Tryeza zgjedhore miraton kalendarin e punimeve dhe afatet/ Më 10 mars diskutohet sistemi! Zbardhen propozimet e PD-së

TIRANË- Katërshja e reformës Zgjedhore Gjiknuri, Bylykbashi, Hajdari, Vasili së bashku me ekspertët përkatës miratuan sot kalendarin e punimeve për Reformën Zgjedhore, por edhe përcaktuan afatet e punimeve.

Siç shihet në dokumentin e siguruar nga Report Tv diskutimet për ndryshimin e sistemit, një nga pikat kryesore të opozitës jashtëparlamentare përfaqësuar nga Rudina Hajdari, do të diskutohet në datën 10 mars. Ndërkohë është futur në si temë e diskutimeve në tryezë, vota e emigrantëve që është parashikuar për t'u ulur 1 mars.

Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari pas takimit tha se ndryshimet mund të sjellin edhe riformulim të Kushtetutës. Nga ana tjetër, teksa e quajti 15 marsin si një afat ambicioz, Damian Gjiknuri vuri theksin se nëse palët kanë vullnet mund të ia dalin që të dorëzojnë draftin final dhe për ta çuar më pas për opinion OSBE-ODIHR.

Në përfundim të takimit foli edhe përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi , ispas së cilit opozita po ecën me ritme të shpejta duke përfshirë në kalendar dhe sistemin zgjedhor. Nga opozita, ekspertët e përzgjedhurit janë Arjan Madhi-PR; Shkëlqim Sulo- PDIU; Muharrem Caka-LSI dhe Ivi Kaso-PD. Ndërsa PS-ja përfaqësohet nga Tritan Caka. Në tryezë ishin gjithashtu edhe Ilir Rusmajli dhe Viktor Gumi, ekspert të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Në takim e sotëm mori pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe Norman Ducman, i cili pati një rol të rëndësishëm në uljen e palëve politike në një tryezë për Reformën Elektorale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:20
Takimi i Zgjedhores/ Bylykbashi: I hap rrugë propozimeve konkrete për Reformën (VIDEO)

Për përfaqësuesin politik të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, mbledhja e sotme për 'Zgjedhoren' ka një rëndësi të madhe pasi i hap rrugë konkrete për të diskutuar dhe miratuar propozime për këtë Reformë.

"Ajo që ka rëndësi është se me këtë dokument të sotëm dhe metodologjinë që ai përfshin, i hapet puna rrugës konkrete për të diskutuar dhe miratuar propozime për Reformën Zgjedhore. Opozita është e angazhuar maksimalisht për të ecur me shpejtësi me drafte, me propozime konkrete, duke marrë në konsideratë punën  që është bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore që në kohën kur opozita ishte palë e atij Komisioni.

Ajo që ka rëndësi të thuhet është se dokumenti i sotëm përfshin të gjitha çështjet që kemi ngritur politikisht në Këshillin Politik, ku do të përfshihen, çështja e shitblerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e shqiptarëve; çështja e sistemit zgjedhor. Të gjitha masa që kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike. Një angazhim dhe një standard i OSBE-së pa të cilin çdo kornizë ligjore pëson fatin e ndryshimeve që janë bërë deri më sot. Ky është thelbësor në procesin që po nisim që nga sot", tha Bylykbashi.

Ora 12:15
Hajdari flet pas takimit për Reformën Zgjedhore: Do ketë ndërhyrje edhe në kushtetutë! 15 Marsi duket një datë e pamundur (VIDEO)

Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore pas takimit të ekspertëve dhe përfaqësuesve politikë për këtë reformë. Hajdari tha se nuk është përjashtuar nga tryeza diskutimi për sistemi politik, ndërsa shtoi se ndryshimet mund të sjellin edhe riformulim të Kushtetutës.

"Ramë dakord për kalendarin, çështjet që do shtrojmë. Asgjë nuk është kufizuar në trajtim. Do trajtohet sistemi zgjedhor, çështja e votës së diasporës. Të gjitha këto duan kohë dhe seriozitetin e duhur që ne të kemi dakordësi. Duhet të arrijmë një produkt final, më të përshtatshmin për shqiptarët për t'i garantuar atyre të drejtën e të zgjedhurit. Ju garantoj që në vijim e sipër e rëndësishme mbetet transparenca e kësaj tryeze dhe mbikëqyrja e kësaj tryeze nga ndërkombëtarët. E shikoj 15 marsin si një datë ambicioze, dhe shumë e pamundur, por ekspertët do ulen do punojnë paraprakisht. Ekspertët do ulen dhe 15 marsi do jetë afati i fundit kur ne do biem dakord. Do ketë nëse do jetë e nevojshme edhe ndërhyrje në kushtetutë. Nuk do të ketë thjesht një ndryshim për makiazh. Kjo reformë zgjedhore duhet të merret seriozisht dhe të çohet deri në fund", tha Hajdari.

