TIRANE-Pas objektivit “Shqipëria superfuqi energjetike rajonale”, ka dështuar realizimi edhe i një objekti tjetër të rëndësishëm ekonomik nga ana e qeverisë. Duke folur dje në Lushnje, kryeministri Berisha tha, ndër të tjera, se “kryeministri i territorit është kryetari i komunës. Ky është koncepti ynë dhe, nëse ka një pengese, ne do të ndërhyjmë në ligj dhe do t’i japim zgjidhjen përfundimtare. Kemi një moment të vogël për të sqaruar. Ne po bëjmë regjistrin dixhital të tokës. Siç bëmë regjistrin dixhital të qytetarëve, do të bëjmë edhe regjistrin dixhital të tokës, i cili përfundon brenda vitit 2013. Kemi ecur shumë në këtë drejtim. Ky është regjistri i dytë më i rëndësishëm i këtij shteti dhe një Task Force, e kryesuar nga kryeministri, e ndjek në mënyrë të pandërprerë këtë proces. Kjo do të jetë një arritje e madhe për vendin”. (Foto: Berisha dhe anëtarët e Task Forcës për Regjistrimit dixhital të Tokës)
Berisha thotë se administrata ka ecur shumë në këtë drejtim, por ka harruar se, sipas porosive të tij, të bëra publike, procesi duhej të kishte mbaruar të paktën 15 muaj më parë. FILLESAT Ka qenë muaji mars i vitit 2010, kur ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar fi llimisht dixhitalizimin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas drejtuesit të këtij institucioni, atëhere ministrit Bujar Nishani, dixhitalizimi i këtij shërbimi është shpëtimi i vetëm nga korrupsioni në këtë sektor. Deklarata u bë, pas një takimi që ministri pati me homologun e tij të Republikës së Estonisë, Rein Lang. Të dy ministrat ranë dakord të ngrenë një strukturë bashkëpunimi “Taks Force” mes ministrive të dy vendeve, me qëllim forcimin e bashkëpunimi në fushën e sistemit teknologjik dhe shkëmbimit të informacioneve në fushën e regjistrimit të pasurive. Ministri estonez është pritur edhe nga kryeministri Berisha, i cili e ka konsideruar dixhitalizimin e regjistrave pronësorë si “një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, ku kemi angazhuar të gjitha burimet për përfundimin e këtij procesi në një kohë sa më të shkurtër”.
TASK FORCA
Nisur nga deklaratat e kreut të Ekzekutivit, shumëkujt iu krijua ideja se pas pak ditësh do të krijohej institucioni që do të drejtonte procesin, Por, koha nuk ka qenë e shkurtër deri në fi llimet e këtij institucioni. Mbledhjen e parë të tij, kryeministri Berisha e ka drejtuar më 3 tetor të vitit 2011. JNë këtë mbledhje të parë, Berisha theksoi se, pas Regjistrit të Gjendjes Civile, Regjistri Themelor i Tokës është regjistri më kryesor i vendit dhe se ai duhet të përfundojë brenda vitit 2012.
Në këtë kuadër Kryeministri tha se duhet të angazhohen të gjitha burimet dhe fondet për kompletimin e këtij procesi. “Regjistri Themelor i Tokës është përparësia numër një e qeverisë. Ne duhet të kemi regjistrin dixhital të tokës për të gjithë territorin e vendit”, u shpreh kryeministri. Në përbërje të Task Forcës, veç kryeministrit, janë ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Drejtësisë, zëvendësministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe këshilltari i Kryeministrit për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit.
VONESAT
Ndryshe nga sa deklaroi Berisha, regjistri nuk rezultoi përparësia numër një e qeverisë së tij, ndryshe do të ishte zgjidhur me kohë. Në korrik 2012, ai drejtoi sërish mbledhjen e rradhës të Task Forëes për Regjistrin Themelor të Tokës, ku nuk mungoi të mbajë fjalimin e rradhë, duke vënë në dukje se “ky regjistrim është njëkohësisht edhe regjistri më i komplikuar dhe, si i tillë, kërkon sërish monitorimin më të rreptë dhe vëmendjen më të madhe”. Me këto fjalë, u duk qartë se afatet e mëparshme nuk do të arriheshin. Kryeministri Berisha kërkoi në atë mbledhje shpejtimin e ritmeve të projektit. “Zoti ministër i Drejtësisë dhe zoti kryeregjistrues i Pasurive të Paluajtshme, është normale që administrata gjatë muajit gusht do të marrë pushimet me alternim dhe njerëzisht do të kërkoja që pushimet të merren, por pa cenuar ritmin e punës së këtij procesi. Nuk mund të regjistrojmë më pak në muajin gusht, sesa në muajin korrik. Përkundrazi, duhet të bëjmë gjithçka për të qëndruar në lartësinë e muajit gusht e për ta dyfi shuar në tërësi procesin në muajin shtator, tetor, nëntor e vijim”, porositi ai. Ndërkohë, paraqiti një afat krejt tjetër për përfundimin e tij: “Ne kemi marrë një zotim që ky proces të përfundojë brenda pranverës së vitit 2013”. Një pohim ky, që nuk i qendronte së vërtetës. Pas kësaj, dje doli premtimi i tretë: regjistrimi të mbyllet deri në fund 2013.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)
(sg/shqiptarja.com)