Regjisori flet për kinematografinë, Bujar Alimani: Mbështes platformën e Ilir Butkës

Regjisori flet për kinematografinë, Bujar Alimani: Mbështes platformën e Ilir Butkës

Në foto: Regjisori Bujar Alimani

Regjisori Bujar Alimani analizon situatën ku gjendet sot kinematografia shqiptare. Ai flet për ecurinë e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë gjatë viteve të fundit, por ndalet edhe tek problematikat që hasin çdo ditë kineastët.Ndonëse, jeton mes Shqipërisë dhe Amerikës, Alimani kurrsesi nuk rri as pa analizuar as garën e katër konkurrentëve, (mes kineastit Ilir Butka, regjisorit Eduart Makri, artistes Yllka Gjollesha dhe producentes Elkjana Gjipali), për drejtues të QKK-së, ku mes tyre vlerëson platformën e zotit Ilir Butka. Regjisori Bujar Alimani ka realizuar gjatë këtyre viteve, disa filma, si “Amnistia”, “Krom”, “Delegacioni” etj.

Zoti Alimani, si e shikoni gjendjen e kinematografisë shqiptare gjatë viteve të fundit?

Kinematografia jonë gjatë viteve të fundit ecën me dy shpejtësi, që në fakt ecin në të njëjtin drejtim. Por, për hir të së vërtetës mund të them se reformat e ndërmarra nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë vitet e fundit ecin para në të njëjtin drejtim me atë të regjisorëve, të cilët përpiqen që të arrijnë shpejtësinë e institucionit. Ka një rritje të ndjeshme të prodhimit shqiptar të filmave. Presim që kjo natyrisht të sjellë edhe cilësinë.

Nëse flasim për cilësinë e filmave të fundit të prodhuar, debatet që hapen kanë të bëjnë me skenarët.  Kineastë të shumtë thonë se duhet të ketë një përzgjedhje më të kujdesshme në këtë pikë dhe një komision profesionistësh. Ç’mund të na thoni ju për këtë?

Është e vërtetë se skenarët mund të përbëjnë një problem. Por unë i vë theksin gjithnjë regjisë, duket sikur i kemi ndarë këto dy elemente në kinematografi, që në fund të rezultatit bëhen një, domethënë filmi. Filmi është ose nuk është i mirë, e herë-herë e kemi të vështirë të ndajmë skenarin nga regjia, sepse në konceptim e filmit autor, që ne ndjekim regjia shpesh është e përfshirë bashkë me skenarin. Nuk i besoj termit “script doctor”, i besoj aftësisë estetike të autorit. Përzgjedhjet që bëjnë bordet,natyrisht që duhet të marrin parasysh përveçse skenarit, kryesisht regjisorin. Regjisori është ai që realizon filmin, ai që e kompletin atë, përgjegjësi kryesor për cilësinë e tij. Edhe producenti tek ne mendoj se luan rol paralel, në mos dytësor. 

Problematika kryesore që të rinjtë në këtë fushë cekin ka të bëjë me fondet. Buxheti i ulët që atyre u caktohet për një film, nuk i lejon që të gjejnë bashkëprodhues të jashtëm. Çfarë mendoni se mund të bëhet në këtë pikë?

Këtu mendoj se biem dakord të gjithë në një pikë, rritja e buxhetit. Buxhetet për filmat janë të ulët e kjo është e vërtetë. Por mendoj se edhe me këtë gjë spekulohet mjaft. Kam idenë se kineastët (nuk e di a kam të drejtë apo jo) ankohen se nuk u mjaftojnë buxhetet për një film, pasi në thelb buxheti nuk mjafton për ata të fitojnë. Kjo mund të jetë një gjë e natyrshme, por le ta ndajmë; është çështje mosfitimi (gjë e ndershme edhe po të ndodhë) apo ngushtësi, që çon filmin në mosrealizim apo realizim shkel e shko. Në këtë pikë rol të madh luan producenti i filmit, i cili që në fillim merr parasysh një x buxhet me të cilin ka rënë dakord që më parë për aplikim, aprovim apo firmosje kontrate me institucionin për filmin, i cili fillon të kalojë në prodhim. QKK ka krijuar disa seksione, në të cilat zgjuarsisht kineastët mund të aplikojnë edhe të realizojnë filmat me buxhet, ose me buxhet të ulët. Kjo varet nga tema që ata zgjedhin, skenarët të cilët përkojnë me seksionin ku aplikojnë (te seksioni i filmit independentë fare kollaj do të mund të konkurrojë me një skenar, i cili zhvillohet në një vend veprimi me dy apo tre personazhe, e kjo natyrisht varet nga ngjarja, konflikti etj. Me fjalë të tjera nga skenari).

Distribucioni nëpër rrethe përbën një tjetër ngërç që filmi të shkojë tek publiku. A mendoni se ka ardhur koha që t’i kushtohet më shumë vëmendje kësaj pjese?

