ATHINE- Drejtori i përgjithshëm i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, (ESM), Klaus Regling ka përjashtuar një reduktim të ri të borxhit të Greqisë, në një intervistë për numrin e radhës së të  përjavshmes gjermane ”Der Spiegel”, të publikuar sot.

“Nuk do të ketë reduktime të reja të borxhit”, theksonte Regling, në një replikë ndaj një deklarate të bërë nga zëvendëskryeministri grek dhe njëkohësisht shefi i diplomacisë së Athinës, Evangjelos Venizelos, i cili u shpreh gjatë fundjavës se “ekzistonin mundësi dhe hapësira për përmirësimin e strukturës së borxheve greke, ku aludonte mbi një zgjatje të afatit të pagesave dhe një ulje të normave të interesit për huatë e dhëna nga evropianët për Greqinë”.

Regling, i cili veçonte se Fondi i Shpëtimit Ekonomik të Eurozonës ishte kreditori i parë dhe kryesor për Greqinë, vinte theksin tek fakti se “afatet për huatë e dhëna arrinin në 30 vjet, ndërsa normat e interesit të tyre ishin lehtësisht nën 1,5 për qind”.      

”Përgjatë 10 viteve të ardhshme, normat e interesit do të jenë përditësuar. Nga një këndvshtrim ekspertize ekonomike, kjo është ekuivalente me një fshirje të borxhit”, u shpreh Regling

Redaksia online
(sg/ata/shqiptarja.com)