Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton nuk do t’i binden thirrjes së Kongresit për të dëshmuar në kuadër të hetimit për rastin e Jeffrey Epstein.
Në një letër të publikuar në rrjetet sociale, Clintonët e cilësojnë thirrjen e komisionit të kontrolluar nga republikanët si “ligjërisht të pavlefshme”. Ata i janë drejtuar kryetarit të Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, duke theksuar se procesi që po ndiqet, është sipas tyre “i ndërtuar drejtpërdrejt për të çuar në burgosjen tonë”.
Nga ana e tij, Comer ka deklaruar se javën e ardhshme do të nisë procedurat për shpërfillje të Kongresit.
“Askush nuk po i akuzon Clintonët për ndonjë shkelje. Ne thjesht kemi pyetje,” u shpreh Comer para gazetarëve, pasi Bill Clinton nuk u paraqit në një seancë të planifikuar dëgjimore. “Çdokush do ta pranonte se ata kanë kaluar shumë kohë bashkë”, shtoi ai.
Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë për shkelje ligjore në lidhje me Epstein, por marrëdhënia e tij e njohur me financierin gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 është vënë në qendër të vëmendjes nga republikanët, të cilët kërkojnë një pasqyrë të plotë të rrethanave që lidhen me veprimtarinë e Epstein.
Epstein u arrestua në vitin 2019 me akuza federale për trafikim seksual dhe komplot. Ai u gjet i vdekur në qelinë e një burgu në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin.
Sipas praktikës parlamentare, disa ish-presidentë amerikanë kanë dëshmuar vullnetarisht para Kongresit, por asnjë prej tyre nuk është detyruar me thirrje zyrtare.
Comer ka bërë gjithashtu të ditur se komisioni nuk do të tentojë të detyrojë dëshminë e presidentit aktual Donald Trump, duke argumentuar se një president në detyrë nuk mund të detyrohet të dëshmojë para Kongresit.
Komente









