Regjistri i sanxhakut të Arvanidit, një
regjistër kadastral i kohës së Skënderbeut

Regjistri i sanxhakut të Arvanidit, një<br />regjistër kadastral i kohës së Skënderbeut<br>
Regjistri i sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431 është një regjistër kadastral osman i cili i përket gjysmës së parë të shek. XV dhe mbart të dhëna shumë të rëndësishme për toponiminë, demografinë, ekonominë dhe elementin shoqëror të një pjese të rëndësishme të hapësirës shqiptare gjatë kësaj periudhe.

Por, rëndësia e tij e tejkalon historinë e shqiptarëve duke u cilësuar si regjistri më i hershëm i të gjithë hapësirës osmane i zbuluar deri më sot dhe për shumë dekada ka qenë një burim i dorës së parë për të gjithë historianët dhe osmanologët në mbarë botën. Regjistri në fjalë është gjetur nën titullin “Arvanya Sancağının hâs defteri” në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Kryeministrisë në Stamboll për tu përgatitur për botim me titullin “Sûret-i defter-i sancak-i Arvanid” nga osmanologu Halil Inalcik në vitin 1954.

Botimi në fjalë vjen si pjesë e një kolane prej disa vëllimesh që do të botohen prej Akademisë së Studimeve Albanologjike me rastin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Së bashku me Defterin e Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 të botuar në vitin 1974 nga studiuesi Selami Pulaha dhe me Regjistrin e Përmetit dhe të Korçës të vitit 1431 dhe Regjistrin e Dibrës të vitit 1467, që do të botohen në vijim të këtij defteri që sapo ka dalë, studiuesit do të kenë në dorë një korpus të plotë e një pasqyrë të hollësishme të aspektit kadastral e ekonomik të gjithë hapësirës shqiptare gjatë shek. XV.

Në aspektin fizik, versioni origjinal i këtij defteri ka përmasat 11:29 cm dhe përbëhet nga 151 fletë, prej të cilave 9 janë boshe. Data e përpilimit të këtij defteri i përket vitit 835 të kalendarit Hixhri i cili përkon me vitet 1431-32. Shënimet që gjenden në cepat e fletëve deri në atë të 45-tën janë dëmtuar e kanë humbur. Përveç këtyre, pjesa tjetër është e lexueshme. Pjesët e dëmtuara në përgatitjen që kemi bërë për botim i kemi treguar si (...). Në anën e mesit të fletës ku fillonte çdo njësi administrative ishin vendosur penj të ngjyrave të ndryshme të cilat mundësonin përdorimin me lehtësi të defterit. (në fletën 230 vërehet pjesa e perit që mbetet brenda fletës). Letra e përdorur është letër filigrani europiane që mbart shenjën e gërshërës dhe kurorës. Për shkrim është përdorur bojë e zezë. Është shkruar me llojin e shkrimit kaligrafik tevki, shkrim me të cilin sipas Inalcik janë përpiluar thuajse të gjithë defterët e shek. XV.

Cilat ishin shkaqet që e bënin të nevojshëm një regjistrim të përgjithshëm të Shqipërisë në vitin 1431? E dimë se një pushtim i ri bënte të nevojshëm edhe një regjistrim, gjithashtu. Nga ana tjetër, regjistrimet e kryera herë pas here janë të formës së një inspektimi i të ardhurave të shtetit dhe të gjendjes së atyre që i posedonin këto timare. Nisur nga shënimet dhe hyrjet e defterëve, shkaqet e përpilimit të një defteri të ri mund të përmblidhen në këto pika: ardhja në fron e një Sulltani të ri, ndryshimet e përgjithshme që ndodhnin me kalimin e kohës, evidentimi i shtimit ose pakësimit të taksave, rregullime apo ndryshime, dhe më e rëndësishmja, regjistrimi i atyre të ardhurave që kishin mbetur jashtë defterit. Regjistrimet mund të ishin të pjesshme dhe për një zonë të caktuar, ashtu siç mund të ishin edhe të përgjithshme e të përfshinin të gjithë vendin.

Si kryhej regjistrimi? Regjistrimi bëhej nga një inspektor i dërguar prej qendrës me kompetenca të plota për të cilin përdorej termi emin. Emini së bashku me funksionarët e tjerë të zonës ku do të kryente regjistrimin shëtiste në terren duke i inspektuar dhe regjistruar në vend të gjitha të ardhurat e njerëzit e zonës apo timarit në fjalë. Në përfundim të inspektimit ai i jepte çdo timarliu një vërtetim që i njihte pronën dhe rajatë që kishte në timarin e tij. Çdo posedues timari merrte nga emini një shkresë e cila tregonte timarin e ri dhe me këtë shkresë të eminit ai shkonte në qendër për të marrë një berât të ri nga Sulltani.

