave në gjykata të zakonshme.