Hashim Thaçi nuk do të lirohet nga paraburgimi, pavarësisht se mbrojtja ofroi një dorëzani prej 50 mijë eurosh dhe propozoi 14 kushte për lirimin e tij me kusht.

Gjyqtari i vetëm në çështjen për tentim pengimi të drejtësisë vendosi t'ia zgjasë paraburgimin edhe për dy muaj, duke lënë në fuqi masën deri të paktën në tetor 2026.

Në vendim thuhet se garancia financiare prej 50 mijë eurosh, e ofruar nga vëllai i Thaçit dhe dy miq të tij, është një element pozitiv dhe ndihmon në uljen e rrezikut të arratisjes. Për këtë arsye, gjyqtari vlerësoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka arritur të argumentojë bindshëm se ekziston një mundësi reale që Thaçi të largohet.

Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta liruar nga paraburgimi. Sipas gjyqtarit, mbetet rreziku që Thaçi të ndikojë në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara ose të kryejë vepra të tjera të ngjashme, çka justifikon vazhdimin e masës së paraburgimit.

Hashim Thaçi është i vetmi nga të akuzuarit në këtë proces që vazhdon të mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen. Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj janë liruar më herët me kusht, nën 14 masa, përfshirë edhe dorëzaninë, ndërsa Hajredin Kuqi është mbrojtur në gjendje të lirë që nga fillimi i procesit.