Mario Banushi është rritur në Shqipëri deri në moshën gjashtëvjeçare, përpara se të rikthehej në Greqi, ku ka lindur në vitin 1998. Ai është diplomuar në Shkollën e Dramës të Konservatorit në Athinë. Debutimi i tij si regjisor erdhi me veprën “Ragada”, të krijuar dhe prezantuar brenda një apartamenti privat gjatë pandemisë.

Duket se “Ragada” i solli dhe fatin. Ajo do të jetë pjesë e trilogjisë që i solli dhe kthesën e madhe, bashkë me “Mirupafshim Lindita” dhe “Taverna Mirësia”.

Me rekomandimin e Willem Dafoe, Drejtor Artistik i Departamentit të Teatrit, Bordi i Drejtorëve të Biennales njoftoi se çmimi Luani i Argjendë, do t’i shkojë pikërisht Banushit. Në deklaratën e tij, Dafoe vlerësoi gjuhën unike teatrale të Banushit, të cilën e cilësoi si thellësisht personale, emocionalisht të saktë dhe të rrënjosur në kujtesën kulturore ballkanike.

“Përmes një rrëfimi pothuajse autobiografik, që shtrihet në përvoja pikëllimi, zie, mungese dhe traditash familjare, Banushi krijon një teatër poetik e eliptik, më shumë i ndërtuar mbi heshtjen sesa mbi fjalët, por jashtëzakonisht komunikues dhe politikisht inteligjent.”, vërehet mes të tjerash në motivacionin e çmimit së Bienales së Venezias.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të mbahet në Venecia, gjatë datave 7–21 qershor 2026, në Ca’ Giustinian, selia qendrore e Bienales.

I entuziazmuar për këtë vlerësim, Banushi shprehet se çmimi, i cili ndër vite u është dhënë emrave të mëdhenj si Fellini, Kurosaëa, Liddell dhe Guadagnino, do të shërbejë si një kujtesë për rrugëtimin e prindërve të tij shqiptarë, emigrantë në Greqi, të udhëhequr vetëm nga shpresa për një të ardhme më të mirë.

“Do të më kujtojë veten në shkollë, duke ëndërruar jetën që po jetoj sot, ndërsa shumë mësues më thoshin se do të dështoja. Do të më kujtojë nga vij dhe shtëpinë time të varfër të vogël në Shqipëri plot dashuri. Do të më kujtojë se ka një arsye pse krijoj.”, shkruan Banushi në faqen e tij në Facebook.

Në Festivalin e 54-t Ndërkombëtar të Teatrit, Mario Banushi do të prezantojë për herë të parë të plotë trilogjinë e tij “Romancë Familjare”. Ai është regjisori më i ri që nderohet ndonjëherë me këtë çmim.

Ndërkohë, Luani i Artë për Arritje Jetësore do t’i jepet regjisores së njohur italiane Emma Dante, e cila do të prezantojë premierën botërore të veprës “I fantasmi di Basile”.