Ditë shumë të vështira kanë trokitur në derën e Partizanit. Të kuqtë të mërkurën u mposhtën 2-1 me përmbysje nga Elbasani, duke pësuar humbjen e 6 radhazi në kampionat. Kjo ka bërë që të kuqtë të kenë vetëm 4 pikë në fazën e parë, duke vendosur një rekord negativ në historinë e klubit.
Para ndeshjes me Elbasanin trajneri Mislav Karoglan, i cili deri më tani ka koleksionuar 3 humbje në 3 ndeshje, tha se një rol vendimtar te rezultatet kanë patur mungesat e shumta. Mirëpo për trajnerin ka më shumë se kaq. Pas disfatës me Elbasanin ai ka vërejtur se Partizani është dëmtuar shumë edhe nga arbitrat.
“Më vjen keq për djemtë, dhanë gjithçka. Por kjo është jeta dhe ky është futbolli, ndonjëherë duhet pak fat për të pasur sukses. Besoj se nëse ka drejtësi në futboll, do të na kthehet fati.
Goli i Nikajt? Ishte faull i pastër ndaj Doumbias në aksionin përpara. Unë kam respekt për gjyqtarët. Bëjnë gabime, por çfarë kam vënë re në tri ndeshje, bëjnë shumë më shumë gabime ndaj Partizanit se ndaj kundërshtarëve”.
Sfida e radhës për “Demat e Kuq” përkon me datën 2 nëntor kundër Teutës në transfertë, ndërsa klubi i kuq mban vendin e fundit në tabelë me 4 pikë pas 9 javësh, shumë larg pritshmërive.









Komente
Komento