Në këtë pikë mendoj se rol të veçantë do të luajnë bashkitë e qyteteve. Në të gjithë botën kinematë e qyteteve i menaxhojnë bashkitë edhe kjo mund të luajë rol, që producentët e filmit shqiptar të mos ngatërrohen me distributor kinemaje (që në Shqipëri janë të paktë e në të shumtën e rasteve pronarë kinemash). Bashkitë mund të ofrojnë sallat për publikun kundrejt shifrave minimale të qerasë apo shumë herë edhe falas. Kemi nevojë që publiku të rikthehet në kinema pasi kemi kaq vjet që e kemi humbur atë.

Festivalet që mbahen nga Qendra shpesh kanë një numër të ulët spektatorësh. E njëjta gjë ndodh edhe me filmin. Përse ndodh kështu sipas jush dhe çfarë do të propozonit për të përmirësuar këtë aspekt?

Festivalet e filmit në Shqipëri që sponsorizohen nga QKK vite më vonë do na duken si shkëndija të pasionit të disa njerëzve që e duan kinemanë. Jetojmë në kohëra të digjitalizimit dhe ky nuk është vetëm problem i yni. Festivalet në Shqipëri duken sikur vit pas viti po fiken, sikur ka festivale që për x arsye nuk eksitojnë më. Mendoj se platformat edhe strategjitë e atyre që drejtojnë Festivalet e Filmit janë për të dëshiruar. Programet duhet që të jenë më të pasura dhe kryesore në një festival nuk bëhet asnjëherë pa u thënë ata, që u themi “yje” të kinemasë, përfshi këtu edhe aktorë, por edhe personalitete botërore të fushës së regjisë. Gjithnjë festivalet e mëdha nuk mund të mendohen pa këta “movie star” nëpër programe. Plus një sensibilizim më të madh në fushë e mediatizimit të tyre.

Janë bërë hapa pozitiv për rritjen e buxhetit, edhe pse siç edhe vetë zoti Ilir Butka ka pohuar buxheti vjetor për QKK-në jashtë do të konsiderohej minimale dhe për prodhimin e një filmi të mirë. Si ndikon kjo pjesë tek kineastët? Tek ju vetë a ka ndikuar dhe a keni menduar se mund të bënit më mirë?

Buxheti i QKK rritet me pikatore. Është dëshpëruese kjo përqasje e shtetit kundrejt kinematografisë sonë. Ne mund të kemi dhjetëra probleme, por kemi shkëlqyer me disa filma dhe trofe në arenën ndërkombëtare. Nuk është e lehtë të hysh në mes të më të mirëve e të fitosh madje. Dhe mendoni se ne vijmë me trofe nga festivale prestigjioze me një buxhet vjetor filmi qesharak në raport me fqinjët, më të varfër se në një imazh shtetëror. Në thelb kjo gjendje nuk mund që të vazhdojë, kineastët nuk mund që të ndrydhin fantazinë për të krijuar medoemos skenarë ku kushtëzohet ideja, sepse nuk gjenden më pas financimet. Një krijues duhet që të jetë i lirë në thelb që të krijojë një skenar, apo ashtu si i thotë imagjinata e tij, e kjo mund të kërkojë buxhet të lartë. Pra këtu preket që në gjenezë cilësia. Më sipër përmenda kineastët në fillesat e tyre të filmit independent, por buxheti i ulët kufizon dhe regjisorët e karrierës.

Janë aktualisht 4 kandidatë në garë për kryetar të QKK-së. 3 prej tyre kanë bërë publikë objektivat që kanë për Qendrën, nëse zgjidhen. Duke pasur parasysh zhvillimet nën mandatin e zotin Butka, dhe propozimet e fundit çfarë mendimi keni krijuar?

Absolutisht mbështes kandidaturën e zotit Ilir Butka për disa arsye. Nuk po analizoj platformat, pasi nga tre që e kanë bërë publike, i katërti nuk e ka bërë transparente platformën e tij. Por dua që të ndalem tek puna që ka bërë edhe ajo që ka arritur Qendra Kombëtare e Kinematografisë nën drejtimin e Ilir Butkës, për të cilën mendoj se është platforma më e mirë. Aktiviteti i tij, njohjet që ka arritur të krijojë edhe të shpërndajë, duke lidhur shumë kineastë shqiptarë me prodhues të huaj, krijimi i Ballkan Film Market, që sjell kineastë nga i gjithë rajoni në Shqipëri edhe jo vetëm. Hapja më në fund e seksioneve me të cilët gjithë gama e filmëbërsëve në Shqipëri do të mund të konkurrojë e të fitojë me projekte nga më të ndryshimit, mendoj se janë kolona kryesore më të cilën ai e ka vendosur QKK-në, duke i dhënë fund këtij institucioni frymën e kolalizmit dhe duke e bërë pjesë të pistës evropiane të filmit. Mendoj se absolutisht do duhet të jetë në krye të QKK-së për të shtrirë akoma më shumë strategjinë, që ka për ta bërë Shqipërinë nga mosvëmendje në faktor kinematografik. Frytet e një pune ne shqiptarët jemi mësuar, që t’i shikojmë te këmbët. Le të mësohemi që të shikojmë pak më përtej, në horizont.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë