Rekordi i Shqiptarja.com
në 5 muaj ndër 3 gazetat
shqiptare më të lexuara

Rekordi i Shqiptarja.com<br />në 5 muaj ndër 3 gazetat <br />shqiptare më të lexuara
Eshtë një surprizë e bukur dhe e papritur për të gjithë ne të stafit të Shqiptarja.com në print dhe online. Për pak ditë mbushim vetëm 5 muaj që nga 4 nëntori 2011, kur Shqiptarja.com lindi si gazeta më e re dhe faqja më e re web në gjuhën shqipe dhe ja ku jemi: në vendin e 17 në renditjen e Alexa-s, që mbledh të gjitha websitet që lexojnë shqiptarët në Shqipëri dhe në botë. Jemi mes tre gazetave më të lexuara online bashkë me Shqip, që lexohet përmes adresës së Top Channel e Gazeta Shqiptare që lexohet përmes BW, duke lënë pas media shqiptare që kanë startuar në web prej shumë kohësh, që pas vitit 1997.
Kur kaluam në klasifikimin online gazetën Panorama, Respublica.al, e drejtuar nga analisti i njohur Mustafa Nano, veç meritës së ngjitjes në klasifikimin e webit, na e konsideroi pak si vetëpërkëdhelje dhënien e lajmit. Në të vërtetë është kështu, por të gjithë në media, besoj edhe Nano vetë, e di mirë se sa e vështirë është kjo rrugë dhe me sa pengesa mbijetese përballemi, ndaj na e lejoni këtë vetëpërkëdhelje, por dhe falenderim e përulje para lexuesit.
Për të krijuar një ide, të cilën mund ta verifikojë kushdo duke klikuar në www.alexa.com, website ynë Shqiptarja.com, që përmbledh lajmet e gazetës, bloge dhe analiza, suplementet Almedicus, Fundjava, Th&Th, Rilindasi, video dhe lajmet më të shpejta dhe të fundit të ditës, reditet në vendin e 17, gazeta Panorama, gazetë e vjetër si në web dhe në print, në vendin e 20, gazeta Mapo në vendin e 40, gazeta Koha Jonë në vendin e 136 e kështu me radhë media të tjera elektronike dhe të shtypit të shkruar.
Të gjithë ne të Shqiptarja.com, një grup gazetarësh të shtypit dhe të gazetarisë së re online, ishim të bindur: Lexuesit shqiptar i mungonte një media vërtetë e pavarur, me qëllimin e vetëm të së vërtetës, me dëshirën për të qenë të hapur dhe pasqyrues të të gjitha opinioneve të ndryshme shqiptare. Dhe ajo çfarë mendonim ndodhi: me gjithë vështirësitë financiare, mungesën e reklamave shtetërore (që urojmë të shtohen në një media kaq shumë të lexuar) jemi sërish në tregun e vështirë mediatik shqiptar. Në pak muaj po ia dalim të notojmë në sipërfaqe dhe lexuesit na japin forcë dhe kurajo për të vazhduar, por vetëm kjo nuk mjafton.
Urojmë që edhe adminsitrata shqiptare të kuptojë dhe të reagojë ndaj kësaj ndjeshmërie të lexuesit dhe të reklamojë në media që realisht lexohen dhe jo vetëm në media afër partive në pushtet. Pasi, bashkë me lajmet e larmishme, shqiptarët duhet të mësojnë dhe për larminë e shërbimeve, konkurseve të pafundme e të dobishme që sektorë të ndryshëm të Shtetit shqiptar ofrojnë për ne të gjithë, në të gjitha fushat dhe profesionet.
Biznesi privat këtë e ka kuptuar fare natyrshëm, kurse reklamat shtetërore krijojnë mungesë barazie në treg, duke privilegjuar e financuar me reklama vetëm gazetat e mediat proqeveritare.
Panorama e shpërndarjes së reklamave shtetërore është një test i saktë dhe real për të matur respektimin e lirisë së mendimit në Shqipëri. Çfarë përfitimi do të kishte një institucion të reklamonte në gazeta, website, apo media që janë pak të ndjekura? Në Shqipëri sot ndodh kështu: Administrata është e trembur dhe nën presion nga politika. Ajo furnizon hapur media të rreshtuara politikisht me Qeverinë, por kjo kërkon një reagim.
Muajt e ardhshëm do të jenë një test që do të tregojë se sa frymëmarrje mund të gjejnë mediat realisht të pavarura dhe profesionale.
Lexuesi e ka dhënë pëlqimin e tij, tani në provë janë strategët e marketingut të Administratës shtetërore.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë