Duke u ndalur tek reforma zgjedhore Spaho tha se në zgjedhjet e ardhshme PD do të kërkojë votim dhe numërim elektronik, pasi informatizimi i procesit zgjedhor i jep fund fenomeneve negative të evidentuara në zgjedhjet e shkuara.
Spaho po ashtu tha se nëse maxhoranca nuk do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, mandatet e deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli atëherë s’do ketë reformë në drejtësi.
Nënkryetari i PD-së foli edhe për ligjin e pronave, për të cilin tha se PD do të vazhdojë ta kundërshtojë pasi ligji nuk i trajton në mënyrë të barabartë njerëzit.
Pjesë nga intervista e Edmond Spahos
Në kohën kur të gjithë besonim se u arrit marrëveshja për reformën në drejtësi. Krejt papritur PD vendosi një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Deri kur do të vazhdojë kjo marrëdhënie e kushtëzuar?
Po bëhet pothuajse një muaj që ne kemi deklaruar marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin duke nënkuptuar mospjesëmarrje në komisionet parlamentare dhe mos zhvillimin e një séance normale plenare. Cilat janë arsyet që u detyruam të vijmë në një raport të tillë me kuvendin? Zhvillimet kanë të bëjnë me marrëveshjen me dekriminalizimin. Për këtë marrëveshje u investua shumë, u deshën sakrifica të mëdha nga PD, kaloi në bojkot të Kuvendit për 6 muaj. Juve ju kujtohet që një deputet i cili qëlloi me armë në publik, plagosi disa persona u lirua dhe u rikthye në kuvend. Dekriminalizimi u zerua nga maxhoranca. Ne kërkuam që të miratohen me urgjencë aktet nënligjore që i miratuan dhe kërkuam të korrigjohet ligji i dekriminalizimit dhe të parashohë edhe raste të tilla. Raste të tilla duhet që të kufizojnë aktivitetin e këtyre individëve. Kërkuam të zbatohen vendimet e Gjykatws Kushtetuese. 3 deputetë kanë konflikt interesi me të qenurit deputet. Në dy nga këto raste maxhoranca ka refuzuar ti çojë në Kushtetuese. Ne nuk po i para shpallim fajtorë megjithëse legjislacioni e ka qartë.
Zoti Basha nga Uashingtoni deklaroi se u arrit një marrëveshje, përse u ndërpre puna e komisionit?
Ne para dy javësh ishim pothuaj duke votuar për mandatin e Sulit. Maxhoranca kërkoi kohë për një sqarim teknik. Pamë një qëndrim ndryshe, duke e refuzuar çuarjen e mandatit në Kushtetuese. Është ajo kompetente për të përcaktuar nëse e humbin mandatin. Thelbi i reformës në drejtësi është zbatimi i Kushtetutës. Mund t’iu them që në lidhje me reformën në drejtësi opozita ka qenë tërësisht e qartë dhe çfarë është arritur deri tani është mbi bazën e asaj që ka ofruar opozita.
Ne i kemi përcaktuar se çfarë duhet të bëjmë. Kërkuam aktet nwnligjore që u kryen. Kërkojmë të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetëve. Asgjw më shumë e asgjë më pak. Kuvendi ka të drejtë vetëm të shikojë aspektet e karakterit formal. Kuvendi merr pozicionin e gjykatësit dhe përcakton nëse këta zotërinj apo jo fajtorë.
Nëse nuk çohen këto dy çështje, atëherë nuk ka reformë?
Në do vazhdojmë të bëjmë presion mbi maxhorancën për t’i dërguar në kushtetuese, në të kundërt s’ka reformë.
Ka pasur presion dhe nga ndërkombëtarët që e kanë hartuar këtë reformë?
Asnjë lloj presioni s’ka patur. Nuk e kuptoj se cilat janë arsyet që të mos çohen, ashtu sic u çua mandati i Kokëdhimës. Jemi të tërë të detyruar të pranojmë vendimin e Gj. Kushtetuese, por ama jo kuvendi të marrë kompetencat.
