Komandanti i Forcës Tokësore të Forcave të Armatosura të SHBA-ve për Evropën, gjenerallejtënant Ben Hodges, u takua sot në Tiranë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo dhe më pas edhe me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Petro Koçi.

Në një deklaratë për mediat pas takimit me zyrtarin ushtarak amerikan, Bazo tha se diskutoi me të edhe për çështjen e refugjatëve.

Ka një “kujdes të shtuar nga ana jonë për implikimet që mund të sjellin zhvillimet në kufijtë jugor të Aleancës”, deklaroi Bazo.

Ndërsa, Hodges tha se vizitoi për herë Shqipërinë për tre arsye: për të forcuar më tej lidhjejen ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve si dy vende anëtare të NATO; “Të ofroja dhe mbështetjen për ambasadorin amerikan këtu” dhe “të kuptoj sfidat dhe vështirësitë reale me të cilat përballen FA shqiptare”.

“Samiti tjetër i NATO do të jetë në korrik në Varshavë dhe besoj se synimi kryesor do të jetë shmangia apo parandalimi i agresionit rus në veri, duke mos harruar dhe pjesën jugore. Pra dhe njëherë arsyeja kryesore pse ndodhem këtu është për t’u njohur me sfidat që ju përballeni dhe se si Amerika mund të japë ndihmesën e saj në këtë drejtim”, deklaroi Hodges.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)