Defteri i përmbledhur hidhet në letër të pastër dhe kështu i paraqitet Sulltanit i cili e aprovon atë me hatt-i humayun dhe pasi vuloset paraqitet në defterhane për t’u ruajtur. Kështu, kjo shkresë mbetej në fuqi deri në një regjistrim të ri. Sipas këtij defteri themeltar, kopjet që i jepen bejlerbeut ose kryellogarisë përmenden si suret-i defter. Në këtë kontekst, defteri i Arvanidit që kemi në dorë është një suret ose kopje i defterit të përmbledhur. Në hyrjen e defterit është shënuar se defteri është një “suret”. Nga shënimet anësore dallohet se ky defter ishte ajo që gjendej pranë bejlerbeut të Rumelisë.

Hapësira gjeografike që përfshihet në këtë regjistin e Arvanidit nis nga Kruja për të vijuar në Jug deri në Thesproti dhe në qendër ka Gjirokastrën ku ndodhej edhe selia e sanxhakbeut. Në defter, për Gjirokastrën vërejmë se është përdorur edhe emri vilâyet-i Zenebiş, emërtim që lidhej me praktikën osmane sipas të cilës ato e emërtonin një vend me emrin e zotëruesve të asaj zone. Pra, të Zenebishëve. Njësitë administrative të marra në regjistrim përfshijnë Gjirokastrën, Sopotin, Këlcyrën, Kaninën, Beratin, Tomorricën, Skraparin, Pavlo Kurtikun, Çartallosin dhe Krujën. Parë nga ky aspekt, regjistri na jep të dhëna interesante lidhur me këto vendbanime, emrat e fshatrave dhe popullsinë e tyre gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, në regjistër vërehen fshatrat e zbrazura apo të shkatërruara, zona të reja që popullohen rishtas apo edhe zona që kanë qenë të rrënuara por që me kalimin e kohës janë gjallëruar. Madje, nga numri i shtëpive që janë regjistruar është e mundur të jepet edhe një numër i përafërt i popullsisë së këtyre zonave ku duhet thënë se edhe në këtë drejtim ka patur studime të vyera nga studiues të ndryshëm ku mund të veçohet bizantinologu austriak Johanes Koder i cili duke u nisur nga të dhënat që jep regjistri është munduar të paraqesë një numër të përafërt të popullsisë së këtij sanxhaku të kësaj kohe.

Duhet theksuar fakti se thelbi i regjistrimit në fjalë mbetet karakteri ekonomik, pra ishte formuluar për të ndarë në formë timaresh zonat e pushtuara dhe përllogariste shumën e taksave që vilej nga secili timar. Në këtë kontekst, e gjithë hapësira e këtij sanxhaku të marrë në regjistrim rezulton të jetë e ndarë në një numër të përgjithshëm prej 335 timaresh. Sigurisht që timaret më të mëdha u përkisnin shtresave drejtuese. Për shembull subashi i Beratit, Adllu Beu vërejmë se zotëronte një timar të madh me të ardhura që i kalonin 50 mijë akçe. Për këtë arsye edhe radhitja e timarëve të shënuara në regjistër fillonte nga ai që kishte timarin me të ardhura më të mëdha, pra sanxhakbeu. Më pas vijnë subashi e seraskeri. Këto ndiqen nga timarlinjtë ku në krye janë shënuar ata me timaret më të mëdha. Më poshtë vijnë myselemët dhe vojnukët. Nga të dhënat e pasqyruara në timaret e regjistrit, studiuesi e ka të lehtë të përfytyrojë gjendjen ekonomike të viseve shqiptare në fillim të shek. XV, fill pas pushtimit osman, mënyrën nga vinin të ardhurat e timareve si dhe taksat që vileshin në këtë periudhë.

Në aspektin ekonomik, nga regjistri vërejmë se të ardhurat kryesore të timareve të këtij sanxhakut kryesisht vinin nga bujqësia. Kjo vërtetohet edhe nga taksat e shumta që vileshin siç ishin ato të baxhit, (otlak) kullotave, dimërimit, e derrave dhe shumë të tjera që lidheshin në mënyrë të drejpërdrejtë me bujqësinë. Po ashtu, çmimet e bagëtive por edhe të prodhimeve bujqësore pasqyrohen bashkë me çmimet e tyre në këtë regjistër. Këto të dhëna i japin studiuesit mundësinë e krahasimit me indekset e çmimeve të po të njëjtave produkte në vende të tjera prej të cilave mund të përftohen të rezultate të rëndësishme sa i përket historisë ekonomike të kësaj hapësire gjatë gjysmës së parë të shek. XV.

Përveç të dhënave teknike që na paraqet regjistri i Arvanidit, ato çka tërheqin vëmendjen janë të dhënat historike, gjeografike e etnografike. Përmes faqeve të tij, studiuesi mund të konsultojë toponiminë dhe vazhdimësinë e shumë vendbanimeve gjeografike, shtrirjen e territoriale që zinte sanxhaku shqiptar por edhe ngjarje të rëndësishme historike të gjysmës së parë të shek. XV. Për shembull, historiani Inalcik aludon se pikërisht ky regjistrim ishte prej shkaqeve kryesore të kryengritjes së Gjergj Aranitit gjatë viteve 30 të këtij shekulli. Duke u mbështetur edhe Chalkokondyles i cili thotë se Araniti qe varfëruar shumë nga mësymjet turke, Inalcik mendon se Araniti u hodh në kryengritje vetëm pas regjistrimit i cili ia pakësonte pronat që ai kishte patur më herët.

