Refuzimi i dorëheqjes/ Statuti detyron Berishën të votëbesohet në Këshillin Kombëtar, kusht 70% të votave pro! A do t’a zbatojë rregullin që ka miratuar vetë? 

Sali Berisha refuzon dorëheqjen dhe largimin nga selia blu pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e lokale të 14 majit, ku arriti të fitonte vetëm në 7 bashki nga 61 gjithsej, 8 bashki më pak se sa Lulzim Basha në vitin 2015. “Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës”, tha Berisha. Një qëndrim pothuajse të njëjtë ka mbajtur edhe aleati i tij, Ilir Meta, të cilit Berisha sot e akuzoi për humbjen, për shkak të emrit të tij në fletën e votimit. 

Por që Sali Berisha të qëndrojë në krye të Foltores apo Rithemelimit, grup politik që pretendon se përfaqëson Partinë Demokratike, duhet që të kalojë në një proces votëbesimi në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike që drejton, edhe pse nuk njihet si e tillë nga gjykata, pasi deri në një vendim të formës së prerë, si PD zyrtare njihet partia me në krye Enkelejd Alibeajn. Pika 9 e nenit 46 të statutit të Foltores, miratuar në Kuvendin Kombëtar të dhjetorit 2021 në stadiumin ‘Air Albania’, parashikon që kryetari i partisë, pas zgjedhjeve vendore, duhet të votëbesohet në Këshillin Kombëtar. 

Që kryetari i partisë, në rastin konkret Sali Berisha, të quhet i votëbesuar, duhet që të votojnë pro tij jo më pak se 70 % të anëtarëve të Këshillit Kombëtar që marrin pjesë në votim. Në statutin e Foltores dhe Rithemelimit nuk parashikohet asnjë alibi apo pretendim për mundësinë e deformimit të zgjedhjeve. Mbetet për t’u parë nëse Sali Berisha do t’a zbatojë këtë pikë të statutit, të cilën Berisha e ka miratuar vetë.

Me qëllim për të larguar Lulzim Bashën dhe për të marrë vetë drejtimin e PD-së pasi Basha e përjashtoi nga partia, Sali Berisha miratoi rregulla të forta në statutin e PD-së, për përgjegjësinë e kryetarit në rast se partia humbet zgjedhjet. Në statut u vendos që kryetari i PD-së jep dorëheqjen e menjëhershme dhe nuk ka të drejtë të rikandidojë për drejtimin e partisë, nëse humbet zgjedhjet e përgjithshme. Nëse humbet zgjedhjet lokale, duhet të votëbesohet. 

Sali Berisha e shkarkoi Lulzim Bashën 7 muaj pasi PD-ja humbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, edhe pse Basha ishte rizgjedhur me votë kryetar dhe ashtu si Berisha, u justifikua se i kishin vjedhur zgjedhjet. Dhe rezultati i PD-së në 2021 nuk mund të krahasohet me rezultatin shkatërrues të Berishës në 14 maj 2023.

Statuti i Berishës

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Së shpejti do të merrni një propozim shumë interesant...çfarë kanë rezervuar yjet për sot

Së shpejti do të merrni një propozim shumë interesant...çfarë kanë rezervuar yjet për sot