Ora 12:14
Axhenda e punës së 'Zgjedhorës'/ Më 10 mars diskutohet sistemi! Pjesë e diskutimeve dhe vota e emigrantëve

Në Tryezën për Reformën Zgjedhore është miratuar dhe kalendari apo axhenda e punimeve për produktin final të dakordësuar. Siç shihet në dokumentin e siguruar nga Report Tv diskutimet për ndryshimin e sistemit, një nga pikat kryesore të opozitës jashtëparlamentare përfaqësuar nga Rudina Hajdari, do të diskutohet në datën 10 mars. Ndërkohë është futur në si temë e diskutimeve në tryezë, vota e emigrantëve që është parashikuar për t'u ulur 1 mars. Afati i fundit ku pritet që të ketë një draft përfundimtar, që do i çohet për një opinion nga ODIHR para se të votohet në parlament është përcaktuar 15 mars, datë kjo e cilësuar nga bashkëkryetari Damian Gjiknuri ambicioze, por që me vullnet mes palëve mund të arrihet. 

Axhenda e tryezës për Reformën Zgjedhore
Ora 12:12
Zbardhen propozimet e PD-së për Reformën Zgjedhore

“Ndarje e shtetit nga partia”,  propozimet e opozitës për reformën zgjedhore,  vendosen prioritetet: masa kundër shitblerjes së votës, ndarja e politikës nga krimi, përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, dhe sistemi zgjedhor.

Për të përmbushur afatin e 15 marsit, grupit i punës ka listuar 12 çështje kyçe, ku vërehet se pjesën më të madhe e zënë kërkesat e opozitës për të patur një proces zgjedhor me standarde demokratike, dhe ku përfshihet edhe çështja e sistemit zgjedhor.

Çështja e parë në axhendën e punës, që i duhet dhënë zgjidhje deri në fillim të shkurtit është parandalimi dhe goditja e krimeve zgjedhore, ku përfshihen “masa per rolin e policisë, prokurorisë dhe gjykateve në procesin zgjedhor kundër shitblerjes së votës, presionit mbi zgjedhesit dhe administratën, cënimit të sekretit dhe lirisë së votës dhe abuzimi me burimet shtetërore”.

Çështjet e tjera që janë përfshirë në kalendarin e punës për t’u trajtuar me prioritet kanë të bëjnë me ndarjen e politikës nga krimi, një kërkesë e vazhdueshme e opozitës, për të cilën parashikohet forcimi i zbatimit të procesit të dekriminalizimit, financimi i partive politike dhe përfshirja e teknologjisë elektronike në zgjedhje.

Gjithashtu, grupi i punës, i cili i kryen diksutimet ka renditur mes çështjeve prioritare listat e zgjedhësve, pajisjen me karta ID dhe parandalimin e votinit fiktiv, rolin e medias në fushatë, parandalimin e abuzimit me burimet shtetërore dhe administratën publike, paanshmërinë e administratës zgjedhore në të gjitha nivelet.

Një nga çështjet prioritare që pritet të diksutohet rreth fillimit të marsit është sistemi zgjedhor.

“Parakusht që keto masa të jenë efikase, është krijimi i një fushe loje të barabartë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimit të “ndarjes së shtetit nga partitë politike” në perputhje me Angazhimin e OSBE-së të parashikuar nga paragrafi 5.4 i Dokumentit te Kopenhagenit.”- thuhet në dokumentin e dakortësuar për çështjet prioritare të reformës zgjedhore.

Gjithashtu, grupi i punës ka vendosur që për të gjitha çështjet prioritare përfaqësuesit e opozitës “të dorëzojnë propozime në formën e drafteve ligjore dhe zgjidhjeve të mundshme alternative në përputhje me standardet e ODIHR-it për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Grupi i punës ka vendosur që “për çështjet që do të ketë dakordësi të plotë dhe të përgatitura në nivel teksti ligjor të dakordësuar, draftet do të dërgohen për opinion paraprak tek ekspertët e ODHIR, si dhe propozimet për votimin nga jashtë vendit.

Ora 12:09
'Zgjedhorja'/ Gjiknuri: Presim propozimet zyrtare të PD-së! 15 marsi datë amicioze, por mund t'ia dalim (VIDEO)

Në përfundim të takimit, bashkryetari i Komisionit të Reformës Zgjdore, Damian Gjiknuri tha se mbledhja e sotme ishte për të dakodësuar axhendën e punës dhe afatet. Teksa e quajti 15 marsin si një afat ambicioz, Gjiknuri vuri theksin se nëse palët kanë vullnet mund të ia dalin që të dorëzojnë draftin final dhe për ta çuar më pas për opinion OSBE-ODIHR.

"U diskutuan kuatot gjinore, parandalimin e krimeve zgjedhore, pra të gjitha çështje dhe disa shqetësime të ngritura nga opozita, por që ne ia kemi bërë të qartë opozitës që për çështje specifike le të vijnë me propozimet e tyre dhe ne do t'i shqyrtojmë. Këtu kemi një dakordësi. Në 15 mars kjo punë të fillojë, është bërë një punë e mirë me draftet teknike. Sot ishte për të dakordësuar axhendën e punës dhe afatet. Opozita mori përsipër që për një pjesë të temave të sjell propozimet e saja. Është afat ambicioz që nëse ka vullnet mund t'ia dalim", tha Gjiknuri.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Kanali i mbushur me kastravecë, fermerët në Berat hedhin prodhimin

VIDEO/ Kanali i mbushur me kastravecë, fermerët në Berat hedhin prodhimin