Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua këtë të hënë me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD duke u kërkuar të përshpejtojnë punën, të bashkëpunojnë për arritjen e një marrëveshjeje dhe të zbatojnë në kohë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

Gjatë takimit, Tarran tha përparimi në reformë është thelbësor për të rritur besimin e qytetarëve te zgjedhjet.

Menjëherë më pas, Gjiknuri dhe Bylykbashi thirrën për të martën Komisionin e Reformës Zgjedhore. Në rendin e ditës rikthehen ndryshimet e urgjente që duhen pasqyruar në Kod, pas hyrjes në fuqi të Reformës territoriale, e që lidhen drejtpërsëdrejti me zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.

Reduktimi u numrit të Bashkive në 46 nga 61 të tilla që janë aktualisht, është shoqëruar sipas ndarjes së re dhe me një status të ri që u jepet qyteteve, të cilat në zgjedhjet e reja do të përfaqësohen proporcionalisht në këshillat bashkiakë. Ky parashikim kërkon dhe një formulë të posaçme për mënyrën e votimit dhe përllogaritjes së votave.

Javën e kaluar kjo pikë e rendit të ditës, e propozuar nga socialistët u bë shkas për debate me demokratët, të cilët nuk e njohin reformën territoriale, dhe kërkuan që Komisioni të merret me çështje më të rëndësishme, duke braktisur më pas mbledhjen. 

Pas këtij zhvillimi, pati një aktivizim të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, zhvilloi një ditë më pas një takim me dy bashkryetarët e Komisionit të Posaçëm, Gjiknurin dhe Bylykbashin.

“Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës”deklaroi Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, duke shtuar se “Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”
 
Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka paralajmëruar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të miratohen sa më shpejt, që administrata zgjedhore të ketë kohën e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve vendore.

Në mbledhjen e nesërme është projektligji për financimin e partive politike, të cilin komisioni pritet të vendosë ta dërgojë për një opinion urgjent në Komisionin e Venecias.

Ky komision ka dhënë edhe më parë opinionin e vet mbi një draft të hartuar nga komisioni i Posaçëm, i cili u ripunua mbi sugjerimet e Venercias dhe ekspertëve të ODIHR-it. Por palët kishin rënë dakort paraprakisht që varianti final t’i dërgohej sërish Komisionit të Venecias.

Në mbledhjen e së martës pritet gjithashtu që ekspertët të udhëzohen të nisin shqyrtimin e propozimeve ligjore të opozitës, sapo këto të dorëzohen zyrtarisht.

Berisha i bëri publike të premten propozimet e PD-së për reformën, duke kërkuar që  Shqipëria të jetë një zonë e vetme zgjedhore, me sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura.

Demokratët propozojnë gjithashtu lista plotësisht të hapura për këshilltarët bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së, një prag zgjedhor që nuk dëmton partitë e vogla dhe një raund të dytë zgjedhor me balotazh, në prani të një qeverie teknike.

Gjithashtu, PD kundërshton votimin dhe numërimin elektronik, ndërsa kërkon rishikimin e mënyrës së votimit të diasporës.

Një tjetër propozim lidhet me ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje, duke kërkuar gjoba të rënda, largim nga puna, ndëshkime penale dhe deri në heqjen e mandatit për kandidatët që kanë përfituar prej tyre.

Demokratët kërkojnë edhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në rastet kur përdorimi i burimeve shtetërore ka ndikuar në rezultatin e votimit.