TIRANË, 11 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ - Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në promovimin e Zyrave të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.
Sipas kreut të qeverisë, reformimi i kësaj agjencie është "plotësim i një nevoje të domosdoshme".
"Jemi në kushtet kur agjencia e rilindur e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka hyrë në procesin e punës. Në ditet në vijim kemi përcaktuar dhe një itinerar për të promovuar aplikantët dhe aplikimet e suksesshme si një instrument që fermerët shqiptarë të informohen sa më shumë lidhur me ndryshimin e qasjes që ne kemi përcaktuar me politikën tonë të re për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm rural", tha Rama.
"Sot jemi në kushtet kur kemi plotësuar një nevojë të domosdoshme pasi në progres raportin e tetorit 2013 kjo agjensi ishte vënë në shënjestër si një institucion që nuk plotësonte standardet për të administruar fondet. 100 punonjës ishin kyçur në 11 zyra të ngarkuara me njerëz dhe mjete në pamundësi të plotë për të ushtruar detyrën e tyre ashtu si duhet. Përfundimi në dhjetor i këtij, transformimi strukturor dhe ndërtimi hap pas hapi nga kjo agjensi i rrugës të përcaktuar në qasjen tonë të re, ka bërë që sot të jemi shumë optimistë për mundësinë që kemi krijuar për të përthithur më shumë fonde dhe për ti akorduar në mënyrë të efektshme. Jemi krenar sepse në kohë rekord kemi përgatitur kuadrin ligjor që bën të mundur akreditimin e agjensisë nga BE si kusht për të përthithur fondet të programit të zhvillimit të përbashkët bujqësor. I kryer në më pak se 300 ditë qeverisje pas vitesh të tëra rrënimi", u shpreh Rama.
"Fermerët tanë punojnë në kushte primitive pasi shteti i kishte kthyer krahët fermerëve që kur se s'mbahet mend dhe fermeri shqiptars ishte fermeri i vetëm në Europë pa asnjë përkrahje të qëndrueshme nga shteti", u shpreh Kryeministri Rama.
Rama theksoi se qeveria rriti me 70% buxhetin për bujqësinë dhe se përmbysja në këtë sektor ka filluar.
"Është shumë e rëndësishme hapja e sportelit unik për të lehtësuar procesin e informimit të fermerëve. 70% u rrit buxheti për bujqësinë në vitin më të vështirë të mandatit tonë, që ishte viti i parë buxheti i paerë në ditët e para të qeverisjes kur na duhej të administronim malin e borxheve të fshehura që gjetëm. Sot jemi në kushtet kur nuk pretendojmë se kemi përmbysur situatën por kemi arsye të mendojmë se përmbysja ka filluar. Procesi i ndryshimit të qasjes dhe marrëdhënieve me fermerin na ka dhënë si fillim një rezultat pozitiv sa i atakon aplikimeve që ka marrë agjensia. 30% rritje e eksporteve të bujqësisë në 5 muaj e parë me siguri do të thotë diçka. Kemi lehtësuar në mënyrë të ndjeshme fermerin nga presioni i jashtëzakonshëm i korrupsionit dhe një administrate që i rrinte në qafë për ti marrë frymën në mënyrë që ti nxirrte pjesën e vet. Në vizitat që kemi bërë kemi konstatuar lehtësimin e fermerit nga kjo barrë e rëndë e së shkuarës. Jo pak fermerë a kanë thënë që mjafton ky lehtësim për të marrë rrugën me një ritëm të ri", tha shefi i qeverisë.
/f.n/