Në emisionin “Këndi i Ekspertit”, në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka folur fillimisht për regjistrimin e pasurisë së fituar me parashikim fitues Neni 46. Ai ka sqaruar se cilët tituj pronësie regjistrohen me sipërfaqe sipas nenit 46, cilat janë kushtet dhe në cilën kohë duhet që këto pasuri të regjistrohen pranë Zyrës së Kadastrës dhe se çfarë dokumentesh duhet të paraqesin qytetarët për regjistrimin e pasurisë. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët live në Report TV.
Sot do të flasim për regjistrimin e pasurisë së fituar me parashikim fitues Neni 46. Cilët tituj pronësie regjistrohen me sipërfaqe, sipas nenit 46? Cilat janë kushtet dhe në cilën kohë duhet që këto pasuri të regjistrohen pranë Zyrës së Kadastrës?
Çfarë dokumentesh duhet të paraqesin qytetarët për regjistrimin e pasurisë?
Kjo është një temë shumë e lakuar. Qytetarët më shumë e vuajnë sepse ka pronat, të cilat regjistrohen sipas titullit të pronësisë dhe sipas zonës kadastrale ku ndodhen. Tani kemi të bëjmë me regjistrimin e pasurive të fituara me parashikim fitues.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që, të gjithë ata qytetarë, të cilët kanë një pronë që e kanë poseduar prej një afati, p.sh. 20-vjeçar, dhe nuk e kanë regjistruar në Hipotekë, kanë të drejtën që të hapin një proces gjyqësor dhe me anë të gjykatës të bëjnë regjistrimin e kësaj prone. Ata duhet të kenë provat, me anën e të cilave të vërtetojnë që kjo pronë nuk është kërkuar nga dikush tjetër ose që nuk ka qenë në procese gjyqësore të mëparshme, por ekziston si pronë e lirë në Hipotekë dhe qytetari i interesuar e ka poseduar si pronë, por nuk e ka regjistruar. Jo të gjithë titujt e pronësisë mund të regjistrohen në bazë të këtij neni. Më të theksuara janë trojet dhe ndërtesat, banesat. Përjashtohen pronat që trajtohen nga Ligji nr. 7501, livadhet, pyjet e të tjerat që kanë këto tituj pronësie. Këto trajtohen në një mënyrë tjetër.
Cila është ajo mënyrë?
Mënyra tjetër është se vazhdohet me procedurën që ka nisur nga Agjencia e Trajtimit ttë Pronave dhe tani e vazhdojnë gjykatat. Por titujt e pronësisë që janë më të prekshëm janë ndërtesat dhe trojet, të cilat qytetarët i kanë poseduar, por nuk i kanë regjistruar. Dhe kjo është me parashikim fitues, pra këto prona.
Cilat janë dokumentet e duhura, që qytetarët duhet të dorëzojnë për regjistrimin e këtyre pronave në Zyrën e Kadastrës?
Regjistrimi bëhet në Zyrën e Kadastrës. Personi i interesuar duhet të ketë vendimin e gjykatës, i cili i jep të drejtën këtij personi për të bërë regjistrimin e pronës. Duhet të ketë dokumentin e identifikimit ose një person tjetër, por të autorizuar me prokurë, për të bërë regjistrimin e pronës. Duhet të theksoj që vendimet e gjykatës, të cilat janë regjistruar pas datës 01.11.1994, pra vendimet e proceseve gjyqësore që janë zhvilluar pas datës 01.11.1994 dhe që njihen si Gjyqe Fakti, nuk regjistrohen. Por të gjitha vendimet e tjera që janë marrë para datës 01.11.1994 janë të regjistrueshme.
Flas nga Erseka. Kam një pronë, e cila ka qenë në emrin e babait dhe vazhdon të jetë ende në emrin e babait, por është në përdorim në zyrat e Kadastrës. Dua që të marr certifikatën e pronësisë. Si duhet të veproj?
Objekti ka qenë një pronë e ndërmarrjes bujqësore, më saktë ofiçinë, dhe në kohën kur u shkri ndërmarrja, babai nuk arriti që ta privatizonte dhe aktualisht ka mbetur i regjistruar në ZVRPP si në përdorim nga babai. Konflikt pronësie nuk kemi, pra nuk ka ndonjë pretendent tjetër për këtë pronë.
Prona e zotërisë është produkt i Ligjit nr. 7501. Të gjithë titujt e pronësisë që janë produkt i këtij ligji, kanë afat deri në datën 31 dhjetor 2019 për të plotësuar dokumentet për të marrë aktin e marrjes së tokës në pronësi. Deri tani zotëria e ka në përdorim, por duhet që të interesohet pranë qendrës administrative në njësinë administrative ku banon dhe të bëjë një kërkesë që titulli i pronësisë t’i kalojë në pronësi dhe të vazhdojë regjistrimin e pronës duke ndjekur procedurën standarde. Të gjitha udhëzimet e duhura dhe të detajuara zotëria do t’i gjejë pranë qendrës së tij administrative dhe në bashkinë e qytetit. Pra, duhet të bëjë një kërkesë për ta kthyer titullin e pronësisë nga përdorimi në pronësi, por parcelat e tokës duhet që t’i ketë në pronësi atje ku banon, pra fizikisht në terren, sepse në qoftë se nuk i ka në terren, atëherë nuk ka se çfarë të regjistrojë.
