Regjisorët, “leksione” kundër
dhunës në familje

Regjisorët, “leksione” kundër<br />dhunës në familje
TIRANË - Mbizotëron dhuna në familje dhe sigurisht mesazhet duken si “leksione” kundër saj. Edhe pse në Shqipëri nuk janë tipike rastet ekstreme të dhunës dhe ndrydhjes së fëmijëve në familje, festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut që po zhvillohet këto ditë në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” e ka nisur ditën e parë të tij me një histori të pazakontë. Shkrimtarja indiane Samsudeen Rajathi rrëfen jetën e saj në një film.

Vuajtja e saj është për të njëjtat shkaqe nga të cilat vuajnë sot në botë miliona femra. Ndaj shkrimtarja e njohur me pseudonimin Salma është kthyer në një personazh në filmin dokumentar me po të njëjtin titull dhe ka rrëfyer sesi mbahej mbyllur nga familja për 25 vjet e në pamundësi për t’u shkolluar. Mesazhi i dokumentarit është protesta e Rajathit për shoqëritë e pacivilizura që e trajtojnë gruan si qenie seksuale. Filmi dokumentar la mbresa në ditën e parë të e festivalit, ndërkohë që edhe dje në ditën e dytë të këtij festivali janë shfaqur filma artistikë e dokumentarë me tema të ngjashme.

Festivali i filmit,  që do të vijojë deri më 30 shtator, ka sjellë filma të të bazuar kryesisht në problematikat që lidhen me çështje të ngjashme me problematikat e vendit tonë.  Temat qendrore të këtij edicioni lidhen me aspekte të krimit të organizuar, të korrupsionit, terrorizmit, fondamentalizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, shfrytëzimit të të miturve, skllavërisë moderne dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore. Janë përzgjedhur 35 filma artistikë, dokumentarë dhe të shkurtër, nga mbi 300 filma të paraqitur, ndërkohë që një pjesë e filmave që do të shfaqen për publikun janë të ndaluar në vendet e tyre të origjinës. 

Përveç këtyre, një përzgjedhje e veçantë i është kushtuar filmave me karakter frymëzues e sfidues për njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët do të jenë pjesë e forumeve në 28 shtator. Gjatë pesë ditëve të festivalit do të zhvillohen forumet e paradites me pjesëmarrjen e gjimnazistëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme, me debate që lidhen me të drejtat e njeriut. Filmat do të shfaqen në orën 16:00.

Organizatortë e festivalit shprehen për gazetën se “Duke iu referuar ngjarjeve të shpeshta në Shqipëri, sidomos të viteve të fundit, organizatorët e këtij Festivali vendosën që temë qendrore e këtij edicioni të jetë dhuna në familje, por njëherësh, gjatë ditëve te Festivalit, spektatorët do të shohin filma me të tjera tematika të mprehta shoqërore. Sipas ambasadorit të Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson: “Tema e këtij viti, dhuna në familje, është shumë e gjetur. Përfshirja e Suedisë në këtë festival është shprehje e qartë e angazhimit tonë afatgjatë në fushën e të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes dhe barazisë gjinore në Shqipëri”.

Ndërsa Detlef Palm, përfaqësuesi i UNICEF-kryetar i bordit të IHRFFA është optimist, duke thënë se “unë jam i sigurt se filmat do të ofrojnë më shumë njohuri në fushën e të drejtave të njeriut, mbi mënyrën se si vendet dhe kulturat e tjera merren me këtë çështje dhe se vetë ky festival i rëndësishëm dhe të gjithë ne do të kontribuojmë për të bërë një ndryshim edhe në Shqipëri”.

Shkrimi u publikua sot (25.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024