Basha u shpreh se nuk shkojmë me këtë qeveri në zgjedhje...
Kjo ka të bëjë me mungesën e garancive që kjo qeveri jep për një proces të ndershëm zgjedhor. Ju e patë në zgjedhjet e 2013 se sa fenomene negative u evidentuan nga OSBE-ODIR. Përdorimi i parasë, administratës, kontingjenteve kri inale ne fushatë. Me praktika të tilla nuk mund të hyhet në zgjedhje. Kemi kërkuar që në kuadër të reformës të adresohen këto shqetësime jo vetëm të PD por edhe të komunitetit ndërkombëtar.
Ka nisur puna për reformën?
Komisioni ka filluar. Është në hapat e parë.
Çfarë kërkoni ju të ndryshojë?
Procesi i votimit, i numërimit, financimi i fushatës elektorale. Të shikojmë cfarë shpenzojnë partitë për të gjykuar nga vijnë paratë.
Kush mund t’i gjykojë?
Ka mekanizma nga më të ndryshmet.
Do kërkoni që të votohet dhe numërohet elektronikisht?
Po, një projekt që ka filluar prej disa vitesh dhe që s’ka arsye që të mos aplikohet.
Është shprehur si shqetësim edhe nga KQZ dhe vëzhguesit, që një nga problemet më të mëdha është militantizmi i dy partive të mëdha. Mendoni se duhet ta marrë administrata komisionin?
Nuk mendoj se ky është problemi kryesor që ka sistemi. Për sa kohë vërshojnë para, ka pak rëndësi si komunikojnë komisionerët e dyja palëve. Deformimi i vullnetit të zgjedhësve ka ndodhur para se të arrijë tek momenti i numërimit. Informatizimi i votimit dhe numërimit do evitojë shumë nga këto probleme që ju përmendët.
Kam parasysh në rastin në Florida në vitin 2000 ku çështja shkoi në Gjykatën Supreme. 4 vjet më vonë u aplikua votimit elektronike dhe në 2004 nuk pati probleme.
Ky propozimi juaj a është përkrahur nga pala tjetër?
Është kërkuar nga pala tjetër. Do të përmirësojë procesin. Edhe rezultati del në kohë shumë të shpejtë.
Pritet të diskutoni dekretet e presidentit për ligjin e pronave. Keni qenë ju të parët që e keni kundërshtuar këtë ligj. Përse?
Ne e kemi kontestuar dhe nuk është vetëm PD, por edhe grupet e ish pronarëve. Madje zgjidhja e propozuar nga qeveria konsiderohet nga ne si antikushtetuese. Modeli i propozuar mohon njohjen dhe kthimin e pronës. Nëse një pronë ekziston fizikisht e paprekur e padeformuar ajo nuk do t’i kthehet në mënyrë të menjëhershme apo domosdoshmërisht atij që e disponon. Ligji ndryshon skemën e vlerësimit dhe kompensimit. Ka vetëm dy referenca me vlerësimin, çmimet e viteve 45-70 kur janë bërë pjesa dërrmuese e shtetëzimeve. Kjo e ul vlerën e pronës dhe pretendimeve të ish pronarëve. Një nga kontestimet është që njerëzit nuk do trajtohen në mënyrë të barabartë nga ligji. Gjykata e Strasburgut po jep vendime bazuar mbi mënyrën e vjetër të vlerësimit. Një kategori po vazhdon të marrë vendime nga Strasburgu kurse pjesa tjetër do detyrohet të trajtohet me klauzolat e ligjit të ri. Për të gjitha këro rezerva do ta kundërshtojmë.
Cila është zgjidhja?
Nevoja për të përmirësuar në aspektin administrativ, për të shkurtuar burokracitë ka qenë evidente. Parimet thelbësore duhen ruajtur. Do një angazhim pavarësisht kohës së madhe që mund të marri. Në të kundërt të gjithë do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)