Zotëria duhet të shkojë pranë qendrës së tij administrative dhe të plotësojë dokumentin shtesë që duhet për të vazhduar procedurën. Ky dokument mund të jetë ndonjë faturë pagese sepse të gjitha këto ish-objekte janë blerë në atë kohë. Zotëria duhet të verifikojë nëse babai i tij e ka blerë këtë objekt apo jo dhe në qoftë se ai nuk e ka blerë, atëherë zotëria duhet të bëjë blerjen e tij. Në bankë ka një formular standard dhe pastaj të vazhdojë me regjistrimin e këtij objekti.
Shtëpinë e kam blerë në vitin 2000. Pronari është në Itali. I ka dalë edhe tapia e shtëpisë edhe tapia e truallit. Si duhet të veproj që tapitë të regjistrohen në emrin tim.
Zotëria ka blerë një pronë në vitin 2000, duke nënshkruar një dokument sigurie me pronarin e atëhershëm të shtëpisë. Por dokumentin përfundimtar, pra kalimin e pronësisë, nuk e ka bërë. Certifikata e pronës tani është bërë në emrin e ish-pronarit që ka qenë në origjinë, por duhet bërë kalimin në emrin e zotërisë. Zotëria duhet të shkojë pranë një zyre noteriale dhe të bëhet kontrata e shit-blerjes së pronës ose akti i dhurimit të saj. Ish-pronari që ia ka shitur shtëpinë zotërisë, mbase me një deklaratë të shkruar me dorë, tani duhet që të bëjë dhe të firmosë dokumentin përfundimtar të kalimit të pronësisë. Nëse prona është e vjetër, ish-pronari mund të jetë i vetmi pronar ose bashkëpronar me bashkëshorten e tij, por nëse prona është produkt i Ligjit nr. 7501, atëherë bashkëpronarë janë edhe fëmijët e tij. Pra, në dokumentin ligjor të kalimit të pronësisë duhet që të firmosë çdo bashkëpronar i kësaj prone. Zotëria, me dokumentet që ka, duhet të shkojëpranë një zyre noteriale dhe atje do të marrë edhe sqarime më të detajuara.
Jam nga rrethi i Lushnjës. Kam përfituar legalizimin dhe e kam regjistruar pronën në Hipotekë, por nuk kam paguar taksën e infrastrukturës në Bashki. Fatura më ka ardhur para 2 vitesh, por nuk kam pasur mundësi për ta paguar. A ka ndonjë penalitet për mospagimin e kësaj takse?
Për raste të tilla si i zotërisë, u bë një amnisti, e cila ka zgjatur deri në fund të muajit prill. Ne e kemi diskutuar dhe e kemi sqaruar në emisionet tona të mëparshme. Pra, ishte hequr penaliteti. I këshilloj zotërisë që të shkojë pranë zyrave të legalizimit dhe interesohet përsëri. Por penaliteti ekziston që në momentin kur vjen një dokument që duhet paguar. Afati për të bërë pagesën është një muaj. Por, zakonisht kur vijnë fatura të tilla, në fund të tyre shënohet edhe afati i pagesës. Megjithatë, për sqarime më të sakta zotëria duhet të paraqitet në zyrat përkatëse.
Jam nga fshati Velabisht i Beratit. Dua të shes një shtëpi që e kam me certifikatë pronësie dhe me të gjitha dokumentet e rregullta. Por te zyra e regjistrimit nuk e bëjnë regjistrimin me 500 m2, por me 300 m2. Si bëhet?
Sipas ligjit, zotërisë i takon të marrë dhe t’i regjistrohen 250-300 m2 sipërfaqe trualli, sepse prona e tij është në fshat. Deri në 500 m2 lejohet për pronat në qytet. Kështu që zotëria duhet të pranojë dhe ta regjistrojë këtë sipërfaqe trualli.
Flas nga Librazhdi. Gjyshi ia ka lënë pronën babai tim, me dokument noterial. Tani nuk mundemi që ta kalojmë tokën në emrin e babait, i cili jeton. Gjyshi dhe babai dalin që të dy bashkëpronarë. Gjyshi, kur ishte gjallë, ka shkuar te noteri dhe e ka firmosur vetë dokumentin, me të cilin pronën ia linte babait tim.
Gjyshi e ka lënë me testament. Për këtë duhet shkuar në noteri dhe duhet bërë çelja e testamentit. Pasi çelet testamenti, vazhdon procedura për regjistrimin e pronës në emër të babait. Ky veprim duhej bërë menjëherë pas vdekjes së gjyshit. Sipas legjislacionit shqiptar, testamenti që lihet nga një person, hapet pasi personi që e ka lënë ndërron jetë dhe pastaj prona e trashëguar me testament regjistrohet në zyrën e Kadastrës, ku ndodhet prona. Në rastin konkret duhet rishikuar me kujdes problemi, se mos ndoshta ka ndonjë problem tjetër ligjor. Për këtë zotëria duhet të konsultohet me një avokat.