Një ditë përpara se të mbyllej viti 2025 është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompania ‘MobAl’, që është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo kompani shtetërore do të operojë në shërbimin e transportit publik me autobusë e biletë elektrike. Shoqëria e regjistruar në QKB më 30 dhjetor ka si administrator Henri Telharaj, deri tani këshilltar i ministres Belinda Balluku.
Edhe në Këshillin Mbikëqyrës të kompanisë janë emëruar zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Elfrida Brati, Zana Guzja dhe Eridiola Marini.
Kjo shoqëri do të ofrojë shërbime operimi dhe organizimi të transportit publik rrugor, përfshirë destinacionet turistike, linjat e rregullta, shërbime të specializuara si transporti i nxënësve dhe mësuesve, si dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, përfshirë stacionet, parkun e autobusëve, infrastrukturën e karikimit për mjetet elektrike si dhe sistemet elektronike të biletimit.
Në dokumentet e regjistrimit thuhet se kjo kompani do të ketë si objekt aktiviteti edhe licencimin e shoqërive të tjera të transportit publik.
“Organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi si dhe krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve”, thuhet në dokument.
Kapitali fillestar prej 10 milionë lekësh do të financohet nga buxheti i shtetit. Krijimi i shoqërisë shtetërore ‘MobAl’ si Agjenci Kombëtare për Transportin Publik, ishte e parashikuar në programin qeverisës, dhe në fazën e parë pritet të ofrojë shërbim në 7 itinerare turistike kombëtare dhe transport publik shkollor në tre zona të vendosura strategjikisht në veri, jug dhe juglindje, aty ku nxënësit kanë vështirësi për të shkuar në shkollë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente











Shpresoj qe te jene duke e ndjekur nga afer ShBA dhe BE se cfare po ndodh ne vendin tone, pasi eshte vertete shqetesuese.
Përgjigjuune e lexoj si shtetizim
Përgjigjunormal, ke duhej te emeronte tjeter
Përgjigju