Emisioni investigativ “Pa Gjurmë” në Report TV, i drejtuar nga moderatorja Odeta Dume, shënoi sot një ditë të suksesshme, duke arritur të identifikojë dhe të rikthejë shpresën për dy persona të humbur. Brenda të njëjtit transmetim, dy familje morën lajme që i kishin pritur prej muajsh dhe vitesh.

Gjendet 22-vjeçari nga Puka, Enkrist Kola

Rasti i parë ishte ai i Enkrist Kolës, 22 vjeç, nga Puka, i cili kishte humbur kontaktet me familjen më 13 shtator 2025. Një qytetar nga zona e Spillesë, Elton Kaja, kishte gjetur 24 orë më parë një të ri me probleme shëndetësore në rrugë. Ai e ndihmoi duke e ushqyer, duke i blerë rroba dhe duke e sistemuar përkohësisht në një hotel.

Më pas iu drejtua redaksisë së “Pa Gjurmë”, me qëllim identifikimin e tij. Gjatë transmetimit të videos në studio, reagimi i familjarëve ishte i menjëhershëm. Ata kontaktuan redaksinë, ndërsa kushëriri i 22-vjeçarit deklaroi live: Është 100% ai.

Pas verifikimeve dhe komunikimit me familjen, emisioni bëri të mundur lidhjen mes palëve për kthimin e Enkrist Kolës pranë familjes së tij në Pukë. Një histori që nisi me një akt human dhe përfundoi me një ribashkim të shumëpritur.

Pas 7 vitesh, gjendet 58-vjeçari Asllan Ilasllari nga Skrapari

Në të njëjtin transmetim u trajtua edhe rasti i Asllan Ilasllarit, 58 vjeç, nga Skrapari, i cili kishte humbur kontaktet me familjen që prej nëntorit 2019. I ftuar në studio ishte vëllai i tij, Agim Ilasllari, i cili rrëfeu se dyshonte se Asllani mund të ishte shfrytëzuar për punë nga një person me emrin Apostol, në fshatin Kuç të Skraparit, dhe se nuk lejohej të komunikonte lirshëm me familjen.

Gjatë një lidhjeje direkte, moderatorja Odeta Dume kontaktoi personin e përmendur nga familjarët. Apostoli deklaroi se Asllani ndodhej ende në shtëpinë e tij. Biseda telefonike u shoqërua me debat mes tij dhe Agimit, i cili e akuzoi për shfrytëzim, ndërsa Apostoli u shpreh i gatshëm ta vinte Asllanin në telefon për të folur vetë mbi situatën. Konfirmimi se 58-vjeçari ndodhej gjallë dhe në një adresë konkrete u konsiderua një zhvillim i rëndësishëm për familjen, e cila prej 7 vitesh jetonte mes pasigurisë dhe dyshimeve.

Dy histori, dy familje që morën lajme për njerëzit e tyre të dashur. Emisioni “Pa Gjurmë” dëshmoi edhe një herë rolin e tij si një urë lidhëse mes personave të humbur dhe familjeve që i presin.