Regjistri në fjalë mbart të dhëna të rëndësishme edhe për vetë heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeun. Siç mësojmë nga shënimet e timareve nr. 314 dhe nr. 335 konstatojmë se shkresat apo ndarja e tokës të fshatrave e zonave të përmendura është kryer me urdhër të tij. Parë nga ky aspekt, të dhënat e këtij regjistri janë një burim i dorës së parë për studimin më në gjerësi të jetës dhe aktivitetit së Skënderbeut po të kemi parasysh faktin se pjesa më e madhe e jetës së tij para vitit 1443 mbetet ende me shumë të panjohura.

Regjistri në fjalë mbart rëndësi të veçantë edhe për aspekte të popullsisë dhe kulturës së zonave të përmendura në të ku veç të tjerash dëshmojmë edhe vazhdimësinë e shumë emrave njerëzish prej periudhës arbërore deri në ditët tona. Parë nga ky aspekt, kjo vepër e botuar tërheq edhe vëmendjen e gjuhëtarëve. Për shembull timari nr. 211 flet për timarin e Bardhit, i cili ishte i biri i Fatmirit. Në këtë kontekst, ekzistenca e një emri të përbërë siç është emri Fatmir tërheq vëmendje dhe kërkon studim si për vazhdimësinë e emrave të tillë por nxjerr në pah edhe zhvillimin e gjuhës shqipe në shek. XV.

Regjistri i sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431 është një burim i rëndësishëm edhe për historinë e qyteteve shqiptare të shek. XV. Duhet thënë se historiografia shqiptare paraqet mungesë studimesh për qytetin shqiptar si gjatë periudhës së Mesjetës ashtu edhe në kohët e mëvonshme. Defteri na jep të dhëna të sakta për këto qytete ku vërejmë se në vitin 1431 popullsia e këtyre qyteteve e kasabave bashkë me gjendjen e tyre ekonomike ishte shumë e kufizuar. Në qytetin e Gjirokastrës ku ndodhej edhe selia e sanxhakbeut vërejmë kishte 121 shtëpi, Himara 117, Sopoti 60, Klisura 100, Berati 175 shtëpi dhe secili thuajse kishte pamjen e një fshati të madh (fshati Labovë është 400 shtëpi).  

Lidhur me përgatitjen për botim të këtij vëllimi lind nevoja të sqarohen disa elementë. Së pari, përkthimi i defterit nuk është bërë nga origjinali që është osmanisht por nga botimi që ka përgatitur studiuesi H. Inalcik. Teksti i regjistrit është përkthyer prej orientalistit të ndjerë Mykerem Janina në fund të viteve 60’ ndërsa kapitulli hyrës është përkthyer prej nesh bashkë me shpjegimet e nevojshme dhe përgatitjen për botim të kësaj vepre të rëndësishme. Janë shqipëruar emrat e vendeve që kalojnë në kapitullin e hyrjes dhe për terminologjinë e shumtë të përdorur kemi përgatitur një fjalorth që lexuesi mund ta konsultojë në fund të vëllimit. Në variantin që kemi botuar shpesh herë ka ndërhyrë edhe përkthyesi, Mykerem Janina, i cili e ka plotësuar defterin edhe me shpjegimet e tij, të cilat qëndrojnë krahas atyre të Inalcikut. Për t’i dalluar mes tyre, shënimet e M. Janinës janë shënuar shkurtimisht Shën. Përkth., ose M. J. Për të ruajtur origjinalitetin e stilit të përkthyesit, nga ana jonë është ndërhyrë në tekst vetëm në pak raste. Gjithashtu nuk kemi ndërhyrë në toponiminë, datat dhe emrat që jepen në defter në mënyrë që të jetë sa më afër origjinalit dhe i përdorshëm për studiuesit.

Përgatitja për botim e një vepre kaq të rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve vjen para lexuesit dhe studiuesve shqiptarë plot 70 vite pas botimit dhe 50 vite pas përkthimit në gjuhën shqipe. Për këtë, botimi i këtij regjistri fiton rëndësi jo vetëm për peshën dhe brendësinë e kësaj vepre por ajo shkon edhe si homazh e përkujtim për përkthyesin e saj M. Janina dhe për një plejadë të tërë përkthyesish dhe studiuesish dhanë kontribut të vyer për zhvillimin e historiografisë shqiptare duke punuar në kushte dhe rrethana tejet të vështira.

Regjistri i sanxhakut
Regjistri i sanxhakut
Regjistri i sanxhakut

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë